Dil nga lundrimi kryesor

Një Urë Midis të Fortit dhe të Dobëtit

Një Urë Midis të Fortit dhe të Dobëtit

Shoqëritë janë të përbëra nga shumica dhe pakica individësh. Qoftë nga zgjedhja e tyre, qoftë nga lindja, njerëzit u përkasin grupeve. Ne e jetojmë jetën tonë dhe e shprehim qëllimin tonë nëpërmjet komuniteteve fetare, racore, politike dhe kulturore. Të gjitha ato janë të ndryshme. Të gjitha kanë vendin e tyre. Por jo të gjitha kanë pushtet të barabartë. Disa janë më të mëdha, më të vjetra, më të pasura dhe më të lidhura sesa komunitetet e tjera. Kjo mungesë drejtpeshimi i vë në rivalitet sistemet e bindjeve kundrejt njëri-tjetrit, por një shoqëri paqësore e vendos të fortin dhe të dobëtin në të njëjtin nivel. Nganjëherë, kjo trysni shpaloset në mënyra dramatike.

Open Doors [Dyert e Hapura], një organizatë që gjurmon përndjekjen fetare, raporton që “vuajtja e të krishterëve, thjesht për shkak të besimit të tyre, po ndodh në një shkallë tronditëse”. Në 50 vendet më të rrepta, mbi 200 milionë të krishterë i nënshtrohen një niveli të lartë përndjekjeje. “Numri i trishtueshëm i të krishterëve që po vriten”, thotë raporti, vazhdon “në më shumë vende se asnjëherë më parë.” Të krishterët po dëbohen nga komunitetet e tyre të lashta në Lindjen e Mesme, po vriten në Nigeri dhe po përjashtohen për shkak të nacionalizmit fetar në rritje e sipër në Azi. Të gjitha këto e përkeqësojnë krizën botërore të refugjatëve. “Kurrë më parë nuk kanë qenë duke u shpërngulur kaq shumë të krishterë.” [1]

Dhe nuk janë vetëm të krishterët. Në vende përqark Lindjes së Mesme, myslimanët janë vrarë dhe përndjekur nga militantët islamikë. Pakicat e cenueshme janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre prej tiranëve dhe terroristëve. Konflikti midis sekteve ka gjallëruar një cikël rrëmbimesh, ngacmimesh dhe zhvendosjesh. [2] Sipas organizatës Open Doors [Dyert e Hapura], “përndjekja fetare është një shtytës domethënës i migrimit të detyruar botëror”. [3] Në mes të kësaj katrahure, refugjatët myslimanë arratisen për të shpëtuar jetën e vet. Në Mianmar, shumica budiste po merr masa shtrënguese kundër komunitetit të vogël mysliman të Rohingiës. [4] Në Shtetet e Bashkuara, janë shtuar sulmet kundër myslimanëve[5] dhe pikëpamjet kundrejt myslimanëve janë bërë më negative nëpër Europë. [6]

Ndoshta më shumë se çdo popull tjetër gjatë gjithë historisë, judenjtë kanë përjetuar përndjekje të pamasë si një pakicë e shpërndarë nëpër botë. Antisemitizmi është ende problem sot. Një raport dokumentoi 1883 sulme kundër judenjve, sinagogave dhe varrezave të judenjve në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe në 44 vende në Europë dhe në Azinë Qendrore në vitin 2014. [7]

Pakicat nuk e kanë të lehtë.

Por liria fetare ose e besimit mund të ndihmojë. Vlera e një të drejte përcaktohet nga aftësia e saj për ta mbrojtur edhe shumicën, edhe pakicën. Liria vepron në dy fronte. Si ligj, ajo siguron ushtrimin e lirë të fesë; si normë shoqërore ajo ushqen respektin për ndryshimet dhe mosmarrëveshjet. Asnjë vend nuk është i përsosur në këtë gjë. Por duke u dhënë dinjitet besimeve tona, liria fetare na lidh të gjithëve bashkë, përfshirë ata që nuk identifikohen me asnjë fe.

Merreni parasysh një shembull nga shteti afrikano-perëndimor i Kamerunit. Nën kërcënimin e sulmeve terroriste, bashkësitë e krishtera dhe myslimane e mbrojtën njëra-tjetrën me radhë. Të premteve, të krishterët ruanin xhamitë gjatë lutjes së komunitetit dhe të dielave, myslimanët ruanin kishat gjatë shërbimeve të adhurimit. [8]

Një ndërsjellje e tillë është jetike sepse shpesh shumica dhe pakica i shkëmbejnë vendet. Ajo që në një kohë është e pëlqyer në masë, bëhet e papëlqyer në masë në një kohë tjetër. Çdo fe u nënshtrohet luhatjeve të shkëlqimit dhe errësirës. Grupi kulturor që sot gëzon privilegje, mund t’i humbasë ato nesër. Pushteti nuk është i përhershëm. Prandaj, një liri fetare që mbron të voglin, është gjithashtu siguria më e mirë edhe për të madhin. Siguria nuk qëndron te numrat, siguria qëndron te drejtësia.

Ka pasoja nga shtypja e besimeve, praktikave dhe aspiratave të pakicave. Mungesa e drejtpeshimit provokon paqëndrueshmëri, ushqen mllef dhe i thellon përçarjet. Armiqësia krijon të huaj dhe ata të huaj marrin rrugën nëpër botë në kërkim të përkrahjes. Kodi i mikpritjes që gjendet në Bibël, na quan ne përgjegjës për më të fundit mes nesh. Dhe duke qenë se të gjithë jemi miq në një tokë të huaj, nëse bëhemi miq me një të huaj, mund të zbulojmë “pa ditur engjëj”. [9]

Liria fetare për disa, në të vërtetë nuk është liri fetare për asnjë.

[1] Shih Open Doors World Watch Report 2017, “The Persecution of Christians and Global Displacement”, f. 3-5.

[2] Shih Katayoun Kishi and Angelina E. Theodorou, “6 Facts about Religious Hostilities in the Middle East and North Africa”, Pew Research Center, 7 korrik 2016.

[3] Shih Open Doors World Watch Report 2017, “The Persecution of Christians and Global Displacement”, f. 3.

[4] Human Rights Watch, “Burma: New Wave of Destruction in Rohingya Villages”, 21 nëntor 2016.

[5] Katayoun Kishi, “Anti-Muslim Assaults Reach 9/11-era Levels, FBI Data Show”, Qendra Kërkimore Pew, 21 nëntor 2016.

[6] Shih Richard Wike, Bruce Stokes and Katie Simmons, “Europeans Fear Wave of Refugees Will Mean More Terrorism, Fewer Jobs”, Qendra Kërkimore Pew, 11 korrik 2016.

[7] Raport i vitit 2015 i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, Raportimi i Krimit të Urrejtjes, Anti-Semitizmi.

[8] Terry Turner, “Christians Protect Mosques on Fri., Muslims Guard Churches on Sunday”, Good News Network, 29 janar 2016.

[9] Hebrenjve 13:2.