Një Partner në Kauzën e Paqes

E para nga një seri me shtatë pjesë mbi lirinë ndërkombëtare fetare

Vendet me më shumë liri fetare kanë më shumë paqe. Dhe vendet me më pak liri fetare kanë më pak paqe.

Kështu thonë një numër studimesh. [1] Kjo mund të duket kundër logjikës. Në fund të fundit, a nuk shkakton më shumë tension liria fetare duke lejuar më shumë besime? A nuk shkaktojnë pashmangshëm ndasi në shoqëri ndryshimet fetare? Përvoja thotë që jo.

Kur mendojmë për paqen, kemi në mendje në përgjithësi një rajon pa luftë, një komb pa mosmarrëveshje, ose një qytet pa dhunë. Por paqja është më shumë sesa mungesa e konfliktit. Paqja është zakoni i përfshirjes së të ndryshmeve, praktika e bisedimeve për mosmarrëveshjet ndërmjet armiqve. Është një kulturë e aftësisë për të gjykuar drejtësisht. Edhe shoqëritë më paqësore kanë përplasje, por ato nuk i lejojnë grindjet që t’i përçajnë.

Merreni parasysh Brazilin, vendin me më pak kufizime mbi lirinë fetare në botë. Ndërkohë që po i nënshtrohet një zhvendosjeje dinamike nga Kisha Katolike Romane, te kishat e Lëvizjes së Rrëshajëve, te kishat protestante dhe kisha të tjera, popullsia ia ka dalë të shmangë konflikte të gjera midis sekteve. “Duke pasur parasysh nivelin e ndërrimeve të besimit fetar në Brazil”, thotë studiuesi Brajën Grim, “ia vlen të nxirret në pah veçanërisht se … nuk janë raportuar raste të armiqësisë kundrejt ndërrimeve të besimit fetar ose predikimeve.” [2] Edhe pse është larg të qenit i përsosur, bashkëbisedimi mes komuniteteve të ndryshme fetare e ka mbajtur tensionin nën kontroll.

Paqja ndikohet nga shumë faktorë – historia e popullit, struktura e qeverisë, mjedisi ekonomik dhe niveli i përfshirjes në politikë. Liria e fesë është gjithashtu vendimtare. Vendet që e mbrojnë larminë e përvojave fetare, priren të kenë më pak konflikte të armatosura, privilegje më të mëdha qytetare dhe politike, liri më të madhe të shtypit dhe ekonomisë, rezultate më të mira shëndetësore, arsimim më të mirë dhe zhvillim më të lartë njerëzor në përgjithësi. [3]

Bota duket se vihet në lëvizje nga forca të mëdha, të papërcaktuara. Tregjet financiare, aleancat ushtarake, trupat ndërkombëtare dhe elitat sunduese, që të gjitha, luajnë rol në dhënien formë të shoqërisë. Por gërmojmë pak më thellë dhe do të shohim në veprim pllakat e padukshme tektonike të ndërgjegjes vetjake – kërkimin për kuptim, fuqizimin për të ndjekur qëllimin, shprehjen haptas të bindjeve tona, formimin e identitetit në shoqërinë e bashkëbesimtarëve dhe lirinë për të ndryshuar fetë. Pyetja kyç për paqen është nëse mund t’i mirëbesojmë njëri-tjetrit për nderimin e shtigjeve tona të ndryshme fetare. A mund të kemi respekt të ndërsjellë?

Profesor Nilay Saiya [Nilai Saia] shpjegon se përse është e rëndësishme kjo: “Liria fetare nxit forma paqësore të veprimtarive fetare duke krijuar hapësirë që grupet fetare ta ushtrojnë lirisht besimin e tyre, t’i sjellin idetë e tyre me informacion fetar në diskutimin publik, të japin kontribute pozitive në shoqëri dhe të përfshihen në debate nëpërmjet kanaleve të hapura të komunikimit, duke lejuar në këtë mënyrë që të dëgjohen këndvështrime të ndryshme dhe duke ua hequr ekstremistëve mundësinë për ta fituar në mënyrë të paracaktuar betejën për zemrat dhe mendjet [e njerëzve].” [4]

Kur përjashtohen nga këto leva të jetës qytetare, njerëzit ndiejnë se nuk kanë ndikim në komunitetet e tyre dhe disa madje marrin masa ekstreme. Kjo është një nga arsyet përse, shton profesor Saia, që “vendet me liri fetare janë shumë më pak të prekshme nga dhuna fetare dhe nuk e nxitin atë.” [5]

Në përfundim, liria fetare nuk është për të zhdukur rivalët dhe për t’i detyruar me frikë njerëzit që të bien dakord me shumicën. Përkundrazi, liria fetare është për të arritur paqe mes ndryshimeve dhe për ta zvogëluar frikën që gjithsecili të mund të ketë siguri në vendin e vet që i takon me ligj në shoqëri.

 


[1] Shih Brian J. Grim dhe Roger Finke, The Price of Freedom Denied (2011); “Five Key Questions Answered on the Link Between Peace and Religion”, Institute for Economics and Peace së bashku me the Religious Freedom and Business Foundation, f. 17–18; Nilay Saiya, “Does Religious Liberty Encourage or Curb Faith-Based Terrorism?” Religious Freedom Institute, 12 korrik 2016.

[2] Brian Grim, “Brazil: A Lesson in the Peaceful Navigation of Religious Change”, Religious Freedom Project, Berkley Center for Religion, Peace & World Affairs, Georgetown University, 1 qershor 2015.

[3] Brian J. Grim dhe Roger Finke, The Price of Freedom Denied (2011), f. 206.

[4] Nilay Saiya, “Does Religious Liberty Encourage or Curb Faith-Based Terrorism?” Religious Freedom Institute, 12 korrik 2016.

[5] Nilay Saiya, “The Religious Freedom Peace”, The International Journal of Human Rights, 9 qershor 2015.