Shërbimet Humanitare - 17. mars 2010 |
Kisha do të Ndërtojë Strehime të Përkohshme në Haiti Përpara Stinës së Shirave
SOLT-LEJK-SITI 12 shkurt 2010 Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po fillon një program të vrullshëm për t’iu dorëzuar anëtarëve haitianë plot 600 komplete strehimi të përkohshëm, që nevojiten urgjentisht përpara fillimit të stinës së shirave në prill. Një komplet përfshin dërrasë, llamarinë të valëzuar për çatinë, rripa kundër uraganëve për çatinë dhe çimento.
Qëllimi është të kthehen familjet në pronat e tyre duke larguar rrënojat nëpërmjet projektesh shërbimi të organizuar. Me t’u pastruar pronat, mund të ngrihen tendat ose strehimet e reja të përkohshme. Është një përpjekje e vazhdueshme nga Kisha për të rivendosur normalitetin dhe besimin tek vetja.
“Parimi i ndihmës duhet të zbatohet atje ku ne ndihmojmë njerëzit që të ndihmojnë vetveten”, tha Teodor Bertoni, një udhëheqës i lartë haitian i Kishës.
Administruesit e Ndihmës së Kishës ndihmuan udhëheqësit vendorë të Kishës për ngritjen e një depoje të mbushur mirë me furnizime jetike si groshë, oriz dhe qumësht.
Listat e porosive janë plotësuar nga udhëheqësit e anëtarësive lokale. Furnizimet pastaj u bënë në nëntë shtëpi mbledhjesh që janë përdorur si strehë për të shpërngulurit nga tërmeti.
KISHAT E SHENJTORËVE TË DITËVE TË MËVONSHME NË HAITI: QIEJ TË SIGURISË DHE TË QETËSISË
Qindra familje vazhdojnë të kërkojnë strehë në nëntë shtëpi mbledhjesh rreth Portoprins. Shtëpitë e mbledhjeve janë bërë të njohura si vende të qetësisë dhe sigurisë për ata që qëndrojnë atje.
Kisha ka siguruar afro 1500 tenda për ata që mbetën pa shtëpi dhe shumë janë vendosur tani rreth kishave. “Një fqinj më tregoi për këtë vend dhe më ftoi të vij”, tha Kejzi Lenlingi 16-vjeçar. “Unë jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Të gjithë ishin bujarë dhe më pritën mirë, lavdi Zotit.”
Më shumë se 7.000 njerëz fillimisht u strehuan në kishat, ku ata që nuk ishin të besimit mormon përbënin më shumë se dy të tretat e të pastrehëve.
MJEKËT
Kisha sponsorizoi disa grupe anëtarësh mjekë për të plotësuar nevojat mjekësore të shumë njerëzve të plagosur nga tërmeti.
“Unë nuk mund të mbështetesha në kolltukun tim dhe thjesht të vështroja nëse kishte ndonjë gjë që mund ta bëja”, tha Dr. Xhon Metheson nga Keneuik, në Uashington me një zë të mbytur nga emocioni.
Mjekët vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara shërbyen krah për krah me doktoreshën haitiane Zhizlen Son Lui, e cila është pediatre dhe anëtare e Kishës. “Pas tërmetit unë e mbylla klinikën time private për t’ia kushtuar kohën ndihmës për fëmijët në këto zona”, tha Dr. Son Luizë, “unë i dua fëmijët dhe dua që ata të jenë më mirë”. Kur Dr. Son Luizë dhe kolegët e saj mjekë vizituan shtëpitë e ndryshme të mbledhjeve, fjala u përhap gojë më gojë kudo nëpër komunitet dhe me dhjetëra pacientë filluan të vërshojnë për ndihmë. Mjekët siguroheshin që plagët e trajtuara menjëherë pas tërmetit po shëroheshin si duhej dhe nuk kishin infeksion. “Ajo që më preku më shumë ishte të shihja njerëz të mblidheshin në Kishë dhe të shihja se sa shpejt u organizua dhe reagoi Kisha pas shkatërrimit fillestar”, tha Dr. Son Luizë. Edhe në rrëmujë shpesh lind shpresë. Tre mjekë thonë se në po atë ditë që arritën në Haiti ata u përballën me urgjencën e parë mjekësore. “Unë vura re një grua që merrte frymë me vështirësi dhe i kishin filluar dhimbjet e lindjes. Ajo po fillonte shtërzimet!” tha Dr. Rodni Anderson nga Vernali i Jutas. Dr. Anderson di gjithçka rreth lindjes. Ai ka ndihmuar në lindjen e më shumë se 4.000 bebeve gjatë karrierës së tij. “Unë shpresoja të ndihmoja në lindjen e një fëmije kur isha këtu. Unë thjesht nuk e mendova se do të ndodhte kaq shpejt”, tha ai. Mjekët Metheson, Anderson dhe Kreig Kolebi nga Hjuston në Teksas, e vendosën gruan shtatzënë në një tavolinë ping-pongu dhe ndihmuan lindjen e një foshnjeje djalë, të imët por të shëndoshë. Nëna e re, Nuazelia Sondor, tha se atë dhe pesë fëmijët e saj i zuri paniku pasi tërmeti shkatërroi shtëpinë e tyre. Ata po vraponin poshtë rrugës pa pasur vend ku të drejtoheshin për mbrojtje. “Ne nuk jemi anëtarë të kësaj kishe, por unë iu luta Perëndisë për ta ditur ku të shkoja”, tha Nuazelia. Ajo pa të tjerët duke shkuar në shtëpinë e mbledhjes dhe shkoi pas tyre. “Kur arrita isha vërtet e lumtur për shkak të sigurisë që ndiej këtu”, kujtoi Nuazelia. “Unë jam mirënjohëse për njerëzit që na kanë pritur këtu dhe për cilindo që po bën këtë punë të madhe.”