Dil nga lundrimi kryesor

Jepni Ndihmë në Këtë Kohë të Veçantë të Vitit

Jepni Ndihmë në Këtë Kohë të Veçantë të Vitit
Johnson-Paul-200x250.jpg

Presidenti Tomas S. Monson tha: “Nuk ka kohë më të mirë sesa tani, pikërisht në këtë periudhë Krishtlindjeje, që të gjithë ne t’ua ripërkushtojmë veten parimeve të dhëna mësim nga Jezusi, Krishti. Kjo është koha që ta duam Zotin, Perëndinë tonë, me të gjithë zemrën tonë dhe që t’i duam të afërmit tanë porsi vetveten.”[i]  Shpëtimtari jetoi një jetë shërbimi ndaj të tjerëve dhe periudha e Krishtlindjes është një kohë e përsosur për t’u shërbyer të tjerëve. 

Presidenti Monson tha gjithashtu: “Vëllezërit dhe motrat e mia, gjetja e gëzimit të vërtetë të kësaj periudhe nuk vjen nga nxitimi dhe shpejtimi për të mbaruar sa më shumë punë apo për të blerë dhurata të detyrueshme. Gëzimi i vërtetë vjen teksa i tregojmë dashurinë dhe dhembshurinë e frymëzuar nga Shpëtimtari i Botës, i cili tha: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre … më të vegjël[ve], këtë ma bëtë mua”.[ii]  Nuk ka kohë më të mirë për të gjetur dikë që ka nevojë për duart dhe zemrat tona shërbestare sesa kjo Krishtlindje.

Nëse i hapim sytë dhe zemrat tona, mund të gjejmë dikë për ta bekuar me dashamirësinë tonë gjatë kësaj periudhe të veçantë.  Ne mund të lutemi për frymëzim rreth atij që duhet të ndihmojmë.  Mund të jetë një refugjat, një fqinj, një anëtar i lagjes apo degës suaj ose një pjesëtar i familjes. 

Ne mund të lutemi edhe për frymëzim rreth mënyrës se si të ndihmojmë më së miri.  Dikujt mund t’i nevojitet një mik dhe ne mund të jemi ai mik.  Mund të ndihmojmë dikë që është i vetmuar dhe ka nevojë për pak nga koha jonë.  Mund të jemi në gjendje ta bekojmë dikë që po ndeshet me sëmundjen apo vdekjen e një njeriu të dashur.  Dikush mund të ketë sfida financiare dhe mund të jemi në gjendje ta ndihmojmë një familje që të gëzojë disa dhurata të thjeshta për Krishtlindje.  Mund të gjejmë dikë që ka sfida fizike ose emocionale dhe do të ngrihej moralisht nga miqësia, dashuria dhe shërbimi. 

Shërbesa që ofrojmë, mund të jetë e thjeshtë dhe mund të mos na duket heroike, por prapëseprapë të ketë një ndikim që zgjat.  Krishtlindja ime e parë larg shtëpisë ishte kur isha misionar në Norvegji.  Kisha qenë në atë vend prej afro dy muajsh atë dhjetor.  Më kishte marrë malli për familjen time dhe traditat tona të Krishtlindjes.  Një familje anëtare ishte mjaftueshëm dashamirëse sa të na drejtohej shokut tim të misionit dhe mua dhe na ftoi ta kalonim vigjiljen e Krishtlindjes me të.  Kjo familje nuk kishte shume para, por ata kishin një numër fëmijësh të bukur e të emocionuar për Krishtlindjen.  Ata qenë mjaftueshëm bujarë sa ta ndanin darkën e tyre të shijshme me ne dhe të na lejonin t’i bashkoheshim kremtimit të tyre të Krishtlindjes.  Ata madje i dhanë secilit prej nesh një dhuratë të thjeshtë Krishtlindjeje.  Dashamirësia që ata treguan mbi 40 vjet më parë, është ende një kujtim i çmuar për mua.

Presidenti Hauard W. Hanter na dha një numër idesh për gjëra që mund t’i bëjmë në kohën e Krishtlindjes.  Vërejeni se sa prej këtyre sugjerimeve përfshijnë bekimin e njerëzve të tjerë:

“Këtë Krishtlindje, shuaje një grindje.  Gjej një mik të harruar.  Flake dyshimin dhe zëvendësoje me mirëbesim.  Shkruaj një letër.  Jep një përgjigje të butë.  Jepu zemër të rinjve.  Shfaqe besnikërinë tënde me fjalë dhe vepra. Mbaj një premtim.  Hiq dorë nga një mëri.  Fal një armik.  Kërko ndjesë.  Përpiqu të kuptosh.  Shqyrtoji kërkesat e tua ndaj të tjerëve.  Mendo së pari për dikë tjetër.  Ji i sjellshëm.  Ji miqësor.  Qesh pak më tepër.  Shprehe mirënjohjen tënde.  Mirëprit një të huaj.  Gëzoje zemrën e një fëmije.  Gjej kënaqësi te bukuria dhe mrekullia e tokës.  Shprehe dashurinë tënde dhe shprehe përsëri atë.”[iii]

Në kohën e Krishtlindjes ne kremtojmë lindjen e Birit të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.  Le t’u japim ndihmë, ashtu siç do të bënte Ai, atyre që kanë nevojë ta ndiejnë dashurinë e Tij në këtë kohë të veçantë të vitit.

 


[i] Thomas S. Monson, First Presidency Christmas Devotional, December 2000 [Tomas S. Monson, Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë 2000]

[ii] Thomas S. Monson, First Presidency Christmas Devotional, December, 2009 [Tomas S. Monson, Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë 2009].

[iii] The Gifts of Christmas, Howard W. Hunter, Ensign, December, 2002, f.18