Dinjiteti i Jetës Njerëzore

2 MARS 2017 - SOLT-LEJK-SITI

Nganjëherë na duket se problemet e jetës janë tepër të mëdha për t’u zgjidhur. Bota është e mbushur me varfëri, uri, luftë dhe shumë më tepër. Sado fort të përpiqemi ose sado para apo teknologji të përdorim, këto sfida vazhdojnë.

Dhe prapëseprapë nuk kemi zgjedhje tjetër përveçse të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje sepse çdo njeri është i çmuar përtej aftësisë për ta kuptuar – një shpirt i përjetshëm.

Nga fillimi i saj në mitër deri në frymën e fundit dhe në çdo fazë të ndërmjetme, çdo jetë njerëzore ka dhuratën e dinjitetit sepse është krijuar në hirin e shëmbëlltyrës së Perëndisë.

Refugjatët në Francë

Kjo qasje ndaj jetës zë fill në tregimin e krijimit në Dhiatën e Vjetër dhe shtrihet deri në vegimin për mijëvjeçarin e një bote pa lot në Dhiatën e Re. Titujt e përditshëm të lajmeve për konflikte e hidhërim na kujtojnë se jemi ende shumë larg asaj bote paqësore. Derisa të vijë ajo ditë, është përgjegjësia e gjithsecilit – veçanërisht e njerëzve besimtarë – që ta ruajnë dhe mbrojnë dinjitetin e çdo njeriu.

Udhëheqësit fetarë, të lashtë dhe bashkëkohorë, e vënë theksin te gjendja e vështirë e të pafuqishmëve. Përkujdesja për të pambrojturit – qoftë ata që nuk kanë lindur ende, të moshuarit, të varfrit, të dhunuarit, të dëbuarit, të sëmurët apo ata me paaftësi – është në qendër të feve më të mëdha botës, përfshirë botëkuptimin judaist e të krishterë. Isaia i Dhiatës së Vjetër i qortoi ata që e “merrni[n] nëpër këmbë popullin” dhe që e “shtypni[n] fytyrën e të varfërve”. [1] Dhe Jezu Krishti i Dhiatës së Re u tha ndjekësve të Tij që t’u jepnin shërbesë të uriturve, të eturve, të humburve, të zhveshurve, të sëmurëve dhe të burgosurve. [2]

Për shkak se ne të gjithë në njëfarë pike hymë në një ose më shumë prej këtyre kategorive, thirrja për t’u shërbyer të dobtëve e të pambrojturve gjen zbatim për këdo.

Të pambrojturit dhe të pandihmët midis nesh përfshijnë foshnjat e palindura. Apostulli mormon Kuentin L. Kuk kohët e fundit tha: “Ne jemi kaq të mpirë dhe të trembur nga përhapja e pafundme e praktikës së abortit saqë shumë prej nesh e kanë nxjerrë nga mendja dhe përpiqemi ta mbajmë jashtë vetëdijes sonë”. Ndonëse abortet në Shtetet e Bashkuara janë ulur vitet e fundit, prapëseprapë pati më shumë se 920000 aborte në vitin 2014. [3] Por, sikurse tha Plaku Kuk, për ata që besojnë se mbajnë përgjegjësi përpara Perëndisë, kjo humbje njerëzore është “një tragjedi me përmasa katastrofike” dhe “një damkë e rëndë në shoqërinë tonë”. [4]

Fillesat tona janë një simbol i mbështetjes sonë gjatë gjithë jetës tek të tjerët për mbijetesë. “Mitra na kujton se ekzistenca jonë nuk është e pavarur”, thotë Rasëll Muri, i Kuvendit Jugor Baptist. “Asnjëri prej nesh nuk është ‘i/e aftë për të jetuar’ veç nga të tjerët dhe nga ekosistemi që ka krijuar Perëndia rreth nesh.” [5] Foshnjat kanë nevojë për prindër’ të moshuarit kanë nevojë për kujdestarë; të sëmurët kanë nevojë për doktorë; refugjatët kanë nevojë për shtëpi; të vetmuarit kanë nevojë për një komunitet. Gjatë gjithë jetës, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin.

Ashtu si shumë besimtarë të tjerë të feve, Plaku Kuk tha se shenjtorët e ditëve të mëvonshme “duhet të jenë në ballë të ndryshimit të zemrave e mendjeve mbi rëndësinë e fëmijëve”. [6] Shkrimi i shenjtë mormon na mëson se qëllimi i Perëndisë është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”. Pavarësisht nga rrethanat e lindjes sonë, ne të gjithë kemi potencial hyjnor. [7]

Por ngaqë shumë besimtarë e kundërshtojnë kaq hapur abortin në publik, disa akuzohen se nuk përkujdesen për nevojtarët në faza të tjera të jetës. Si rrjedhim ne shohim karikaturën ku përkrahësit e mbrojtjes së jetës besojnë se jeta “fillon nga ngjizja dhe mbaron te lindja”.[8]

Sigurisht, të pambrojturit nuk kufizohen vetëm me fëmijët e vegjël. Është po aq e thjeshtë t’i shohim të moshuarit, ata me paaftësi dhe të sëmurët si të pafuqishëm. Prapëseprapë, sikurse thotë Muri: “Jeta është më shumë sesa dobi e perceptuar”. Përkujdesja për ata që duket se janë pa rëndësi “na thotë se jeta nuk është rreth instinktit, ruajtjes së gjeneve dhe dëshirës për pushtet. Ne nuk jemi kafshë.” [9] Të tjerët e meritojnë dashurinë tonë, pavarësisht nga aftësitë e tyre fizike ose mendore, për shkak të dinjitetit të dhënë nga Perëndia që ata zotërojnë si pjesë e familjes njerëzore.

Dhe kemi 65 milionë personat e sotëm të shpërngulur nga vendi i vet – përfshirë refugjatët – një grup i pandihmë i flakur në mes të valëve të konfliktit, përndjekjes dhe paqëndrueshmërisë politike. Edhe gjendja e tyre e vështirë e meriton dashurinë dhe shërbesën tonë. Udhëheqësi mormon, Plaku Patrik Kiëron thotë se shpërngulja e tyre “nuk i karakterizon ata, por reagimi ynë do të na ndihmojë që të na karakterizojë ne”. [10] Refugjatët meritojnë bekimin e një porti të sigurt dhe mundësinë për t’ia dalë mbanë – frytin e atyre që Deklarata Universale për Të Drejtat e Njeriut i quan “të drejta[t] e barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore”. [11] Mund të ketë mosmarrëveshje reale mbi rregulloren, por nuk duhet të ketë debat mbi vlerën dhe dinjitetin e të pambrojturve midis nesh.

Ne mund të mos jemi në gjendje t’i zhdukim të gjitha problemet e botës. Por mund të sjellim një ndryshim në mënyrën tonë vetjake. Ndihma ndaj atyre që nuk mund ta ndihmojnë veten, i nderon rrënjët tona fetare – njëmend, ajo është thelbi i një jete të përkushtuar ndaj Perëndisë. Siç e thotë rabini [mësuesi judaist] Xhonatan Saks: “Ne nuk mund ta duam Perëndinë pa nderuar së pari dinjitetin e përbotshëm të njerëzimit si shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë së gjithësishëm”. [12]

 


[1] Isaia 3:15.

[2] Shih Mateu 25:35–40.

[3] Shih https://www.guttmacher.org/fact-sheet/induced-abortion-united-states#1.

[4] takimi shpirtëror i UBJ-së, 7 shkurt 2017.

[5] Russell Moore, Onward: Engaging the Culture Without Losing the Gospel, f. 120.

[6] takimi shpirtëror i UBJ-së, 7 shkurt 2017.

[7] Moisiu 1:39.

[8] Russell Moore, http://www.russellmoore.com/2015/07/21/why-were-hosting-the-evangelicals-for-life-conference/.

[9] Russell Moore, Onward: Engaging the Culture Without Losing the Gospel, f. 120.

[10] “Strehimi nga Stuhia”, konferenca e përgjithshme e prillit 2016, https://www.lds.org/general-conference/2016/04/refuge-from-the-storm?lang=eng.

[11] Hyrja e Deklaratës Universale për Të Drejtat e Njeriut (përshtatur më 10 dhjetor 1948, përkthyer nga Zyra e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara Për të Drejtat e Njeriut).

[12] Rabbi Jonathan Sacks, Not in God’s Name: Confronting Religious Violence.