Dil nga lundrimi kryesor
Mësoni se Çfarë Besojnë në të Vërtetë Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme për Poligaminë

Poligamia dhe Mormonët: Dikur dhe Tani

mormon-salt-lake-temple-sunset.jpg
Temple Sunset

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (Kisha SHDM), të cilëve iu referohen nganjëherë si mormonë, besojnë se martesa mes një burri dhe një gruaje është standardi i Perëndisë për martesën, me përjashtim të kohëve të veçanta kur Perëndia ka shpallur një standard të ndryshëm (shih Plural Marriage and Families in Early Utah”, lds.org/topics/plural-marriage-and-families-in-early-utah). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, nga mesi i viteve 1800, disa udhëheqës dhe anëtarë të Kishës u urdhëruan nga Perëndia që të hyjnë në ushtrimin e martesës me shumë bashkëshorte, të njohur edhe si poligami, ose martesa e një burri me më shumë se një grua (shih Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, lds.org/topics/plural-marriage-in-kirtland-and-nauvoo). Në vitin 1890, Presidenti i Kishës Uillford Udraf u frymëzua nga Perëndia që të nxirrte një deklaratë e cila çoi në ndërprerjen e ushtrimit të poligamisë nga anëtarët e Kishës (shih Deklarata Zyrtare 1; shih edhe Jed Woodworth, “The Messenger and the Manifesto”, Revelations in Context series, 23 qershor 2015, history.lds.org). Sot Kisha e ndalon rreptësisht poligaminë (shih “Polygamy”, mormonnewsroom.org).

Përse mormonët e hershëm e ushtruan poligaminë?

Mormonët besojnë se Perëndia i urdhëroi shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme që ta ushtronin poligaminë për njëfarë kohe. Ndërkohë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme sot nuk i dinë të gjitha arsyet e urdhrit të Perëndisë, ata vërtet i kuptojnë disa arsye përse Perëndia do ta urdhëronte ushtrimin e poligamisë. Për shembull, Libri i Mormonit jep mësim se burrat duhet të kenë vetëm një bashkëshorte (shih Jakobi [LiM] 2:27–29), përveç nëse Zoti e urdhëron popullin e Tij t’i “rris[ë] farën për veten [e Tij]” (Jakobi [LiM] 2:30). Ushtrimi i martesës me shumë bashkëshorte nga shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme vërtet çoi në një rritje në numrin e fëmijëve që iu lindën anëtarëve të Kishës. Shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme gjithashtu besuan se themelimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përfshinte një rivendosje të parimeve dhe praktikave të lashta, siç u dhanë mësim në Bibël. Nga Bibla është e qartë se shumë figura të spikatura biblike – përfshirë Abrahamin, Isakun, Jakobin, Moisiun dhe Davidin – e ushtruan poligaminë (shih Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, lds.org/topics/plural-marriage-in-kirtland-and-nauvoo).

Si ishte ushtrimi i poligamisë për mormonët e hershëm?

Ushtrimi i poligamisë ishte i vështirë për shumë prej mormonëve të hershëm. Ai solli përndjekje të egër nga njerëzit jashtë Kishës dhe, veçanërisht kur u paraqit së pari, ra në kundërshtim me ndjeshmërinë e shumë prej anëtarëve të Kishës (shih “Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, lds.org/topics/plural-marriage-in-kirtland-and-nauvoo). Ai gjithashtu nganjëherë krijoi dinamika sfiduese familjare dhe i ngarkoi me vështirësi financiare familjet poligame mormone që po përpiqeshin të siguronin minimumin e jetesës në terrenin e ashpër të Perëndimit amerikan (shih Plural Marriage and Families in Early Utah”, lds.org/topics/plural-marriage-and-families-in-early-utah).

Pati nga ata që mbetën anëtarë besnikë të Kishës, por që zgjodhën të mos ta ushtronin martesën me shumë bashkëshorte. Pati gjithashtu anëtarë që nuk e pranuan idenë e poligamisë dhe vendosën të largoheshin nga Kisha (shih “Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, lds.org/topics/plural-marriage-in-kirtland-and-nauvoo). Shkurorëzimi iu mundësohej lehtësisht mormonëve që nuk ishin të lumtur në martesat poligame (shih “Polygamy Then and Now”, mormonnewsroom.org).  Megjithatë, mormonët e hershëm që e ushtruan poligaminë, besonin se po ndiqnin një urdhërim nga Perëndia dhe besonin se do të bekoheshin për bindjen e tyre. Për më tepër, shumë familje poligame ishin të lumtura, të ngrohta dhe të dashura (shih “Plural Marriage and Families in Early Utah”, lds.org/topics/plural-marriage-and-families-in-early-utah).

polygamy-then-and-now-2
Mormonëve sot u ndalohet rreptësisht ta ushtrojnë poligaminë.

A besojnë mormonët te poligamia sot?

Sot, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ndalon ushtrimin e poligamisë. Gordon B. Hinkli (1910–2008), një ish-President i Kishës, e shpjegoi pozicionin e Kishës mbi poligaminë:

“Dëshiroj të deklaroj kategorikisht se kjo Kishë nuk ka të bëjë fare me ata që e ushtrojnë poligaminë. . . .

Nëse ndonjë nga anëtarët tanë kapet duke e ushtruar martesën me shumë bashkëshorte, ai shkishërohet, ndëshkimi më i rëndë që mund të japë Kisha. Ata jo vetëm që janë të përfshirë kështu në shkelje të drejtpërdrejtë të kodit civil, ata janë në shkelje të ligjit të kësaj Kishe. Një nen i besimit tonë është i detyrueshëm për ne. Ai thotë: ‘Ne besojmë në nënshtrimin ndaj mbretërve, presidentëve, sunduesve dhe gjyqtarëve, në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjeve’ (Nenet e Besimit 1:12). Një njeri nuk mund t’i bindet ligjit dhe të mos i bindet ligjit në të njëjtën kohë. . . .

Më shumë se një shekull përpara, Perëndia i zbuloi qartësisht profetit të Tij, Uillford Udraf, se ushtrimi i martesës me shumë bashkëshorte duhet të ndërpritet, që do të thotë se ajo tani është kundër ligjit të Perëndisë. Edhe në vendet ku ligji civil apo fetar e lejon poligaminë, Kisha na mëson se martesa duhet të jetë monogame dhe nuk pranon në anëtarësinë e saj ata që ushtrojnë martesën me shumë bashkëshorte” (“What Are People Asking about Us?” Ensign, nëntor 1998, f. 71-72.)

Çfarë besojnë mormonët për martesën dhe familjen?

Mormonët besojnë se martesa mes një burri dhe një gruaje është një pjesë e rëndësishme e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij. Për të mësuar më shumë se çfarë besojnë mormonët për martesën dhe familjen, vizitoni mormon.org.