Dil nga lundrimi kryesor
Mësoni Atë që Dimë Ne nga Bibla rreth Frymës së Shenjtë

Pesë Vargje të Biblës që na Mësojnë rreth Frymës së Shenjtë

Bible reading
Doktrina mormone jep mësim se ne mund ta ndiejmë ndikimin e Frymës së Shenjtë kur e lexojmë fjalën e Perëndisë.

Ashtu si të krishterë të tjerë, mormonët, ndryshe të njohur si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, besojnë në mësimet e Biblës rreth Perëndisë, Atit, Birit të Tij, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë. Megjithatë, mormonët nuk besojnë se Bibla e jep mësim doktrinën e Trinisë – që Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë një qenie e vetme. Në vend të kësaj, mormonët besojnë që Bibla jep mësim se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë punojnë në unitet të plotë, por janë individë më vete (shih Xhefri R. Holland, “I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 40–42). Mormonët u referohen këtyre individëve kolektivisht si Kreu-Perëndi.

Përveç kësaj, ndërkohë që shumë të krishterë besojnë se Perëndia është vetëm një shpirt, mormonët besojnë se Ati dhe Biri, secili, kanë trupa të përlëvduar dhe se Fryma e Shenjtë është një shpirt. Doktrina mormone, ashtu si dhe Bibla, jep mësim se Fryma e Shenjtë është i vetmi anëtar i Kreut-Perëndi pa një trup. Këtu janë vetëm disa nga mësimet e Biblës rreth Frymës së Shenjtë.

1. Mateu 3:11: Fryma e Shenjtë na shenjtëron

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se ashtu si pagëzimi me anë të ujit është i rëndësishëm që të mund të pastrohemi nga mëkatet tona, kështu është edhe marrja e Frymës së Shenjtë, apo pagëzimi me anë të zjarrit. Mateu 3:11 shënon se Jezu Krishti do t’i pagëzonte ata që u pagëzuan fillimisht me anë të ujit dhe “me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin”. Po ashtu, Bojd K. Paker, një udhëheqës i përgjithshëm i Kishës nga viti 1961 deri në vdekjen e tij në vitin 2015, dha mësim se “ka dy pjesë të pagëzimit – pagëzimi me anë të ujit dhe pagëzimi me anë të zjarrit ose të Frymës së Shenjtë” (“The Gift of the Holy Ghost: What Every Member Should Know”, Liahona, gusht 2006, f. 20).

Marrja e Frymës së Shenjtë krahasohet me të qenit i pagëzuar me anë të zjarrit ngaqë Fryma e Shenjtë ka një ndikim pastrues në jetën tonë. Doktrina mormone jep mësim se ashtu si zjarri e pastron zgjyrën, Fryma e Shenjtë e pastron zemrën tonë derisa ne nuk kemi më dëshirë për të mëkatuar (shih Dejvid A. Bednar, “Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 80–83). Ky ndikim pastrues na ndihmon të bëhemi të denjë për të jetuar me Perëndinë një ditë (shih Parimet e Ungjillit [2009], f. 124–128).

2. Gjoni 3:5: Ne duhet ta marrim Frymën e Shenjtë që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë

Mormonët besojnë atë që jep mësim Bibla rreth rëndësisë së pagëzimit: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Doktrina mormone jep mësim se ne duhet të pagëzohemi që të kthehemi në mbretërinë e Perëndisë pasi të vdesim dhe, që ordinanca e pagëzimit të jetë e plotë, ne duhet të marrim edhe dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ashtu siç tha Profeti Jozef Smith: “Ju do të mund të pagëzonit njëlloj një thes me rërë në vend të një njeriu dhe do të kishte të njëjtën pasojë, nëse nuk do të bëhej nga pikëpamja e heqjes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 99).

Bible

3. Gjoni 14:26: Fryma e Shenjtë mund të na ngushëllojë dhe të na i mësojë të gjitha gjërat

Mormonët besojnë në mësimin e Jezu Krishtit se “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26). Fryma e Shenjtë është një mësues i së vërtetës dhe, nëse jemi të gatshëm t’ia vëmë veshin, Ai mund të na i mësojë të gjitha gjërat. Mormonët besojnë gjithashtu në mësimin e Biblës se Fryma e Shenjtë mund të na ngushëllojë, kur jemi të trishtuar apo të vetmuar, dhe të na kujtojë dashurinë e Perëndisë për ne.

4. Gjoni 15:26: Fryma e Shenjtë dëshmon për Jezu Krishtin

Jezusi dha mësim se “kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua” (Gjoni 15:26). Mormonët besojnë se një prej roleve kryesore të Frymës së Shenjtë është që të dëshmojë për të vërtetën, veçanërisht për Jezu Krishtin dhe hyjnueshmërinë e Tij! Është vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë që ne mund të marrim një dëshmi se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shëlbuesi i botës (shih “Testimony”, Gospel Topics, topics.lds.org).

5. Galatasve 5:22–23: Kur e kemi Frymën e Shenjtë, ne ndiejmë dashuri, gëzim dhe paqe

Fryma e Shenjtë shpesh quhet edhe Shpirti i Shenjtë ose Shpirti i Zotit. Galatasve 5:22–23 jep mësim se “fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia [dhe] vetëkontrolli”. Mormonët besojnë se, kur e kemi Shpirtin e Shenjtë me vete, ne mund t’i përjetojmë të gjitha ndjenjat dhe cilësitë pozitive të renditura më lart, pavarësisht nga vështirësitë që mund të jemi duke hasur në jetën tonë. Fryma e Shenjtë jo vetëm që na fuqizon personalisht, por na fuqizon edhe për t’i lartësuar të tjerët e për t’i ndihmuar ata në sfidat që hasin.

Mësoni më shumë rreth Frymës së Shenjtë

A jeni kureshtar të dini se çfarë tjetër jep mësim doktrina mormone? Për të mësuar më shumë mbi atë që besojnë mormonët se jep mësim Bibla rreth Perëndisë, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë, vizitoni mormon.org.