4 shkurt 2019

    Një Ftesë Vetjake për të Marrë Pjesë në Seminar dhe Institut

    President Nelson
    Presidenti Rasëll M. Nelson

    Të dashur miqtë e mi të rinj, sa shumë ju do Zoti! Dhe sa shumë ju dua unë!

    Këto janë ditë emocionuese. Zoti po e përshpejton punën e Tij pikërisht para syve tanë. Është emocionuese. Është kërkuese. Më shumë kërkohet nga secili prej nesh – më shumë se kurdoherë më parë. Dhe më shumë po jepet.

    Të rinjtë e mi të dashur, kam qenë shumë i kënaqur me njoftimet e përvojave që keni pasur teksa keni ndjekur pesë ftesat e mia. Nëse nuk keni marrë pjesë në takimin shpirtëror ose nuk keni pranuar ftesat e mia, ju nxit ta rishikoni transmetimin. Kujdesuni mjaftueshëm për jetën tuaj dhe për të ardhmen tuaj për ti përmbushur ato pesë ftesa tani.

    Dhe ju të rinj e të reja në moshë madhore, aftësia juaj për të qenë më të zgjuar e më të urtë dhe të keni më shumë ndikim në botë sesa ndonjë brez tjetër varet plotësisht nga niveli i devotshmërisë tuaj ndaj Jezu Krishtit. Sa më shumë ta ndiqni Atë, aq më të suksesshëm do të jeni.

    Sot mesazhi im është për ju që jeni në moshën e seminarit dhe të institutit. Dua të ndaj diçka vetjake, do t’ju rrëfej se më pëlqen të zbuloj se si funksionojnë formulat. Më pëlqen të zbuloj elementet kyç të një situate dhe se si ti kombinoj ato për të garantuar suksesin. Për shembull, kur isha një kirurg i ri zemre, mësova se zemra njerëzore mund të ndalohej përkohësisht duke ndryshuar raportin e natriumit dhe kaliumit në gjakun që ushqen zemrën. Pastaj për ta rinisur zemrën sërish, ne thjesht e rivendosnim raportin e natriumit dhe kaliumit në atë normal. Funksionon çdo herë. Është një nga ato ligje të shumta hyjnore që doktorët mësojnë tu binden.

    Jo të gjitha formulat janë po aq të rëndësishme sa ajo. Do rrëfej edhe diçka tjetër. Kur luaj skrebëll me gruan time në ipad-in tonë, kam zbuluar një formulë që do të japë një “bingo” pothuajse gjithmonë! Vini re që thashë “pothuajse gjithmonë”. Me këtë formulë nuk ka garanci. (Shumicën e rasteve fiton ajo).

    Epo, ja ku është një formulë për jetën tuaj që do të funksionojë çdo herë. Është kjo: Sa më afër që të vini tek Ati juaj Qiellor dhe te Jezu Krishti duke iu bindur urdhërimeve të Tyre dhe duke i mbajtur besëlidhjet që keni bërë me Ata, aq më të lumtur do të jeni. Ndërsa jetoni sipas standardeve që na mësohen në broshurën Për Forcën e Rinisë (të cilat janë udhëzime të mrekullueshme si për rininë ashtu dhe për të rinjtë në moshë madhore), aq më e lehtë do të jetë për ju që ta largoni veten nga modat ekstreme, filozofi të rreme dhe tundimet e pareshtura të botës. Të bërit e këtyre gjërave do ta rrisë aftësinë tuaj për të qenë një ndikim pozitiv mes miqve tuaj, anëtarëve të familjes dhe të tjerëve. Kjo formulë do të funksionojë çdo herë. E thënë thjesht, sa më shumë ta ndiqni shembullin e Jezu Krishtit, aq më të suksesshëm do të jeni.

    Çfarë pra, do t’ju ndihmojë që të bëheni një dishepull kaq i devotshëm i Jezu Krishtit? Një përgjigje është seminari dhe instituti – dhe jo thjesht të jesh i pranishëm, por të marrësh pjesë në mënyrë aktive në orën mësimore dhe ta zbatosh me besnikëri çdo detyrë të dhënë.

    Disa javë më parë, një i ri dhe një e re folën gjatë mbledhjes së sakramentit se si tani ata e dinë se janë të përgjegjshëm për vetë nxënien e tyre të ungjillit. Mesazhet e tyre na shtynë të gjithëve që po dëgjonim, që të dëshironim të përpiqeshim më shumë për vetë studimin tonë të ungjillit, mësimdhënien e ungjillit, nxënien e ungjillit dhe të jetuarin e ungjillit.

    Seminari dhe instituti mund t’ju ndihmojnë juve me të gjitha këto. Me programin e ri mësimor të 2019-ës të përqendruar te shtëpia dhe i mbështetur nga kisha, secili prej jush është përgjegjës për të ndihmuar për t’ia dhënë mësim ungjillin në shtëpinë tuaj atyre me të cilët jetoni.

    Seminari dhe instituti do t’ju ndihmojnë ta rimodeloni shtëpinë tuaj që të jetë një shenjtërore e besimit – një vend ku ungjilli i Jezu Krishtit jepet mësim, mësohet, jetohet dhe është i dashur. Kudo që jetoni, ajo banesë mund të bëhet një vend ku dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit banojnë. Aty ju mund të kërkoni strehim nga stuhitë e jetës dhe ta rritni dashurinë tuaj për Zotin dhe për njëri-tjetrin.

    Të dashur vëllezërit e motrat e mia, “veli q’ësht’ mbi tok’”1 po vazhdon të çahet, dhe një nga dëshirat e thella të zemrës sime është që ju të merrni gjithçka që Zoti është i gatshëm t’ju zbulojë. Seminari dhe instituti do t’ju ndihmojnë.

    Diplomimi nga seminari dhe instituti do ta rrisë aftësinë tuaj për të shkëlqyer në gjërat më të rëndësishme që do të bëni ndonjëherë në jetën tuaj. Lumturia e vërtetë do të jetë e juaja! Dëshmoj kështu, duke shprehur dashurinë time për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.