Dil nga lundrimi kryesor
Perëndia na Udhëheq nëpërmjet Profetëve: Të Lashtë dhe të Sotëm

Ne Mund t’i Ndjekim Profetët e Perëndisë

moses-we-can-follow-gods-prophets
we-can-follow-gods-prophets-3
Në kohët e lashta, Perëndia foli nëpërmjet profetëve.

Çfarë është një profet?

Profetët janë lajmëtarë nga Perëndia për fëmijët e Tij. Ata flasin për Perëndinë dhe e bëjnë të njohur vullnetin e Tij. Bibla shënon shumë shembuj të profetëve – të tillë si Noeu, Jozefi në Egjipt dhe Moisiu – të cilët Perëndia i dërgoi te fëmijët e Tij kohë më parë. Në ditët e lashta, profetët u bënin thirrje njerëzve që të pendoheshin dhe i nxitnin ata që t’i jetonin urdhërimet e Perëndisë. Mësimet profetike nuk ishin gjithmonë të pëlqyera dhe shumë profetë u përndoqën.

Në kohën kur u lind Jezu Krishti, njerëzit e ligj kishin vrarë shumë profetë. Ngaqë këta lajmëtarë të vërtetë të Perëndisë ishin vrarë, shumë udhëheqës fetarë dhanë mësim doktrina të rreme dhe i shtrembëruan urdhërimet e Perëndisë. Kur Jezu Krishti e filloi shërbesën e Tij, Ai e dha mësim sërish doktrinën e kulluar dhe themeloi Kishën e vërtetë të Atit të Tij në tokë. Ai organizoi Dymbëdhjetë Apostujt dhe i dërgoi ata për të dhënë mësim ungjillin e Tij.

Ndërsa Krishti dhe Apostujt e Tij u vranë gradualisht, njerëzit e ligj filluan t’i shtrembëronin mësimet e Krishtit për t’ua përshtatur dëshirave të tyre (shih Mateu 24:24). Kisha e vërtetë e Krishtit u hoq përfundimisht nga toka dhe bota ra në një periudhë errësire dhe gabimi shpirtëror, të njohur si Braktisja e Madhe.

we-can-follow-gods-prophets-2
Ashtu si Perëndia i foli Moisiut dhe profetëve të tjerë të lashtë në Bibël, Ai i foli Jozef Smithit.

A ka profetë sot?

Gjatë Braktisjes së Madhe, Perëndia nuk dërgoi profetë në tokë. Por në vitin 1820, pas shekujsh errësire, Perëndia foli edhe një herë dhe ia zbuloi vullnetin e Tij një djaloshi të quajtur Jozef Smith. Jozefi ishte një djalosh ferme, i përulur, katërmbëdhjetëvjeçar që u lut për të ditur se me cilën nga të gjitha kishat në tokë duhej të bashkohej. Në përgjigje të lutjes së Jozefit, Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij. Ata i thanë të mos i bashkohej asnjë kishe që ishte në atë kohë në tokë, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte Kisha e Tij e vërtetë (shih Joseph Smith – Historia 1:1–20).

Jozef Smithi e ndoqi këshillën që mori nga Perëndia, dhe më vonë u bë profeti nëpërmjet të cilit Perëndia rivendosi Kishën e Tij të vërtetë në tokë: Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ashtu si shumë profetë të dikurshëm, Jozefin e përndoqën dhe e vranë. Anëtarët e Kishës nuk e adhurojnë Jozef Smithin, por e nderojnë për shkak të sakrificës së tij dhe të punës e misionit të tij profetik.

Nëpërmjet Jozef Smithit, fëmijët e Perëndisë janë bekuar në mënyra të panumërta. Perëndia rivendosi fuqinë vulosëse që i lejon familjet të jenë përjetësisht së bashku, priftërinë, organizimin e vërtetë të Kishës së Jezu Krishtit, si dhe shumë të vërteta të kulluara e të thjeshta të ungjillit që kishin humbur gjatë shekujve të braktisjes.

President-press-conference
Perëndia u flet profetëve edhe sot.

Kush është profeti i Perëndisë në tokë?

Që prej Jozef Smithit, një varg i pashkëputur profetësh e ka udhëhequr Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ashtu si dhe profetët e dikurshëm, profetët e sotëm i nxitin njerëzit ta ndjekin Perëndinë dhe t’u binden urdhërimeve të Tij. Ata i nxitin njerëzit të kenë besim në Jezu Krisht, të jetojnë një jetë të pastër moralisht dhe t’u shërbejnë të tjerëve.

Profeti sot shërben edhe si Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai shërben bashkë me katërmbëdhjetë burra të tjerë, të njohur si Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Anëtarët e Kishës i mbështetin këta burra si profetë, shikues dhe zbulues. Profeti dhe anëtarët e tjerë të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve u flasin anëtarëve të Kishës dhe joanëtarëve në mbarë botën, përfshirë dy herë në vit gjatë një mbledhjeje të quajtur konferenca e përgjithshme.

Si mund të mësoj më shumë rreth profetëve?

A jeni kureshtar për mënyrën se si këshillat dhe udhërrëfimi i profetit sot mund ta bekojnë jetën tuaj dhe mund t’ju ndihmojnë të gjeni lumturi? Për të mësuar më shumë rreth Jozef Smithit dhe profetëve të tjerë të sotëm, vizitoni mormon.org.