Dil nga lundrimi kryesor

Ndihma Humanitare dhe Kisha Mormone

Mësoni më Shumë rreth Përpjekjeve për Shërbim të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Mormon.christian.service.jpeg

Kur një njeri e pyeti Jezu Krishtin se cili ishte urdhërimi më i madh, Jezusi dha mësim: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: … ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!’ Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” (Marku 12:29–31). Si të krishterë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (të cilët nganjëherë iu referohen si mormonë), përpiqen fort ta ndjekin urdhërimin e Jezu Krishtit për t’u treguar dashuri fqinjëve tanë anembanë botës. Mormonët besojnë se një prej mënyrave më të mira për t’u treguar dashuri të tjerëve është nëpërmjet shërbimit. Të frymëzuar nga këshilla e shkrimit të shenjtë për t’i dashur të tjerët dhe për t’u shërbyer atyre (shih Jakob [Bibël] 1:27; Alma 34:27–29), mormonët i ndihmojnë vëllezërit dhe motrat e tyre në nevojë në mënyra të ndryshme.

Si u shërben të tjerëve Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është përfshirë në një larmi përpjekjesh për të shërbyer, që prekin dhjetëra mijëra njerëz në mbarë globin çdo vit. Disa organizata brenda Kishës drejtojnë shërbimet dhe përpjekjet e saj për ndihmë, përfshirë LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] dhe Qendra Humanitare e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

·         LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] drejton një larmi programesh humanitare mbarëbotërore që janë “ngritur mbi parimet e përgjegjësisë vetjake, ndihmës së komunitetit, mbështetjes te vetja dhe qëndrueshmërisë” (“What We Do”, ldscharities.org). Një nismë që drejtohet nga LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM], është Benson Food, e cila përqendrohet në ndihmën që “përfituesit ta shtojnë sigurinë e tyre ushqimore nëpërmjet praktikave të qëndrueshme dhe ekonomike”, përfshirë prodhimin e ushqimit në shtëpi, të ushqyerit e përmirësuar dhe ruajtjen e ushqimit. Benson Food funksionon në 12 vende dhe u shërbeu afërsisht 116 000 njerëzve në vitin 2016 (shih “What We Do”, ldscharities.org).

Nisma të tjera që drejtohen nga LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM], përqendrohen tek uji i pastër, reagimi global në raste të ngutshme pas fatkeqësive natyrore, trazira civile ose zia e bukës, vaksinimi, kujdesi për nënën dhe për të porsalindurin, kujdesi për sytë dhe sigurimi i karrigeve me rrota dhe pajisjeve për lëvizje për individët me paaftësi (shih “What We Do”, ldscharities.org). LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] punon gjithashtu me organizata partnere anembanë globit, për ta rritur ndikimin e nismave dhe për t’i plotësuar në mënyrën më të mirë nevojat vendore.

·         Qendra Humanitare e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndodhet në Solt-Lejk-Siti në Jutë të SHBA-së. Në Qendrën Humanitare përgatiten pajisje humanitare për përdorim mbarëbotëror. Në një vit normal, Qendra Humanitare e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dërgon me anije pothuaj 8 milionë pound [afërsisht 4 mijë tonë] me këpucë e veshje, 300 000 komplete higjienike dhe shkollore, si dhe 12 000 jorganë në mbi 50 vende (shih “Latter-day Saint Humanitarian Center”, lds.org/topics). Kur është e mundur, pajisjet humanitare merren afër vendit ku kërkohen. Përveç kësaj, në Qendrën Humanitare, ofrohet një trajnim deri në 18 muaj për mbështetjen te vetja për anëtarët e pambrojtur të komunitetit, përfshirë refugjatë dhe emigrantë, për t’i ndihmuar ata që të përgatiten për të hyrë në fuqinë punëtore. Pasi përfundon trajnimi, qendra i ndihmon stazhierët që të gjejnë punë.

Përveç këtyre përpjekjeve mbarëbotërore dhe projekteve të shumta të vogla të shërbimit të financuara nga bashkësi të veçanta, shumë anëtarë të Kishës u kanë shërbyer gjithashtu të tjerëve nëpërmjet programit Duart Ndihmëtare Mormone. Të dallueshëm lehtësisht nga jelekët e tyre të verdhë, vullnetarët e nismës Duart Ndihmëtare Mormone ofrojnë shërbim ndaj komunitetit dhe ndihmë në raste katastrofash (shih “Helping Hands”, lds.org/topics). Qëllimi i Duarve Ndihmëtare Mormone nuk është që të sigurojnë të mira materiale apo fonde, por të sigurojnë punëtorë për shërbim pa pagesë në kohë nevoje. Mijëra anëtarë të rregullt të Kishës, të cilët kanë shpenzuar kohë duke bërë punë vullnetare për projektet e Duarve Ndihmëtare Mormone, dëshmojnë se mormonët janë të krishterë, të cilët japin ndihmesë në të mirë të komunitetit të tyre.

Mormon.christian.service.jpeg

Çfarë bëjnë misionarët mormonë për t’u shërbyer të tjerëve?

Shumë anëtarë të Kishës japin një shërbim plot dashuri e të krishterë duke shërbyer si misionarë mormonë. Shumë misionarë mormonë shërbejnë rregullisht në misione predikuese, gjatë të cilave ata e kalojnë shumicën e kohës së tyre duke predikuar ungjillin e Jezu Krishtit. Shumë anëtarë të tjerë të Kishës shërbejnë në misione shërbimi në Kishë. Misionet e shërbimit në Kishë shpesh janë një mundësi për të rinjtë që nuk janë në gjendje të shkojnë në misione predikuese për shkak të sfidave fizike, mendore apo emocionale (shih “Preparing to Serve”, lds.org/callings/missionary). Shumë çifte më të moshuara vendosin gjithashtu të shërbejnë misione shërbimi në Kishë. Gjatë misioneve të shërbimit në Kishë, misionarët mormonë mund të shpenzojnë kohë duke ndihmuar grupet e mbështetjes për shërimin nga varësia; duke shërbyer në depon e peshkopit, ku ushqimi është në dispozicion të nevojtarëve, pa pagesë; duke ndihmuar me burimet për punësim; duke ndihmuar në plotësimin e nevojave fizike dhe shpirtërore për njerëzit që jetojnë në pjesë të varfra të qyteteve; dhe duke i ndihmuar të tjerët nëpërmjet kërkimit të historisë familjare apo indeksimit të dokumenteve historike (shih “Explore Opportunities”, lds.org/callings/missionary).

Si mund të mësoj më shumë?

Si të krishterë, mormonët përpiqen fort ta ndjekin urdhërimin e Shpëtimtarit për t’u bërë të tjerëve atë që ata duan që t’u bëhet atyre (shih Mateu 7:12). Ka mënyra të panumërta se si anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përfshirë misionarët mormonë, u shërbejnë njerëzve anembanë botës. Për të mësuar më shumë rreth përpjekjeve të Kishës për të shërbyer, vizitoni mormon.org.