Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

    Ftesa e Shpëtimtarit që të vijmë tek Ai

    jesus-road-emmaus

    Pasi u zhvilluan betejat përfundimtare të Librit të Mormonit dhe Moroni u end i vetëm për shumë vite në vendin e shkretë, ai na tha fjalët e tij të fundit dhe na këshilloi që të vijmë te Krishti. Kur i lexoj fjalët e tij, unë lexoj dëshminë e tij dhe e di se ai vetë e ka pranuar ftesën, dhe se pranimi i asaj ftese e ndihmoi që t’i mposhte sprovat e jetës së tij.

    Jeta ka shumë pasiguri, por një gjë është e sigurt, domethënë, që ne jemi të gjithë të ftuar të vijmë te Krishti pavarësisht se kush jemi dhe pavarësisht nga rrethanat tona. Krahët e Tij janë të shtrira dhe të hapura për secilin prej nesh dhe për gjithsecilin prej fëmijëve të Perëndisë. Ai ka fuqinë të na shërojë dhe të na ndihmojë që ta përmbushim atë që kemi nevojë të përmbushim. 

    Ne mund t’i bëjmë vetes pyetjet vijuese:  Çfarë mund të bëjë Ai për mua në jetën time? Si mund t’i përgjigjem kësaj ftese?

    Himni nr. 69, “Më Shum’ Shenjtëri m’Jep”[i], i përgjigjet pyetjes se çfarë mund të bëjë Krishti për ne në një mënyrë të mrekullueshme dhe i përmbledh të gjitha gjërat e ndryshme me të cilat Krishti është i gatshëm të na ndihmojë nëse thjesht vijmë tek Ai. 

    Më shumë durim, më shumë dëlirësi, më shumë gëzim në shërbim, më shumë butësi në sprova, më shumë qëllim në lutje dhe akoma më shumë dhurata për të dhënë, në qoftë se thjesht do të vijmë tek Ai dhe do t’i mirëbesojmë Atij që mund të na ndihmojë.

    Jeta ofron shumë mundësi dhe ka shumë vendime që duhet të merren. Kam mësuar ta vë Zotin të parin në çfarëdo vendimi që marr. Nuk e kuptoj gjithnjë pasojën e atij vendimi, por marr ndjenjën paqësore që vjen me marrjen e vendimit të drejtë. 

    Citimi i mëposhtëm nga Presidenti Benson më ka ndihmuar në procesin tim të ardhjes te Krishti dhe të kuptoj se duhet ta vendos vullnetin tim në duart e Tij.


    “Kur bindja ndalon së qeni acaruese dhe bëhet gjëja që ne kërkojmë, në atë çast Perëndia do të na dhurojë fuqi.” 


    Teksa arrijmë në përfundimin se na nevojitet ndihma e Tij për t’i mposhtur sfidat tona në këtë jetë, ne do t’i drejtohemi Atij me besim e bindje. Kur të jemi bërë si një fëmijë i vogël, ne do ta shohim fuqinë e Tij në jetën tonë dhe do ta dimë se Ai jeton dhe se pagoi çmimin për ne, që të mund të kthehemi tek Ati Qiellor dhe të kemi jetë të përjetshme, dhuratën më të madhe që njerëzit mund të marrin.

    Një herë, gjatë pushimeve verore, unë dhe bashkëshortja ime planifikuam që të vizitonim kongresin e TRMMB-ve në Republikën Çeke dhe rrugës të vizitonim degën e Gërlicit.  Do të ishte një udhëtim i gjatë, duke u ngritur herët dhe duke udhëtuar për shumë orë në një të diel agjërimi.  Vendosëm të mos e shtynim agjërimin tonë meqenëse kishim nevojë për ndihmën dhe bekimet e Tij në jetën tonë. Sapo kishim blerë një shtëpi tjetër një javë më parë dhe nuk e kishim shitur ende të vjetrën.  Këto çështje të pazgjidhura po më bënin të ndihesha në siklet. Plani ynë ishte që të kishim një shtëpi më të vogël dhe një jetë më të thjeshtë meqenëse fëmijët tanë ishin larguar nga shtëpia. E kishim diskutuar planin tonë shumë herë me Atin Qiellor dhe ndienim se ishte gjëja e duhur për të bërë. 

    Kur u kthyem në shtëpi, lamë një takim që njerëzit ta shikonin shtëpinë tonë. Një çift e bleu shtëpinë tonë. Ata ishin njerëz fetarë të cilët iu lutën gjithashtu Zotit për ndihmë. Më vonë i pyetëm se çfarë i ndihmoi ta merrnin vendimin e tyre. Na thanë se panë fotografi të Krishtit në shtëpinë tonë dhe një citim mbi derë që thotë:  “Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit.”

    Kur i drejtohemi Atij me lutje të përulur dhe duke agjëruar, për ta kërkuar ndihmën e Tij në jetën tonë, ne marrim dëshmi pas dëshmie se Jezusi është Krishti, se Ai jeton dhe se Ai na ka përgatitur udhën për në shtëpi.


    [i] Himni nr. 69, “Më Shum’ Shenjtëri m’Jep”

    2 Ezra Taft Benson, cituar nga Donald L. Staheli në Ensign, May 1998 Conference Report

    Elder Boom
    Plaku Hans T. Bum, I Shtatëdhjetë Zonal