Dil nga lundrimi kryesor
Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

Mbrëmja Familjare

Elder Moreira
Elder Moreira
Plaku Zhoakin J. Moreira, I Shtatëdhjetë Zonal

Për arsye se e dua familjen time, jam përpjekur gjithnjë që të jem në gjendje të vendos një shembull, të shpjegoj, të bind, të dëftoj, të lutem, të agjëroj, të luaj, të korrigjoj dhe të marr korrigjim, si dhe të kryej ordinancat e shpëtimit për familjen time dhe ta ndjek sa më shumë të jetë e mundur shembullin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, sipas mënyrës që Ai u ka shërbyer fëmijëve të Tij.

“Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion ose në ndonjë nga kunjat e tij që organizohen, të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve.”1

“… Duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit tonë, sipas asaj që ai na ka urdhëruar, do të jetë mirë për ju ditën e gjykimit. Amen.”2

Jezu Krishti vendosi një shembull për ne në të gjitha gjërat, në pagëzim, lutje, gjykim, dituri, dhembshuri, falje, përulësi, bindje, mëshirë, mirësi dhe në aftësinë për t’i bindur të tjerët.

family-home-evening

Një nga mjetet që kemi në Kishë për të forcuar, për të bashkuar, për të bërë plane, për të vënë synime, për t’u lutur, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve doktrinore dhe për të kaluar një kohë të gëzueshme, është mbrëmja familjare, ku ne mund ta tregojmë shembullin e Jezu Krishtit.

Siç thuhet te Manuali Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit për Seminaret dhe Institutet: “Ai i deshi ata, u lut për ta dhe vazhdimisht u shërbeu atyre. Ai gjeti mundësi për të qenë me ta dhe për t’u shprehur dashurinë e Tij. Ai i njihte interesat, shpresat e dëshirat e tyre dhe e dinte se çfarë po ndodhte në jetën e tyre.

Ai e dinte se cilët ishin ata dhe cilët mund të bëheshin. Ai zbuloi mënyra të veçanta për t’i ndihmuar ata të mësonin dhe të rriteshin – mënyra të krijuara posaçërisht për ta. Kur ata kishin vështirësi, Ai nuk iu kthye kundër por vazhdoi t’i donte dhe t’u shërbente.

Ai e përgatiti Veten … Ai kërkoi drejtimin e Atit të Tij Qiellor.”3

Nganjëherë sfida më e madhe është dëshira për të bërë një mbrëmje të përkryer familjare. Më kujtohen vështirësitë që kishim ndonjëherë për të bashkërenduar ditën e përshtatshme gjatë javës dhe për të gjetur orarin e duhur në mes të përgjegjësive të fëmijëve në shkollë, por me drejtpeshim dhe urtësi ne gjenim gjithnjë një zgjidhje për sfidat tona.

Më kujtohet që ndër mbrëmjet tona më të mira familjare ishin ato mbrëmje kur i ftonim misionarët që të sillnin kërkuesit e vet në shtëpinë tonë përpara pagëzimit të tyre, në mënyrë që të shihnin se si zhvillohej një mbrëmje familjare në një familje mormone dhe gjithashtu për t’i ndihmuar që t’u mësonim atyre ungjillin. Ato ishin gjithnjë çaste të mbushura me shpirtshmërinë që fëmijët tanë e çmonin shumë.

Siç shpallet në Proklamatën e Familjes: “Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. ‘Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti’ (Psalmi 127:3). Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për t[’i] rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë. Bashkëshortët dhe bashkëshortet, nënat dhe etërit, do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve.”4

Një tjetër shqetësim që kishim gjatë mbrëmjeve tona familjare, ishte që, në familjen tonë, të jepnim mësim mbi mbështetjen te vetja. Ishim gjithnjë të hapur me fëmijët tanë dhe gjithnjë vendosnim bashkërisht se çfarë lloj jete mund të kishim dhe si mund ta arrinim atë.  Një shtysë tjetër familjare ishte që të jepnim mësim mbi rëndësinë e mbiemrit të familjes sonë, për të lënë një trashëgimi familjare dhe, për ta arritur këtë ne merrnim parasysh se “plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit”5.

Gjatë mbrëmjeve familjare ne mësuam rreth planit të shpëtimit, mënyrën si të kishim një këndvështrim të përjetshëm për gjërat, duke kuptuar se “doktrina e vërtetë, kur kuptohet, i ndryshon qëndrimet dhe sjelljen”6. Me qëllimin e duhur ne udhëtonim për në tempull që të kryenim ordinancat për paraardhësit tanë dhe kjo gjithnjë na bënte të ndienim se kishim një lidhje të përjetshme me secilin prej tyre.


1Doktrina e Besëlidhje 68:25

2Mormoni 7:10

3Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. V – Seminaret dhe Institutet e Fesë

4Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës, paragrafi 6

5Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës, paragrafi 3

6Boyd K. Packer, “Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17.