Dil nga lundrimi kryesor
MESAZHI I PRESIDENCËS SË PARË, SHKURT 2018

Gjithmonë Kujtojeni Atë

president-henry-b-eyring
Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë

A mund ta përfytyroni bashkë me mua profetin Moroni duke skalitur fjalët e fundit të Librit të Mormonit në fletët e arta? Ai ishte vetëm. Ai e kishte parë kombin e tij, popullin e tij dhe familjen e tij të binte [në luftë]. Vendi ishte një “rreth i vazhdueshëm” lufte (Mormoni 8:8). Prapëseprapë ai kishte shpresë, sepse e kishte parë kohën tonë! Dhe nga të gjitha gjërat që mund të kishte shkruar, ai na ftoi të kujtonim (shih Moroni 10:3).

Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) e kishte shumë për zemër t’u mësonte të tjerëve se fjala më e rëndësishme në fjalor mund të jetë kujtoni. Për shkak se kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, tha ai, “nevoja më e madhe që kemi është t’i kujtojmë” ato.1

Fjalët kujtoni dhe mbani mend mund t’i gjeni kudo në shkrimet e shenjta. Kur Nefi i qortonte vëllezërit e tij, ai shpesh i ftonte ata t’i kujtonin fjalët e Zotit dhe të kujtonin se si Perëndia i kishte shpëtuar etërit e tyre (shih 1 Nefi 15:11, 2517:40).

Në fjalimin e tij të shkëlqyer të lamtumirës, Mbreti Beniamin e përdori fjalën kujtoni shtatë herë. Ai shpresonte se populli i tij do ta kujtonte “madhështinë e Perëndisë[,] … mirësinë dhe keqardhjen e tij” ndaj tyre (Mosia 4:11; shih edhe 2:414:28, 305:11–12).

Kur Shpëtimtari e vendosi sakramentin, Ai i ftoi dishepujt e vet që t’i merrnin emblemat “në përkujtimin” e sakrificës së Tij (Lluka 22:19). Në çdo lutje sakramenti që dëgjoni ju dhe unë, fjala gjithmonë i paraprin fjalës kujtojnë (shih DeB 20:77, 79).

Mesazhi im është një ftesë, madje një lutje për të kujtuar. Ja tek janë tri sugjerime mbi atë që mund të kujtoni çdo javë kur i merrni emblemat e shenjta të sakramentit. Shpresoj që të jenë të dobishme për ju, siç kanë qenë për mua.

miracles-of-jesus
Shpëtimtari “e përshkoi vendin duke bërë mirë”

Kujtojeni Jezu Krishtin

Së pari, kujtojeni Shpëtimtarin. Kujtoni kush ishte Ai kur qe në tokë, si u foli të tjerëve dhe si tregoi dashamirësi me veprat e Tij. Kujtoni me kë e kaloi Ai kohën dhe ato që dha mësim. Shpëtimtari “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Ai i vizitoi të sëmurët. Ai ishte i zotuar për të bërë vullnetin e Atit të Tij.

Mbi të gjitha, ne mund të kujtojmë çmimin e madh që Ai pagoi, prej dashurisë së Tij për ne, për të hequr njollën e mëkateve tona. Teksa e kujtojmë Atë, dëshira jonë për ta ndjekur Atë do të shtohet. Do të dëshirojmë të jemi pakëz më të sjellshëm, më falës dhe më të gatshëm për ta kërkuar vullnetin e Perëndisë dhe për ta bërë atë.

bread-and-water
Shpëtimtari na dha ordinancën e sakramentit.

Kujtojini Ato që Duhet t’i Bëni më Mirë

Është e vështirë të mendojmë për Shpëtimtarin – për pastërtinë dhe përsosurinë e Tij – pa menduar gjithashtu për faktin se sa me cene dhe të papërsosur jemi në krahasim me Të. Ne kemi bërë besëlidhje për t’iu bindur urdhërimeve të Tij, prapëseprapë vazhdimisht nuk e arrijmë dot këtë standard të lartë. Por Shpëtimtari e dinte që do të ndodhte kjo, dhe kjo është arsyeja përse na dha ordinancën e sakramentit.

Sakramenti i ka rrënjët në praktikën e ofrimit të flijimeve në Dhiatën e Vjetër, e cila përfshinte një rrëfim të mëkatit (shih Levitiku 5:5). Ne nuk flijojmë më kafshë, por ne gjithsesi mund të heqim dorë nga mëkatet tona. Shkrimet e shenjta e quajnë këtë flijimin e “një zem[re] të thyer dhe një shpirt[i] të penduar” (3 Nefi 9:20). Ejani në sakrament me një zemër të penduar (shih DeB 59:12Moroni 6:2). Ndërsa e bëni këtë, do të merrni falje për mëkatet dhe nuk do të largoheni nga shtegu i kthimit drejt Perëndisë.

Sacrament Meeting
Shpenzoni një çast gjatë sakramentit për t’i kërkuar Perëndisë t’ju ndihmojë.

Kujtojeni Përparimin që Po Bëni

Teksa e shqyrtoni jetën tuaj gjatë ordinancës së sakramentit, unë shpresoj që mendimet tuaja të mos përqendrohen vetëm te gjërat që i keni bërë gabim, por edhe te gjërat që i keni bërë drejt – çastet kur e keni ndier se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ishin të kënaqur me ju. Mund të shpenzoni madje edhe një çast gjatë sakramentit për t’i kërkuar Perëndisë t’ju ndihmojë t’i shihni këto gjëra. Nëse e bëni, unë ju premtoj se do të ndieni diçka. Do të ndieni shpresë.

Kur e kam bërë këtë, Shpirti më ka dhënë sigurinë që, ndonëse jam ende larg nga të qenit i përsosur, jam më i mirë sot nga ç’isha dje. Dhe kjo më jep vetëbesimin se, për shkak të Shpëtimtarit, mund të jem akoma më i mirë nesër.

Gjithmonë është një kohë e gjatë dhe nënkupton shumë përpjekje të përqendruar. Ju e dini nga përvoja se sa e vështirë është të mendosh me vetëdije për diçka gjatë gjithë kohës. Por pavarësisht se sa mirë e mbani premtimin tuaj për ta kujtuar gjithmonë Atë, Ai gjithmonë ju kujton ju.

Shpëtimtari i di sfidat tuaja. Ai e di se si është t’i kesh shqetësimet e jetës mbi shpinë. Ai e di se sa ngutshëm ju nevojitet bekimi që vjen kur gjithmonë e kujtoni Atë dhe i bindeni Atij – “që [ju] të mund të ken[i] gjithmonë Shpirtin e tij me [vete]” (DeB 20:77; theksimi i shtuar).

Ndaj, Ai ju mirëpret të ktheheni në tryezën e sakramentit çdo javë, duke ju ofruar përsëri mundësinë për të dëshmuar përpara Tij që gjithmonë do ta kujtoni Atë.


Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Jeta mund të marrë një ritëm të ngjeshur dhe të na e bëjë të vështirë që gjithmonë ta kujtojmë Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin. Sidoqoftë, sakramenti na siguron një kohë të veçantë çdo javë kur mund të reflektojmë për jetën dhe mësimet e Tij. Me ata të cilëve u jepni mësimin e shtëpisë, merreni parasysh mënyrën se si i përdorni ato çaste të qeta tani dhe diskutoni për mënyrën se si mund ta rritni përqendrimin tuaj te Shpëtimtari. Si mund t’i përdorni këto çaste për të reflektuar mbi gjërat të cilat mund t’i përmirësoni te vetja? Ç’vlerë ka ta kujtoni përparimin që bëni çdo javë?


© 2018 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 7/17. Miratuar për përkthim: 7/17. Përkthim i First Presidency Message, February 2018. Albanian. 15046 101