Dil nga lundrimi kryesor
Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Ftesa ndaj Miqve Tanë për Të Përjetuar Bekimet e Ungjillit

family-at-the-beach
Elder Hirst
Plaku Karl D. Hirst, I Shtatëdhjetë Zonal

Na pëlqejnë shumë ato kohë në jetë kur ndihemi të pamposhtur.  Ato janë një kontrast i fortë me kohët e tjera shumë më pak të gëzueshme që të gjithë i përjetojmë.  Pas një përvoje të ëmbël ku ndihem i falur, kur ata që dua bëjnë zgjedhje të mira, kur dëgjoj një bisedë ose mësim të shkëlqyer që i flet zemrës sime drejtpërdrejt – ndihem shkëlqyeshëm!

Ndërsa reflektoja mbi një nga ato kohë së fundmi, në përpjekje për ta shprehur me fjalë përvojën, u gjenda duke e përshkruar atë si ndjenjë që “ndizet” së brendshmi.  U ndjeva më i gjallë, më i lehtë dhe më pozitiv.  E dija se shqetësimet e mia nuk do të largoheshin por mora energji për t’i përballuar ato.  Kam zbuluar një lloj lumturie zemërdhënëse për t’i theksuar edhe përvojat e mia më të zakonshme të jetës, madje në prani të sfidave.

Lidhur me kërkesën për ta shkruar këtë mesazh, m’u kujtuan fjalët e Shpëtimtarit drejtuar nefitëve: “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se unë ju porosis që të jeni drita e këtij populli[1]”.

Dy mendime më erdhën në mendje.  Me të vërtetë gëzimi për ungjillin po “më ndizte përbrenda” si një butësi hyjnore, dhe më pas kisha detyrimin jo vetëm për ta shijuar ngushëllimin që ai më dha, por ta lejoja dritën që të shihej nga njerëzit rreth meje.  Shpëtimtari vijoi: “Një qytet që është i ngritur mbi një kodër, nuk mund të fshihet… [A] ndezin njerëzit një qiri dhe e vënë atë nën një babunë? Jo, por e vënë mbi një shandan, që t’u japë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi; Prandaj, le të shkëlqejë drita juaj para këtyre njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.[2]” 

Unë mund ta kuptoj se lumturia që marr nga Qielli nuk është paracaktuar që të jetë një bekim vetëm për mua, por edhe për të tjerët.  Unë duhet t’i lejoj ata ta shohin lumturinë që më është dhënë dhe gjërat e mira që ajo më jep shtysë t’i bëj.

S’ka dyshim se nuk ka mënyrë më të mirë për ta shpërndarë ungjillin sesa të kemi lumturi të dukshme për të tjerët teksa e jetojmë atë.  Tingëllon si plotësimi i përsosur i “plani[t të] madh të lumturisë[3]” që mënyra se si ne duhet ta shpërndajmë ungjillin më me efektshmëri është duke qenë të lumtur.  Për më tepër, nëse duam të bëjmë pjesën tonë në këtë mbledhje të madhe dhe përfundimtare, nuk jam i sigurt a mund të bëjmë ndonjë gjë më të mirë sesa ta kalojmë kohën tonë duke kërkuar lumturi sipas mënyrës së Zotit. Ajo tingëllon si një lloj pune misionare në të cilën të gjithë ne duhet të përgatitemi për t’u regjistruar.

Nëse gjejmë kohën për t’u kujtuar që jemi të lumtur, se lumturia jonë është një dhuratë nga Perëndia dhe se lumturinë e madhe e gjejmë gjithmonë duke jetuar ashtu siç e planifikoi Ati Qiellor, atëherë ne do të jemi një “popull i fituar[4]” – dhe për arsyet e duhura.

Apostulli Pjetër i shprehu këto mendime në një mënyrë tjetër.  Ai dha sugjerimin e frymëzuar se ne e “shenjtëro[jmë] Zotin Perëndinë në zemrat [tona] dhe [jemi] gjithnjë gati për t’[i]u përgjigjur në mbrojtjen [tonë] kujtdo që [na] kërkon shpjegime për shpresën që është në [ne][5]”.

Lumturia për ungjillin më sjell shpresë gjatë sfidave të mia. Nuk do të ishte diçka e mençur që thjesht të hiqem sikur sfidat e mia nuk ekzistojnë, por unë mund të planifikoj që të përqendrohem në ato raste lumturie që më vijnë në jetë dhe ta shmang përpjekjen e babuneve të telasheve të jetës që t’i fshehin ato

nga fushëpamja ime dhe vështrimi i të tjerëve.  Në vend të kësaj, unë mund të përpiqem dhe ta lejoj dritën e asaj lumturie të ndriçojë atë që shoh unë dhe atë që shohin njerëzit përreth meje.


[1]  3 Nefi 12:14

[2]  3 Nefi 12:14–16

[3]   Alma 42:8

[4]   1 Pjetër 2:9

[5]   1 Pjetër 3:15