Mesazh i Udhëheqjes Zonale

    Ndjekja e Profetit të Gjallë

    MockUp-Original
    ENGBJERG, Torben
    Plaku Torben Engbjerg, Danimarkë I Shtatëdhjetë Zonal

    Pasi u pagëzova në San–Leandro, Kaliforni, në moshën 20-vjeçare, dhe pas dy semestrash në Universitetin “Brigam Jang”, isha ulur në një avion që do të bënte një fluturim transatlantik, në pranverën e vitit 1977 me drejtim për në Kopenhagë. Po shkoja në shtëpi për të kaluar verën dhe për të fituar para për semestrin e radhës në UBJ. Të paktën kështu mendova!

    Gjatë fluturimit të gjatë u përpoqa të flija, që të isha i çlodhur për të takuar familjen time – tashmë si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.  Çlodhja nuk erdhi kurrsesi.  Vazhdoja ta dëgjoja zërin e profetit, në atë kohë Presidenti Kimball, duke thënë: “Çdo i ri i denjë duhet të përmbushë një mision.”1 “Jam tepër i madh”, vazhdova ta bindja veten, “…do të jem 22 vjeç kur të jem në gjendje të shkoj, tre vjet më i madh se shumica e pleqve që shkojnë në misione.” Vazhdova ta dëgjoja Presidentin Kimball, pothuajse sikur të ishte ulur pranë meje. Ai më mbajti zgjuar dhe unë nuk mund ta shpërfillja atë.

    Më në fund, nga frika se nuk do të flija fare, i thashë Atit Qiellor: “Dakord, nëse ti do të frymëzosh dikë që të më kërkojë të shkoj në një mision – atëherë unë do të shkoj.”  Aq ishte, rashë në gjumë dhe fjeta deri sa aeroplani u ul në tokë, duke mos menduar më për atë që i kisha premtuar Zotit apo Presidentit Kimball. 

    Vetëm katër ditë pasi kisha mbërritur në Danimarkën veriore, e gjeta veten duke shkuar në kishë në degën e Alborgut.  Nuk njihja askënd aty.  Menjëherë pas mbledhjes së sakramentit, presidenti i degës, Johanes Vestbo, erdhi drejt e tek unë dhe tha: “Unë nuk të njoh, por i veshur me këmishë të bardhë dhe kostum ti dukesh si një anëtar i Kishës.  A je ti një anëtar?”  Këtë unë mund ta konfirmoja, dhe ai vazhdoi: “A mund të të ftoj në zyrën time që të mund të të njoh më mirë?”  Takimi ynë duhet të ketë zgjatur vetëm dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta.  Madje pas minutave të para ai tha: “Kjo është shumë e çuditshme, edhe pse nuk të njoh, kam ndjesinë më të fortë se Perëndia po më thotë të të pyes ty a do të shkosh në një mision.  A do ta bësh atë?”

    Shpirti i Zotit u shtua dhe lotët filluan të na rridhnin të dyve teksa m’u kujtua dhe ia tregova premtimin tim ndaj Zotit vetëm katër ditë më parë.  E dija se çfarë duhet të bëja – të ndiqja zërin e profetit të gjallë.  Pak pas kësaj, letrat e mia për mision u dorëzuan, dhe në vend që të kthehesha në UBJ, paratë e fituara atë verë shkuan për misionin tim, duke shërbyer në Misionin e Londrës në Angli, që nga nëntori i të njëjtit vit.


    my-goals-card

    Teksa e fillojmë këtë vit të ri dhe vendosim synimet tona vetjake për planin e Zonës për vitin 2019, me në krye “Ta Ndjek Profetin”, e di nga përvoja vetjake, që kjo do të sjellë bekimet më të mëdha në jetë.  Ndjekja e profetit të gjallë në gjithçka që ai na këshillon ta bëjmë, “do të forcojë besimin (tonë) në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.”

    Profeti i gjallë është zëdhënësi i Perëndisë në tokë. “Një profet nuk qëndron ndërmjet jush dhe Shpëtimtarit.  Përkundrazi, ai qëndron përkrah jush dhe ju tregon rrugën drejt Shpëtimtarit.” 2Si thuhet tek 3 Nefi 20:24 “…të gjithë profetët …kanë dëshmuar për (Krishtin)”. Profeti do të na flasë për të vërteta të përjetshme dhe do të na japë këshilla të urta.  “Çdo herë që e kam dëgjuar këshillën e profetëve, (dhe) e kam ndier të pohuar në lutje dhe më pas e kam zbatuar atë, unë kam mësuar se eca drejt sigurisë.” 3 Profeti do të na nxitë që t’i ndjekim urdhërimet, të cilat çojnë drejt lumturisë, paqes dhe jetës së përjetshme.   

    Prej katër dekadash tashmë, unë kam zgjedhur t’i Ndjek Profetët e Gjallë.  Bekime të panumërta më kanë ardhur jo vetëm mua, por gjithë familjes sime, që nga marrja e vendimit për ta ndjekur profetin në 1977-ën.  Jap sfidën për të gjithë ne që të vendosim qëllime vetjake dhe të zotohemi ta ndjekim profetin, përmes së cilave të mund të marrim bekime të panumërta, si në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë. 


    1  Spenser W. Kimball, Mesazhi i Presidencës së Parë, nëntor 1977, “It Becometh Every Man”, paragrafi i tretë

    2  Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, Liahona, maj 2018

    3  Henri B. Ajring, “Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 25