Mesazh i Udhëheqjes Zonale

    Mundësitë Janë të Pafundme

    people-at-church-in-the-hallway
    Elder Dini Ciacci
    Plaku Alesandro Dini Çaçi, Itali, i Shtatëdhjetë Zonal

    Kur njerëzit më pyetën se përse vendosa të shërbeja në një mision kohëplotë pasi u bashkova me Kishën, u përgjigja se kisha gjetur një thesar dhe dëshiroja ta ndaja me të tjerët. Gëzimi që më sjell në jetë ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit, është arsyeja përse nuk druhem kur bëhet fjalë për përhapjen e ungjillit tek të tjerët dhe për t’u bërë ftesë atyre për të marrë pjesë në Kishë me mua.

    Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Kudo që të jeni në këtë tokë, keni mundësi të shumta për ta përhapur lajmin e mirë të ungjillit të Jezu Krishtit me njerëzit që takoni, studioni e jetoni ose punoni dhe shoqëroheni”[1].

    Kohët e fundit, kur gruaja ime, Sara, u caktua për të bërë një bisedë në mbledhjen e sakramentit, vura në dijeni disa nga miqtë e saj dhe sugjerova që Sara pa dyshim do ta vlerësonte faktin që ata do të vinin për ta përkrahur. Njëra nga shoqet e saj erdhi me bashkëshortin dhe dy fëmijët e vet. Një ftesë e thjeshtë bëri të mundur që një miqësi të forcohej dhe që njerëzit që kemi për zemër, të vinin në Kishë me ne.

    Në përgjithësi njerëzit janë çiltërsisht të interesuar për bindjet tona dhe do të donin të dinin më tepër. Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Programi i ri i mbledhjes të së dielës paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për anëtarët që me sukses dhe dashuri t’i ftojnë miqtë dhe të njohurit që të vijnë, shohin dhe ndiejnë një përvojë në Kishë”[2].

    Gjatë viteve, kemi drejtuar shumë ftesa duke u kërkuar miqve dhe të afërmve të bashkohen me ne për Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit, për pagëzimet e fëmijëve tanë, kur këndonim numra të veçantë muzikorë, kur bënim biseda [në mbledhje], kur kishim mbrëmje të veçanta rreth vatrës ose na vizitonin Autoritete të Përgjithshme dhe gjithashtu kemi ftuar shumë njerëz në shtëpinë tonë për Mbrëmje Familjare ose për të ngrënë darkë me ne dhe me misionarët.

    Mundësitë janë të pafundme. Ne mund t’i ftojmë ata që nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e Kishës për njëfarë kohe, ose një të afërm që nuk është anëtar, për të qenë pranë nesh kur marrim një thirrje të re dhe ndoshta, edhe kur veçohemi. Ne mund t’i ftojmë miqtë tanë joanëtarë të bashkohen me ne për mbledhjen e sakramentit ose për Shkollën e së Dielës. Ne mund t’i ftojmë ata nëse jemi duke dhënë mësim në një orë mësimore apo nëse do të japim dëshminë tonë në një mbledhje sakramenti. Ne madje mund t’i ftojmë miqtë tanë të bashkohen me ne për një projekt shërbimi të organizuar nga Kisha ose që të vijnë të japin shërbesë me ne në një spital ose azil. Ne mund t’i ftojmë ata në shtëpinë tonë për drekë pas Kishe.

    Cilado qoftë ftesa, ka më të ngjarë të pranohet nëse lutemi për ata që i ftojmë, nëse kërkojmë frymëzim lidhur me llojin e ftesës që duhet të bëjmë, nëse agjërojmë për ta dhe nëse veprojmë në përputhje me rrethanat. Në pjesën më të madhe të rasteve, megjithatë, ftesa nuk mjafton; mund të na nevojitet të bëjmë plane për ata që kemi ftuar dhe bashkë me ta. Ata mund të duan të dinë se çfarë të presin ose mund të kenë nevojë t’i marrim me makinë.

    Ndonjëherë njerëz të tjerë që duhet t’i ndihmojmë për të marrë pjesë në Kishë, mund të jenë ata që vijnë gjithmonë në Kishë me ne. Kjo mund të nënkuptojë ndihmën ndaj një pjesëtari të familjes duke përgatitur mëngjesin e tij ose të saj, apo duke i hekurosur këmishën ose fustanin për t’i ndihmuar të kursejnë kohë dhe të shkojnë në orar. Mund të nënkuptojë edhe shmangien e komenteve negative rreth mbledhjeve ose njerëzve në mënyrë që ata që po përpiqemi t’i ndihmojmë, të mund të përqendrohen tek anët e mira dhe të gjejnë gëzim nga marrja pjesë në Kishë.

    Ne duhet të ftojmë këdo, madje edhe ata që mendojmë se nuk do të vijnë. Teksa e bëjmë këtë, gjetshim guximin për të ftuar sipas premtimit të Plakut Kuentin L. Kuk: “Nëse tregojmë dashuri, mirësi dhe përulësi, shumë njerëz do ta pranojnë ftesën tonë. Ata që zgjedhin të mos e pranojnë ftesën tonë, ende do të jenë miqtë tanë.”[3]

     


    [1] Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Të Tregoni atë që Është në Zemrën Tuaj”, Liahona, maj 2019.

    [2] Kuentin L. Kuk, “Dashuri të Madhe për Fëmijët e Atit Tonë”, Liahona, maj 2019.

    [3] Po aty.