Dil nga lundrimi kryesor

Ligji i së Dhjetës dhe Mbështetja Jonë Materiale te Vetja

Plaku Francisko J. Ruiz De Mendoza
Plaku Francisko J. Ruiz De Mendoza I Shtatëdhjetë Zonal

Duke marrë parasysh ndërlikimet e botës së sotme, arritja e mbështetjes te vetja shpesh duket si një synim frikësues. Megjithatë, nëse shihet nga këndvështrimi i besimit, ai është një synim i realizueshëm. Manuali i Përgjithshëm i Udhëzimeve e përkufizon mbështetjen te vetja si “aftësia, zotimi dhe përpjekja për të siguruar nevojat shpirtërore dhe fizike të jetës për vete dhe familjen”[1]. Shkrimet e shenjta janë një burim i pasur shembujsh të mënyrës se si fëmijët e Perëndisë mund ta arrijnë mbështetjen te vetja. Merreni parasysh odisenë e grupit të Lehit përmes vendit të shkretë. Lehi i braktisi të gjitha pasuritë e tij për të ndjekur vullnetin e Perëndisë. Sigurisht, ndërkohë që vështirësitë e vendit të shkretë u lehtësuan nga drejtimi prej Perëndisë – në formën e vegimeve, vizitave të engjëjve dhe udhërrëfimit të siguruar nga Liahona – sërish, vendi i shkretë ishte një vend tmerrues dhe udhëtimi i këtyre njerëzve ishte i mbushur me sfida. Një rast veçanërisht shqetësues tregohet në Librin e Mormonit kur Nefi e thyen rastësisht harkun e tij prej çeliku dhe kthehet në kampin e Lehit pa ushqime. Përballë një fatkeqësie të tillë kaq të rëndë, të gjithë pjesëtarët e grupit të Lehit, përfshirë vetë Lehin, fillojnë të mërmëritin kundër Zotit. Është logjike, pa një hark të sigurt, ata nuk do të siguronin ushqime dhe do të mbaronin. Megjithatë, Nefi ngrihet mbi tundimin për të mërmëritur dhe e vendos mirëbesimin e tij te Zoti. Si një shenjë e këtij mirëbesimi, Nefi bën një hark dhe një shigjetë prej druri me burimet e pakta në dispozicion, dhe i kërkon atit të tij të penduar tanimë, si një profet, që ta pyetë Zotin se ku mund të gjejë ushqim. Zbulesa vjen nëpërmjet Liahonës dhe Nefi siguron ushqim të bollshëm.[2]

Nefi i ushtroi me efektshmëri parimet e mbështetjes te vetja. Si mund të bëjmë ne të njëjtën gjë sot? Çfarë mund të bëjmë ne, si vetë shenja jonë ndaj Zotit, [që të tregojmë] se i mirëbesojmë Atij pikërisht ashtu si bëri Nefi? Nga një këndvështrim materializmi, ne mund “t’i bëjmë harkun dhe shigjetën tonë prej druri” duke nisur një program arsimimi ose një sipërmarrje.  Duke e plotësuar broshurën Shtegu Im drejt Mbështetjes te Vetja dhe duke u bashkuar me një grup të Kishës për Mbështetjen te Vetja, ne mund t’i vendosim synimet tona materiale në një këndvështrim më të gjerë shpirtëror. Ne marrim më shumë dritë mbi çështjet materiale kur i shohim ato nga këndvështrimi i besimit. Në këtë kontekst shpirtëror, një shenjë veçanërisht me vend ndaj Zotit për mirëbesimin tonë tek Ai, është që ta jetojmë ligjin e së dhjetës teksa bëjmë më të mirën që mundemi në rolin tonë si sigurues të ardhurash. Shumica e anëtarëve të Kishës janë në dijeni të premtimit të Perëndisë për bekimin me bollëk material për ata që i binden ligjit të së dhjetës, siç është zbuluar me anë të profetit Malakia: “[…] Pastaj më vini në provë për këtë gjë […] në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit […]”[3]. Në një zbulesë bashkëkohore, Zoti e vendos të dhjetën si të nevojshme për të “shenjtër[uar] tokën e Sionit” dhe përfundimisht si të domosdoshme që vetë Sioni të ndërtohet: “[…] Në qoftë se njerëzit e mi nuk e zbatojnë këtë ligj, […] vini re, në të vërtetë unë ju them, ajo nuk do të jetë një tokë e Sionit për ju”[4]. Sioni është vendi i shenjtë ku ata që janë të kulluar në zemër, mblidhen së bashku dhe jetojnë në drejtësi.[5] Ai “nuk mund të ndërtohet, po të mos jetë përmes parimeve të ligjit të mbretërisë çelestiale”[6] dhe është një vend mbrojtjeje dhe strehimi.[7]

Duke përsiatur për këto zbulesa, ne mund të pyetim veten kështu: A dëshiroj të jap ndihmesë për ndërtimin e Sionit? A mundet që të jetuarit e ligjit të së dhjetës të jetë një shenjë ndaj Zotit se unë i mirëbesoj Atij? A e kuptoj se ai është një ligj çelestial i cili, së bashku me të tjerë, do të më ndihmojë të kualifikohem për gëzimin e jetës së përjetshme? Të jetuarit e ligjit të së dhjetës na ka sjellë mua dhe familjes sime bekime të panumërta. Është lutja ime që të gjithë ne, shenjtorët e Zotit, ta bëjmë të dhjetën shtyllën kryesore në kërkimin tonë për mbështetje materiale dhe – përfundimisht shpirtërore – te vetja.



[1] Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 6.1.1.

[2] 1 Nefi 16:18–32

[3] Malakia 3:10–12

[4] DeB 119:5–6

[5] DeB 101:16–22

[6] DeB 105:5

[7] DeB 115:6