Konferenca e Përgjithshme ndalet te parimet e krishtera të përqendruara te shtëpia.

    President Nelson
    Presidwnt Nelson

    Për më shumë se 16 milionë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në mbarë botën, Konferenca e Përgjithshme ishte një kohë për të ripohuar zotimin e tyre ndaj mësimeve të Krishtit – e theksuar në bisedat nga Presidenti Rasëll M. Nelson, udhëheqësi botëror i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve, dhe folës të tjerë.  Anëtarët e Kishës anembanë Europës iu bashkuan sesioneve të Konferencës në shtëpi nëpërmjet internetit dhe në shtëpitë e mbledhjeve.

    Presidenti Nelson nënvizoi rëndësinë e përdorimit të emrit të duhur të Kishës dhe ndjekjes së parimeve si të Krishtit.  Duke folur në sesionin e paradites të së dielës, ai tha: “Për shumicën e botës, Kisha e Zotit fshihet në kohën e tanishme pas emrit ‘Kisha Mormone’.  Por ne, si anëtarë të Kishës së Zotit, e dimë se kush qëndron në krye të saj: Jezu Krishti vetë.”

    “Nëse ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit, Ai, Kisha e të cilit është kjo, do të derdhë fuqinë dhe bekimet e Tij mbi kokat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në mënyra të cilat ne nuk i kemi parë kurrë”, tha Presidenti Nelson. “Ne do të kemi njohurinë dhe fuqinë e Perëndisë që të na ndihmojnë për t’i çuar bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit te çdo komb, fis, gjuhë e popull dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.”

    Me frymën e udhërrëfimit të Presidentit Nelson, Kori Mormon i Tabernakullit, i financuar nga Kisha dhe me famë botërore, po e ndryshon emrin në ‘Kori i Tabernakullit në Sheshin e Tempullit’.  Presidenti i korit, Ron Xherreti, tha: “Ne kemi qenë përherë njerëz largpamës dhe jemi përqendruar në atë që nuk po ndryshon: talentet muzikore me nivel botëror, aranzhimet dhe programimi frymëzues dhe transmetimi ynë i përjavshëm ‘Muzika dhe një Mesazh’, që vazhdojnë një traditë e cila filloi 90 vite më parë”.

    Kisha gjithashtu ka njoftuar një baraspeshë të re mes udhëzimit për ungjillin në shtëpi dhe atij në Kishë, duke përfshirë një program të ndryshuar për të dielën brenda shtëpive të mbledhjeve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, me adhurim dhe orë mësimore gjatë një periudhe dyorëshe.  Kjo është pjesë e një përpjekjeje për t’i forcuar familjet dhe individët nëpërmjet një plani të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha për ta mësuar doktrinën, forcuar besimin dhe nxitur adhurim vetjak më të madh.

    Dymbëdhjetë tempuj të rinj u përmendën – që do të ndërtohen në Mendoza, Argjentinë; Salvador, Brazil; Juba‑Siti, Kaliforni, SHBA; Pnom‑Pen, Komboxhia; Praia, Kepi i Gjelbër; Zhigo, Guam; Puebla, Meksikë; Okland, Zelandë e Re; Lagos, Nigeri; Davao, Filipine; San‑Huan, Porto‑Riko dhe Konteja Uashington, Jutë, SHBA. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i konsiderojnë tempujt si ‘Shtëpia e Zotit’, vendet më të shenjta në tokë.  Ata janë mjaft të ndryshëm nga mijëra godina kishtare ose shtëpi të rregullta mbledhjesh në të gjithë botën që përdoren për shërbimet e së dielës. 

    General Women Session

    Në sesionin mbarëbotëror të grave, Motra Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e organizatës së fëmijëve të Kishës (Fillorja), i nxiti gratë që të përqendroheshin më seriozisht te pyetja “përse” për të gjithë shërbimin që ato bëjnë për familjen, miqtë, komunitetin dhe Kishën.  “Kur përqendrohemi te gjithçka që ka bërë Perëndia për ne, shërbimi ynë buron nga një zemër mirënjohëse”, dha mësim ajo. “Ndërsa shqetësohemi më pak rreth lartësimit që do të marrim nga shërbimi ynë, ne e kuptojmë se në vend të kësaj qendra e shërbimit tonë do të jetë që ta vëmë Perëndinë të parin.”  Ajo shtoi: “Ne mund të bëjmë që çdo pikë në listën tonë të detyrave që duhen kryer, të bëhet një mënyrë për ta përlëvduar Atë. … Kur shërbimi ndaj Perëndisë tonë bëhet përparësia jonë kryesore në jetë, ne e humbasim veten dhe, [në kohën e duhur], ne e gjejmë veten.”

    Gjatë fjalës së tij përmbyllëse, Presidenti Rasëll M. Nelson i nxiti anëtarët e Kishës që të “ushqehen me bollëk me fjalën e Zotit dhe t’i v[ënë] në zbatim mësimet e Tij në jetën [e tyre] vetjake”. Ai tha: “Ju siguroj se zbulesa vazhdon në Kishë dhe do të vazhdojë. … Ju bekoj me besim të shtuar tek Ai dhe puna e Tij e shenjtë, me besim dhe këmbëngulje për t’i duruar sfidat tuaja vetjake në jetë.”

    Misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme erdhën për herë të parë në Europë në vitin 1837.  Tani ka mbi gjysmë milioni anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në kontinentin europian në më shumë se 40 vende dhe territore.