Dil nga lundrimi kryesor

Konferenca e përgjithshme një kohë zbulese

conference-center

Dhjetëra mijëra anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nëpër Europë po përgatiten për Konferencën e Përgjithshme gjysmëvjetore të 188-të që do të mbahet më 6 dhe 7 tetor 2018.

Kjo konferencë është një mundësi që anëtarët e Kishës të marrin udhërrëfim, të mësojnë më shumë për Jezu Krishtin dhe të bëhen së bashku si një trupë prej gjysmë milioni anëtarësh në Europë dhe prej mbi 16 milionësh në mbarë botën. Konferenca përbëhet nga pesë sesione: katër sesione të përgjithshme dhe një sesion për anëtaret e Kishës. Njerëz nga e gjithë bota udhëtojnë për të marrë pjesë në Konferencën e Përgjithshme në Solt‑Lejk‑Siti në Jutë të SHBA‑së. Secili sesion gjithashtu përkthehet dhe transmetohet në mbi 80 gjuhë në mbarë botën.

Anëtarët e Kishës në të gjithë globin mezi e presin konferencën e përgjithshme si një kohë për të reflektuar mbi vetë jetën e tyre dhe mbi mënyrën se si mund t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me Perëndinë, familjen dhe komunitetin e tyre. Shumë njerëz e shohin konferencën si një kohë për të marrë përgjigje nga Perëndia dhe për ta kuptuar më plotësisht mënyrën se si Ai do që të jetojnë ata. Kur po përgatitej për konferencën, Adrian Rohas Rodrigez nga Spanja, shpjegoi: “Unë shkruaj pyetje mbi gjërat e tanishme që po ndodhin në jetën time, të cilat e di se do të marrin përgjigje në konferencën që po vjen. Është mënyra se si ta di atë që Ati Qiellor pret nga unë për jetën time.”

Për familjen Faifer në Gjermani, konferenca është një mundësi e veçantë, “që të dëgjojë profetët dhe të përfshihet”. Gjatë javëve dhe muajve pas konferencës, pjesëtarët e familjes Faifer, së bashku me bashkësinë e tyre, i studiojnë fjalët e thëna gjatë konferencës në mbledhjet e veta të së dielës. Kjo i ndihmon ata t’i mbajnë mend mësimet që u dhanë dhe udhërrëfimin që morën. Konferenca e përgjithshme gjysmëvjetore mbarëbotërore është një kohë e veçantë për besimtarët nëpër të gjitha kombet, përfshirë Europën. Mësimet e dhëna dhe zbulesa vetjake e marrë ndihmojnë për t’i dhënë formë jetës së tyre në muajt dhe vitet që vijnë.

Programi i Konferencës së Përgjithshme për Tetorin 2018:

  • Sesioni i përgjithshëm i grave për gratë dhe vajzat e moshave tetë vjeç e lart do të mbahet të shtunën më 6 tetor, në orën 18:00 sipas orës në zonën e shtatë orare.
  • Sesionet e përgjithshme për të gjithë anëtarësinë do të mbahen të shtunën dhe të dielën, më 6 dhe 7 tetor, në orët 10:00 dhe 14:00 sipas orës në zonën e shtatë orare.

Konferenca do të transmetohet në internet në lds.org dhe mormon.al ku anëtarët dhe miqtë e Kishës ftohen ta shohin dhe të marrin pjesë.