Dëshmia Ime për Librin e Mormonit

    Fu-Family_Baptism

    Bashkëshortja ime, Mei, dhe unë jemi anëtarë fare të rinj të Kishës. Jemi ende shumë të kufizuar në njohurinë tonë për shumë gjëra. Në fakt, sapo kemi filluar ta lexojmë Librin e Mormonit.

    Kur po lexonim 1 Nefin, vumë re se fjala “besim” shfaqej shumë herë. Sipas Nefit, babai i tij, Lehi, u largua nga Jerusalemi dhe shkoi në vendin e shkretë. Mori me vete bashkëshorten dhe katër bijtë e tij: Lamanin, Lemuelin, Samin dhe Nefin. Ishte një vendim i vështirë, meqë u larguan nga toka dhe gjithë pronat e tyre. Lehi e bërë këtë sepse kishte besim të fortë te Zoti. Lamani dhe Lemueli mërmëritën kundër të atit, sepse u mungonte besimi te Zoti. Në të kundërt, vëllai më i vogël, Nefi, ishte i bindur dhe lutej me besim.

    Për shkak të besimit, Nefi u udhërrëfye nga Shpirti, që të ishte në gjendje ta vriste Labanin me urdhrin e Zotit dhe t’i shtinte në dorë fletët prej tunxhi. Për shkak të besimit, Nefi u çlirua mrekullisht pasi vëllezërit e lidhën me litarë. Për shkak të besimit, Nefi ndërtoi një anije sipas mënyrës që i tregoi Zoti. Për shkak të besimit, lutja e Nefit e ndaloi stuhinë, që të mund ta udhëhiqte popullin e tij nëpër ujëra dhe të mbërrinte në tokën e premtuar.

    E di se besimi në Zot është çelësi i gjithçkaje dhe ai sigurisht që i ka sjellë ndryshime pozitive familjes sonë që nga çasti kur vendosëm të ushtronim besim. Ne u pagëzuam më 23 dhjetor të vitit të kaluar. Disa nga miqtë tanë na pyetën: “Si mund ta merrni kaq shpejt një vendim të tillë?” Do t’ju them të vërtetën, ishte për shkak të besimit. Më kujtohet se një misionar më tha që besimi është si një farë. Miqtë tanë në Kishë na ndihmuan ta mbillnim atë farë ditën e parë që erdhëm, dhe ajo farë është rritur çdo ditë.

    Më kujtohet ende hera e parë kur shkelëm në një shtëpi mbledhjesh të kësaj Kishe. Na la shumë mbresa. Ndërtesa ishte aq e përulur dhe njerëzit aq të sjellshëm. Gjatë mbledhjes së sakramentit, dëgjuam shumë këngë të bukura dhe fjalime prekëse. Pas mbledhjes, shumë vëllezër e motra erdhën për të na dhënë përshëndetje të ngrohta e për të na ndihmuar në shumë mënyra. Për shembull, na treguan se ku zhvillohej Fillorja për fëmijët tanë dhe më pas na udhëhoqën për tek ora jonë mësimore që të na bënin të ndiheshim si në shtëpi. Dashamirësia dhe drejtësia e tyre na bëri të binim në dashuri me këtë Kishë në çast! Filluam të ndërtonim besimin në Zot që nga ai çast, sepse e besuam që dashamirësia dhe drejtësia e tyre vinte prej Tij. Ne donim të ishim njësoj si ata. Donim gjithashtu që Zoti të na donte e të na bekonte. Çdo anëtar i lagjes sonë na ka dhënë një shembull të mirë dhe na ka ndihmuar ta ndërtojmë besimin.

    Më kujtohet ende se si një misionar më dërgoi një mesazh dikur. Më këshilloi ta lexoj përditë Librin e Mormonit. Ai më tha që edhe 5 minuta do të më ndihmonin. Që prej asaj dite, e kemi lexuar atë libër, ndoshta jo çdo ditë, por ai po vepron që tani duke na e forcuar besimin. 

    Për shkak të besimit, ne hoqëm dorë nga pirja e kafesë dhe e çajit jeshil, që ishin pijet tona të parapëlqyera për shumë vite. Për shkak të besimit, po përpiqemi ta mbajmë çdo herë nën kontroll temperamentin tonë. Sa herë që fëmijët tanë bëjnë prapësira, bashkëshortja ime dhe unë e ndihmojmë njëri-tjetrin për të qenë më të duruar, sepse mendojmë se kjo është ajo që Zoti dëshiron që të bëjmë. Zoti e di se kemi potencialin për të qenë prindër të mirë, prandaj na i ka dhënë dy dhuratat tona të çmuara – bijtë tanë. Për shkak të besimit, djali ynë më i madh, Viktori, tani bën lutjen tonë të mbrëmjes çdo natë përpara se të shkojmë në shtrat. Atij i pëlqen kaq shumë ta bëjë lutjen dhe ndonjëherë na kujton të lutemi nëse kemi harruar. Për shkak të besimit, ne vazhdojmë të vijmë në Kishë çdo të diel. Sa herë që mbledhjet tona përfundojnë, mund të ndiejmë përmirësime të vogla në familjen tonë.  

    Edhe bashkëshortja ime, edhe unë, vijmë nga familje jobesimtare. Pa Librin e Mormonit, nuk do ta dinim kurrë që Perëndia ka një plan kaq të bukur për secilin prej nesh. Nëse pendohemi, të gjitha mëkatet tona do të hiqen dhe do të kemi mundësi të jetojmë me Të një ditë. Pa Librin e Mormonit, nuk do ta mposhtnim kurrë frikën tonë nga vdekja.  Pa Librin e Mormonit, nuk do ta dinim kurrë që familja jonë mund të vuloset së bashku për përjetësinë. Nuk jemi ndier kurrë më të sigurt e më të lumtur. Mund ta shoh vërtet dritën përpara nesh. Ajo është shpresa për të gjithë ne.

    Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe e kemi gjetur shtëpinë tonë. E dimë se kemi bërë zgjedhjen e duhur për familjen tonë. Jam këtu për të dëshmuar se Libri i Mormonit është i vërtetë.