Mesazh i Udhëheqjes Zonale

    Besimi Ynë në Zotin Jezu Krisht

    jesus-christ-doubting-thomas-
    CZIESLA, Michael
    Plaku Mikael Çiezla Autoritet i Zonës

    Besimi në Zotin Jezu Krisht dhe një lidhje vetjake me Të ka rëndësi qendrore në jetën tonë. Te Neni i katërt i Besimit ne lexojmë se “besimi në Zotin Jezu Krisht” është një nga parimet bazë të ungjillit.[i]  Ne shpesh e përmendim në formën e shkurtër “besim” këtë parim bazë. Në të vërtetë, besimi nuk qëndron këtu në veçim, por drejtohet te Jezu Krishti dhe dëshmia jonë vetjake se Ai është për secilin nga ne Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Besimi në Krisht na jep gëzim, shpresë dhe mirëbesim si dhe “forcën për të na mbështetur në çdo ngjarje të rëndësishme në jetën tonë”[ii]. Megjithatë, ndonjëherë edhe besimi i dishepullit më të fortë të Zotit vihet në provë. Nuk duhet të habitemi nga kjo, por duhet ta marrim si nxitje.

    Ne të gjithë e dimë ndodhinë me Apostullin Thoma. Dishepujt, të cilëve Zoti iu shfaq pas ringjalljes së Tij, i thanë Thomait: “Kemi parë Zotin”. Thomai, i cili nuk ishte i pranishëm, iu përgjigj: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhd[ë]ve, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj”. Tetë ditë më vonë, Zoti iu shfaq përsëri Apostujve dhe i tha Thomait, i cili këtë herë ishte i pranishëm: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues”. Thomai u trondit dhe mundi të thoshte vetëm: “Zoti im dhe Perëndia im” – pas së cilës Jezusi tha fjalët e mirënjohura: “Sepse më ke parë, … , ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” [iii]

    Kur e dëgjojmë këtë histori, ne ndoshta vrasim mendjen për Thomain dhe arsyen përse u hamendësua që besimi i tij ishte “i vogël”. Ai ishte një Apostull dhe e kishte shoqëruar Krishtin, kishte parë shumë mrekulli dhe me siguri kishte një dëshmi të fortë për mësimet e Zotit. Por ajo që përjetoi Thomai, nuk është aq larg sfidave me të cilat ndeshet secili prej nesh në një botë në të cilën, gjithnjë e më shumë, gjithçka po vihet në pikëpyetje.

    Ashtu si një anëtar i ri në moshë që u rrit në Kishë, i cili përvetësoi parimet e ungjillit që nga fëmijëria dhe i ndoqi ato, por megjithatë, në një çast, arriti në pikën ku nuk ishte më i sigurt për vetë dëshminë e tij. Përvojat e tij në ungjill u bazuan – ndoshta në mënyrë të ngjashme si Thomai – kryesisht në një kuptueshmëri intelektuale për mësimet dhe parimet apo traditat të cilat kishte arritur t’i donte dhe jo në një përvojë të qëndrueshme të zemrës. Kur ai më pas ngeci tek temat e mësimdhënies ose historisë që nuk mund t’i kuptonte menjëherë, kjo e tronditi besimin e tij. Anëtari i ri në moshë më pyeti në një intervistë vetjake, i turbulluar, se si ai mund të zhvillonte besim të vërtetë në Krisht. Dëshiroj t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për ju siç iu përgjigja për këtë anëtar të ri në moshë. Ka një model këtu që Zoti e zbuloi në shkrimet e shenjta nëpërmjet profetëve të Tij.[iv] Ky model mund të gjejë zbatim për secilin prej nesh: si për atë që dyshon ose kërkon, ashtu edhe për atë që vihet në provë ose që thjesht dëshiron ta ushqejë besimin e tij në Zotin Jezu Krisht në një mënyrë që zgjat.

    enos-praying

    Modeli gjendet, për shembull, te historia e mrekullueshme e kthimit të Enosit në besim. Çfarë hapash ndërmori Enosi: 1) Enosi i dëgjoi të vërtetat e ungjillit nga ati i tij, u përpoq t’i kuptonte dhe e lejoi atë që i ati ia kishte thënë, të depërtonte “thellë në zemrën [e tij]”[i]. 2) Enosi iu bind urdhrave të Perëndisë, të cilat e vunë në një pozitë për të qenë i hapur ndaj Frymës së Shenjtë. 3) “Shpirti [i Enosit] ishte i uritur”[ii]. Ai ishte i mbushur me dëshirën për të zbuluar vetë a ishte e vërtetë ajo që kishte mësuar. 4) Enosi shkoi te burimi i gjithë të vërtetës: “Unë u gjunjëzova para Krijuesit tim dhe iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë për shpirtin tim; dhe gjithë ditën unë iu përgjërova atij; po, dhe kur ra nata, unë e ngrita akoma zërin tim lart, saqë ai arriti qiejt”[iii] . Nuk ishte e lehtë për Enosin. Enosi e përshkruan përvojën e tij si një “përleshje . . . para Perëndisë”[iv]. Por përpjekja ia vlejti – pohimi vetjak erdhi në zemrën e tij.

    Secili nga ne duhet të kalojë përmes kësaj beteje shpirtërore në shtegun e dishepullimit për besim të vërtetë në Zotin Jezu Krisht – për fat të keq, nuk ka rrugë të shkurtër. Për shumë prej nesh, ky shteg lidhet ngushtë me krizat ose sfidat e rënda vetjake. Të tjerët kanë përvoja shpirtërore të veçanta në tempull, në mbledhjen e sakramentit, në lutje ose në studimin e shkrimeve të shenjta – por çdonjëri prej nesh duhet t’i kërkojë aktivisht këto përvoja vetjake. E gjitha kjo kërkon kohë, ndonjëherë lidhet me një periudhë të gjatë etjeje dhe nga ana shpirtërore është e vështirë – “Por, në qoftë se ju do ta ushqeni fjalën, po, do ta ushqeni pemën si të fillojë të rritet, me besimin tuaj, me zell të madh dhe me durim, duke pritur frutin e saj, do të lëshojë rrënjë; dhe vini re, do të jetë një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme”[v].

    Besimi i vërtetë në Zotin Jezu Krisht kërkon “zell dhe durim” të vazhdueshëm, një “zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”[vi] dhe vetë përleshjen tonë shpirtërore para Perëndisë. Por unë mund t’ju dëshmoj me plot dashuri se është shpërblyese të ecësh në këtë shteg. Gëzimi dhe siguria që pasojnë, janë të mrekullueshme dhe gjithëpërfshirëse. “Ne fitojmë siguri jo nëpërmjet pasurive të pashtershme por nëpërmjet besimit të pashtershëm.”[vii] Nëse pyetim plot me besim për të ditur se Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë, do të vijë një përgjigje absolutisht vetjake, “që është shumë [e] çmuesh[me], që është më [e] ëmbël mbi çdo gjë që është e ëmbël dhe që është më [e] bardhë nga çdo gjë që është e bardhë, po, dhe [e] kulluar mbi çdo gjë që është e kulluar; dhe ju do të ushqeheni me bollëk me këtë frut[ë], madje derisa të ngopeni, që të mos keni uri, as të mos keni etje”[viii]. “Këto përvoja vetjake të zemrës janë burimi i patundur i besimit të qëndrueshëm në Zotin Jezu Krisht.”[ix]


    [1]  Nenet e Besimit 1:4

    [2] Dallin H. Oaks, Konferencë e Përgjithshme, pranverë 1994; krahaso edhe Moroni 7:33

    [3] Gjoni 20:25–29

    [4] krahaso p.sh. Romakëve 10:14–17, 3 Nefi 18:20, Moroni 10:3–5; 2 Nefi 31:20; shih edhe Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 93

    [5] Enosi 1:3

    [6] Enosi 1:4

    [7] Po aty

    [8] Enosi 1:2

    [9] Alma 32:41

    [10] 2 Nefi 2:7

    [11] Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball, f. 72–73

    [12] Alma 32:42

    [13] krahaso Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”