Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

    Bekimet e Tempujve në Jetën Time

    elder-wondra
    Plaku Helmut D. Uondra I Shtatëdhjetë Zonal

    Dashuria ime për tempullin zë fill që në fëmijërinë time, kur e njihja vetëm nga fotografitë dhe tregimet. Sa herë që prindërit e mi ktheheshin pasi kishin vizituar Tempullin e Bernës në Zvicër, gjithmonë dukeshin më të lumtur dhe më me dritë se më parë – dhe përherë sillnin me vete çokollata të shijshme zvicerane. Në këtë mënyrë kisha filluar tashmë të fitoja një lidhje tepër pozitive me Shtëpinë e Zotit në një moshë shumë të re.

    Në moshën 13 vjeçare, pata mundësinë ta shihja dhe të hyja në tempull për herë të parë. Edhe thjesht duke e parë nga jashtë, u mallëngjeva nga shenjtëria dhe pastërtia e tempullit. Brenda tempullit, u ndjeva më pranë Qiellit. Këto ndjenja janë bërë gjithnjë e më të thella dhe më të qarta me kalimin e viteve.

    Sipër dyerve të Tempullit është shkruar: Shenjtëri Zotit. Shtëpia e Zotit.

    Zoti Jezu Krisht është njëmend Zoti i Tempullit. Këto shtëpi të shenjta janë të përkushtuara për Të dhe për Atin Tonë Qiellor. Tempujt janë të shenjtëruar nga prania e Frymës së Shenjtë. Krishti është burimi i fuqisë dhe i dritës që buron nga tempulli. Të gjitha simbolet dhe besëlidhjet, të gjitha ordinancat e Tempullit tregojnë për Të dhe Shlyerjen e Tij të madhe, dhe na ndihmojnë që të bëhemi më shumë si Ai.

    Jeta jonë e përditshme shpesh karakterizohet nga zhurma dhe trazirat. Të largohesh prej saj herë pas here, të vish në Shtëpinë e Zotit dhe të jesh i hapur ndaj një mjedisi paqeje dhe shenjtërie, të sjell paqe në shpirt.

    Në këtë mjedis të kulluar është më e lehtë për ne që të gjejmë përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet tona më të thella. Në mesazhin e tij të parë si President i Kishës, Presidenti Nelson premtoi sa vijon:

    Ordinancat e tempullit dhe besëlidhjet që bëni atje janë thelbësore për ta forcuar jetën tuaj, martesën dhe familjen tuaj dhe aftësinë tuaj për t’u bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.i

    Përmbushja e premtimeve të mëdha të tempullit varet se sa besnikërisht i mbajmë besëlidhjet e tempullit dhe se sa e përkushtojmë në të vërtetë veten ndaj Zotit dhe punës së Tij.

    Ne nuk duhet të jemi të përsosur që të shkojmë në tempull dhe të marrim bekimet e mrekullueshme që na presin atje. Por duhet të përpiqemi për denjësinë e nevojshme dhe për të sjellë sakrificën e një zemre të thyer dhe një shpirti të penduar.ii Për mua, kjo do të thotë se duhet të zhvilloj një zemër të farkëtueshme dhe të butë – një zemër që përputhet me Atin tim në Qiell. Një shpirt i penduar për mua do të thotë që të përvetësoj një qëndrim të ndershëm, që jam i ndërgjegjshëm për papërsosuritë e mia dhe se kam nevojë për ndihmën e Zotit për t’u kthyer tek Ati im në Qiell.

    Zoti ka premtuar:

    Të bekuar janë ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, pasi ata do të mbushen me Frymën e Shenjtëiii.

    Bekimi më i madh që përjetova në Shtëpinë e Zotit ishte se qeshë në gjendje të hidhja themelin për një familje të përjetshme, së bashku me bashkëshorten time të dashur. Për shkak të besëlidhjeve të tempullit dhe autoritetit vulosës që ushtrohet atje, ne kemi premtimin se martesa jonë do të zgjatë për kohën e për gjithë përjetësinë, nëse qëndrojmë besnikë ndaj besëlidhjeve. Ne kemi premtimin, se së bashku me njerëzit tanë të dashur, mund të jetojmë përgjithmonë në praninë e Jezu Krishtit dhe Atit tonë Qiellor.

    Për përmbushjen e këtij premtimi ia vlen çdo sakrificë.

    Qofshim një popull që vjen në tempull sa më shpesh të jetë e mundur, për t’u shenjtëruar dhe pastruar, për të marrë zbulesë dhe fuqi nga lart, për t’u shërbyer paraardhësve tanë dhe nëpërmjet besëlidhjeve të ungjillit dhe hirit të Krishtit të marrim të gjitha bekimet që Ati Qiellor ka në plan për ne.


    i Një Mesazh nga Presidenca e Parë, 16 janar 2018

    ii2 Shih 3 Nefi 9:20

    iii3 3 Nefi 12:6