Ajo që Dha Mësim Jezu Krishti rreth Pendimit

    Mormons-believe-in-jesus-christ-1200x675.jpg

    Mormonët, apo anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, janë të krishterë dhe besojnë atë që dha mësim Jezusi në Bibël rreth pendimit. Vazhdojeni leximin për të mësuar më shumë rreth arsyes përse mormonët besojnë që pendimi është i rëndësishëm për të gjithë ne.

    Çfarë na mëson Dhiata e Re rreth pendimit?

    Kur Jezu Krishti ishte në tokë, Ai tregoi një shëmbëlltyrë rreth pendimit. Në shëmbëlltyrë, një farise, një udhëheqës fetar i vetëkënaqur dhe një tagrambedhës, një mbledhës i përçmuar taksash, që të dy, u lutën në tempull. Fariseu mendoi se nuk kishte nevojë të pendohej. Ai tha: “O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam” (Lluka 18:11–12). Nga ana tjetër, tragrambledhësi, u lut me përulësi: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit” (Lluka 18:13). Jezusi dha mësim se tagrambledhësi i penduar, dhe jo fariseu, do të shfajësohej. Jezusi dha mësim se “kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet” (Lluka 18:14).

    Kjo shëmbëlltyrë i përshkruan shumë bukur mësimet e Shpëtimtarit në Dhiatën e Re rreth pendimit. Shoqëria ku jetoi Jezusi e maste drejtësinë me anë të bindjes ndaj ligjit të Moisiut, një kod fetar që përqendrohej te rregullat e jashtme (shih Larry Y. Wilson, “The Savior’s Message of Repentance”, Ensign, shkurt 2016, f. 48). Por, kur erdhi Jezu Krishti, Ai dha mësim një ligj më të lartë që i nxjerr në pah shtysat tona dhe dëshirat e zemrës sonë. Jezusi dha mësim se pendimi ka të bëjë më shumë me ndryshimin e zemrës sonë sesa me atë që është e dukshme nga jashtë. Ai dha mësim se të gjithë ne duhet të ndryshojmë dhe të rritemi – të gjithë ne duhet të pendohemi – që të pranohemi përpara Perëndisë.

    Çfarë besojnë mormonët rreth pendimit?

    Si të krishterë, mormonët besojnë se pendimi është po aq i rëndësishëm sot saç ishte kur Jezu Krishti jetoi në tokë. Plaku Lerri Y. Uillson, një udhëheqës mormon, dha mësim: “Ne duhet të përpiqemi vazhdimisht për ndryshimin e brendshëm që vjen kur pranojmë se edhe ne – të gjithë ne – jemi mëkatarë. Ndërsa e bëjmë këtë, përulësia hyn në zemrat e mendjet tona mjaftueshëm sa të mundësojë pendimin e mëtejshëm” (“The Savior’s Message of Repentance”, f. 50).

    Mormonët besojnë se, që të pendohemi dhe të ndryshojmë me të vërtetë, ne duhet që herë pas here të bëjmë një vlerësim se ku mund të përmirësohemi. Plaku Uillson sugjeroi që herë pas here ta pyetim veten: “A jam i paduruar, negativ, frikacak, kritik, i përqendruar te vetja, kontrollues, mendjelehtë, plot epsh, cinik apo përtac?” (“The Savior’s Message of Repentance”, f. 51). Vlerësimi i vetë dobësive tona në këtë mënyrë mund të duket frikësuese ose e vështirë. Por nuk duhet të kemi frikë – mendimi se mund të ndryshojmë është në thelb plot shpresë.

    Dhe mormonët besojnë se nuk na duhet t’i mposhtim të vetëm të metat tona. Në të vërtetë, si të krishterë, mormonët besojnë se ndryshimi dhe rritja e përhershme nuk janë të mundura pa ndihmën e Jezu Krishtit. Mormonët besojnë në premtimin e Krishtit, të shënuar në Dhiatën e Re, se “hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (shih 2 Korintasve 12:7–10; shih edhe Ethëri 12:27).

    A besojnë mormonët te ferri?

    Si Bibla ashtu edhe Libri i Mormonit japin mësim se ata që nuk pendohen, do t’i vuajnë dhembjet e ferrit: “Po, ata janë kapur me vdekje dhe ferr; … dhe të gjithë ata që janë kapur prej tyre, duhet të qëndrojnë para fronit të Perëndisë dhe të gjykohen sipas veprave të tyre, prej nga ku ata duhet të shkojnë në vendin e përgatitur për ta, madje një liqen i zjarrit dhe i squfurit, që është mundim i pafund” (2 Nefi 28:23; shih edhe Mateu 10:28).

    Mormonët besojnë se termi ferr mund t’iu referohet dy vendeve të ndryshme: së pari, një vendi të përkohshëm pritjeje ku shpirtrat e atyre që “vde[sin] në mëkatet e tyre”, shkojnë për të mësuar më shumë rreth Jezu Krishtit dhe presin Ringjalljen (shih DeB 138:32); dhe së dyti, një vendi të quajtur errësirë e jashtme, vendbanimi i Satanit dhe i engjëjve të tij (shih Të Vërtetë ndaj Besimit [2005], f. 54). Mormonët besojnë se shumë pak individë janë mjaftueshëm të ligj sa të dënohen për në errësirën e jashtme.

    Si të krishterë, mormonët gëzohen në Shëlbuesin tonë, Jezu Krishtin, i cili nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, i mposhti edhe vdekjen, edhe ferrin. Mormonët shprehin falënderime që Jezu Krishti ka bërë të mundur që të gjithë ne të ndryshojmë, të rritemi dhe të kthehemi tek Ati ynë në Qiell, nëse pendohemi. Për të mësuar më shumë rreth Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, vizitoni mormon.org.