Dil nga lundrimi kryesor
Ajo Çfarë na Mëson Bibla rreth Kreut-Perëndi: Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë

Mësoni Atë që Dimë Ne rreth Perëndisë, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë

jesus-christ-son-of-god.jpg
Doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme na mëson se Jezu Krishti erdhi në tokë si Biri i vërtetë i Perëndisë dhe e ndoqi vullnetin e Atit në të gjitha gjërat.

Ashtu si pjesa më e madhe e botës së krishterë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme (të njohur edhe si mormonë) besojnë te Perëndia, Ati, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë. Por ndryshe nga disa të krishterë që besojnë tek Trinia, mormonët besojnë se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë secili një person më vete. Të dy, si Ati ashtu edhe Biri, kanë trupa të përlëvduar prej mishi dhe kocke dhe Fryma e Shenjtë ka vetëm një trup shpirtëror, por të tre anëtarët e Kreut-Perëndi janë përsosurisht të bashkuar në qëllimin e Tyre dhe në dashurinë e Tyre për ne (shih Xhefri R. Holland, “I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 40–42).

Doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme rreth Perëndisë, Atit

Mormonët besojnë se çdo burrë, grua dhe fëmijë në tokë është një fëmijë shpirtëror i Perëndisë, Atit tonë të përsosur e të dashur Qiellor. Perëndia do që secili prej fëmijëve të Tij të jetë i lumtur dhe punon për mirëqenien e përjetshme të fëmijëve të Tij (shih Moisiu 1:39). Doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme na mëson se ne të gjithë jetuam me Perëndinë si shpirtra përpara se të lindeshim, dhe dëshironim të bëheshim si Ai. Perëndia krijoi një plan lumturie që do t’u lejonte të gjithë fëmijëve të Tij të lindeshin në tokë për të fituar përvojë, të shëlboheshin me anë të besimit në Jezu Krisht, të vdisnin, të ringjalleshin dhe të ktheheshin për të jetuar me Perëndinë sërish. Plani i Perëndisë u përqendrua te Shlyerja e Jezu Krishtit dhe tek aftësia e individëve për të zgjedhur nëse ata vetë do ta ndiqnin planin. Perëndia, Ati, nuk flet shpesh në shkrimin e shenjtë, por kur Ai flet, e bën që të dëshmojë për Birin e Tij, Jezu Krishtin (shih Mateu 3:17). Kur arrijmë ta njohim Jezu Krishtin, ne arrijmë ta njohim edhe Atin (shih Gjoni 14:9–10).

Doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme rreth Jezu Krishtit

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Jezu Krishti u zgjodh për t’u bërë Shpëtimtari ynë shumë kohë përpara se ne të lindeshim. Megjithëse ishte Krijuesi i plotfuqishëm i botës dhe Jehovai i Dhiatës së Vjetër, Jezu Krishti prapëseprapë u lind në rrethanat më të përulura (shih Lluka 2). Virgjëresha Mari ishte nëna e Tij e vdekshme dhe Perëndia ishte ati i Tij i vërtetë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë gjithashtu se, si personi i vetëm i përkryer që jetoi ndonjëherë mbi tokë, Jezu Krishti ishte Ai që mund të shlyente për mëkatet dhe të metat e të gjithë njerëzimit. Ai vuajti pa masë në kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, që të paguante për mëkatet tona dhe të dinte se si të na ngushëllonte në pikëllimet tona (shih Lluka 22:41–44). Ai e bëri gjithmonë vullnetin e Atit të Tij. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i besojnë mësimet e Biblës se Jezu Krishti u ringjall me të vërtetë në një qenie të lavdishme e të përsosur dhe se një ditë Ai do të kthehet për të mbretëruar me fuqi e lavdi të madhe në tokë (shih Parimet e Ungjillit [2009], f. 268–273).

Doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme rreth Frymës së Shenjtë

Fryma e Shenjtë ose Shpirti i Shenjtë, është i vetmi anëtar i Kreut-Perëndi pa një trup fizik. Trupi i tij shpirtëror i lejon Atij që t’ua përçojë dashurinë, paqen dhe gëzimin e Perëndisë fëmijëve të Perëndisë kudo që janë. Ashtu siç na mëson Bibla: “Fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli” (Galatasve 5:22–23). Doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme jep mësim se Fryma e Shenjtë mund të na ngushëllojë, të na mësojë dhe të na ndihmojë të zgjedhim midis së drejtës dhe së gabuarës. Fryma e Shenjtë do të japë gjithnjë dëshmi për Atin dhe Birin. Çdokush mund ta ndiejë Frymën e Shenjtë, por vetëm ata që janë pagëzuar e konfirmuar, kanë të drejtën që ta kenë Shpirtin e Shenjtë gjithnjë me vete.

Mësoni më shumë

Dëshironi të dini më shumë rreth Perëndisë, Atit, Jezu Krishtit, Frymës së Shenjtë dhe dashurisë së Tyre për ju? Për të zbuluar më shumë rreth planit të Perëndisë për ju dhe jetën tuaj, vizitoni mormon.org