Udhëheqësi Mormon Jep Nëntë Pikëpamje Rreth Krishtit nga Dhiata e Re


Transmetim i fjalimit drejtuar 48,500 mësuesve të Kishës në mbarë botën

Të premten, një udhëheqës i madh mormon i ftoi mësuesit e Kishës nga mbarë bota që t’i shikonin në një mënyrë të re simbolet e njohura në Dhiatën e Re të bukës dhe peshkut.

Plaku Gerit W. Gong, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve (një grup që vjen menjëherë pas Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve) në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, dha pikëpamje nga tregimet biblike për ushqyerjen nëpërmjet mrekullisë me bukë e peshq të mijëra ndjekësve të uritur nga Jezu Krishti. (Shih, për shembull, Marku 6:34–44.)

Fjalimi i Plakut Gong u mbajt në takimin shpirtëror vjetor “Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm” të Sistemit Arsimor të Kishës (SAK-ut) në Sheshin e Tempullit. Dëgjuesit dhe shikuesit nga e gjithë bota përfshinë 2780 punonjës të Seminareve dhe Instituteve nga 129 vende – më shumë se 1,000 prej tyre jashtë SH.B.A-së. Shikues të tjerë gjithashtu ishin 45700 mësues dhe misionarë vullnetarë në 133 vende – afërsisht 34500 prej tyre jashtë Shteteve të Bashkuara. Ky grup vullnetarësh jep ndihmesë me mbi 20 milionë orë shërbimi arsimor çdo vit. Plaku Gong dha nëntë vrojtime nga studimi i tij i ushqyerjes mrekullibërëse nga Krishti – me qëllim për t’i ndihmuar mësuesit që t’i ndihmojnë studentët ta kuptojnë më mirë se ç’do të thotë të ndjekësh Krishtin.

1. Krishti ka dhembshuri. Jezusi i njeh “zemrat dhe rrethanat tona”, thotë Plaku Gong. “Ai është i mbushur me dhembshuri për shpresat dhe lëndimet tona, dëshirat dhe nevojat tona.”

2. Krishti e fillon nga atje ku ne jemi. Ashtu si Krishti e filloi ushqyerjen mrekullibërëse nga ajo që njerëzit kishin (të tillë si pesë bukë dhe dy peshq), “ne fillojmë nga ajo që kemi, me atë që ne jemi tani. Më pas, ai mund të na lartësojë dhe t’i shumëfishojë përpjekjet tona.”

3. Krishti i bën gjërat në një mënyrë të rregullt. Në vend që të futej mes rrëmujës së “një turm[e] të madhe që shtyn dhe rrëmben diçka [që dëshiron]”, Krishti i vuri njerëzit të uleshin në grupe të organizuara “me një qëllim të përbashkët më të lartë”, thotë Plaku Gong

4. Krishti është mirënjohës. Lluka 9:16 thotë se Krishti i mori bukët dhe peshqit dhe “pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau”.

5. Krishti i ushqen dishepujt e Tij dhe më pas i vë ata të ushqejnë turmat. Plaku Gong e quan këtë modelin e “[dhënies] mësim mësuesve në mënyrë që ata t’u japin mësim studentëve”.

6. Krishti ushqen 5000 veta dhe secilin një e nga një në të njëjtën kohë. “Kjo është një mrekulli që ne si mësues kërkojmë – t’u japim mësim të gjithë klasës sonë dhe çdo personi në klasë”, thotë Plaku Gong. “Ajo fton trajtimin e shqetësimeve të përgjithshme dhe nevojave individuale.”

7. Krishti sigurohet që asgjë të mos humbasë. Qoftë nëse subjekti është shpirt apo diçka materiale, Plaku Gong thotë: “Ekonomia e qiellit nuk çon dëm [asgjë]. Gjithçka merret në fillim, asgjë në fund nuk lihet që të humbasë.”

8. Krishti na ndihmon të përfundojmë me më shumë nga sa e filluam. Me Krishtin, “ne përfundojmë me më shumë dashuri, më shumë nxënie, më shumë frymëzim, më shumë mirësi”, thotë Plaku Gong.

9. Krishti jep mësim për “bollëkun e sakramentit”. Kjo pikë flet për lartësimin shpirtëror që kërkojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme gjatë shërbimit të tyre javor të adhurimit (të quajtur “mbledhja e sakramentit”), e cila përfshin një shpërndarje të bukës dhe ujit, të ngjashme me sakramentin e katolikëve që simbolizon trupin dhe gjakun e Krishtit.