Si ta Përmirësojmë Mbështetjen te Vetja nga Ana Shpirtërore


I Shtatëdhjetë Zonal

Si e vlerësojmë ne rëndësinë e mbështetjes te vetja nga ana shpirtërore dhe materiale? 

Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Le të jemi të mbështetur te vetja dhe të pavarur. … Shpëtimi nuk mund të sigurohet me asnjë parim tjetër.”

Atëherë, si mund ta përmirësojmë mbështetjen tonë te vetja nga ana shpirtërore? Apostulli Pal e përkufizoi atë gjendje që duhet të arrijë njeriu për të qenë me të vërtetë i mbështetur te vetja shpirtërisht.  Është gjendja në të cilën një njeri e ka fituar të drejtën për ta pasur të jetuarin e ungjillit të shkruar “jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi”[1]

Një Histori Mbresëlënëse

Herë pas here, një anëtar shfaq një përparim vërtet mbresëlënës drejt mbështetjes shpirtërore te vetja. Poli është njëri prej tyre. 

Ai ishte më i vogli nga pesë fëmijët, i rritur në një shtëpi dhe rajon ku pija, drogat, keqtrajtimi, dhuna dhe burgosja ishin pjesë normale të jetës që çonin në varfëri dhe mundime familjare.  Ajo varfëri bënte shpesh që Polit t’i kërkohej të vidhte ushqim për familjen.  Në vegjëli atë e morën në një qendër përkujdesjeje dhe e keqtrajtuan në mënyrë të dhunshme.

Më poshtë janë hapat e përparimit dhe arritjet e tij në pak më shumë se një vit:

Libri i Mormonit u bë dashuria e jetës së tij.  Shpirti i Shenjtë e mahniti duke u bërë shoqëruesi i tij i përhershëm. U thirr që të ishte misionar i lagjes dhe pati sukses në pagëzime dhe aktivizime.  Ai identifikoi (me ndihmë) dhe pagëzoi në mënyrë mëkëmbëse 65 pjesëtarë nga linja e drejtpërdrejtë e familjes.  Iu dha një makinë nga një vëlla që e dalloi përkushtimin e tij të madh për punën e Zotit.  Poli tani është njëmend i mbështetur te vetja.  Ai mori Priftërinë Melkizedeke dhe u thirr të shërbente si ndërmjetës për programin e kunjit për shërimin nga varësitë.  Punoi në qendrën e përkujdesjes për të pastrehët e qytetit.  Ai organizoi dhe zhvilloi mbrëmje verore për anëtarët e rinj, kërkuesit dhe anëtarët më pak aktivë që po ktheheshin [në aktivitet].  Iu caktua të fliste në Konferencën e Kunjit; mori dhurimin [indaumentin] në tempull.  E përmbushi ëndrrën e tij për të shkuar në Konferencën e Përgjithshme me misionarin që e gjeti dhe e pagëzoi.  Sytë iu mbushën me lot teksa Presidenti Monson hyri në sallë.

Paraqitja nga Presidenca e Parë e kursit të shërbimeve të mbështetjes te vetja “Themeli Im”, na nxit që t’i studiojmë dhe zbatojmë me zell parimet e mbështetjes te vetja dhe premton se, ndërsa e bëni këtë, jeta juaj do të bekohet.

Ne e arrijmë mbështetjen te vetja nga ana shpirtërore teksa ndjekim udhërrëfimin e Presidencës së Parë dhe ushtrojmë me zell përkushtim të thjeshtë në jetën tonë të përditshme vetjake dhe familjare.

1 T’i Mbajmë Urdhërimet e Perëndisë.[2]    

2 T’i hetojmë shkrimet e shenjta (veçanërisht Librin e Mormonit) dhe të mësojmë të … “shko[jmë] përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit”[3].  

3 Të lutemi me zemër: “Kur ju të mos i përgjëroheni Zotit, le të jenë zemrat tuaja plot, të hapura në lutje tek ai vazhdimisht” [4].

Mësimet e Brigam Jangut janë fuqimisht në harmoni me mësimet e Presidencës së Parë për shtegun thelbësor të arritjes së mbështetjes te vetja nga ana shpirtërore.

Brigam Jangu ka thënë: “Ne … i marrim të gjitha ligjet, rregullat, ordinancat dhe rregulloren të përmbajtura në shkrimet e shenjta dhe i ushtrojmë ato sa më shumë të jetë e mundur, dhe pastaj vazhdojmë të mësojmë e të përmirësohemi derisa të mund të jetojmë sipas çdo fjale që del nga goja e Perëndisë”[5].

“Njerëzit nuk mund t’i marrin ligjet në plotësinë e tyre të përsosur; por mund të marrin pak këtu e pak atje, pak sot e pak nesër dhe pak më shumë javën vijuese. … Nëse dëshirojmë të veprojmë sipas plotësisë së dijes që Zoti përcakton t’ua zbulojë pak e nga pak banorëve të tokës, ne duhet të përmirësohemi sipas çdo njohurie të pakët teksa ajo zbulohet.”[6]

Mesazhi i tij pohon se “rritja jonë vetjake në ungjill vjen pak e nga pak dhe rresht pas rreshti teksa i jetojmë parimet që mësojmë”[7], në emrin e Jezu Krishtit, amen.

 

[1] 2 Korintasve 3:3

[2] Mateu 22:35–40

[3] 2 Nefi 31:20

[4] Alma 34:27

[5] DBY 3

[6] DBY 4

[7] Teachings of the President of the Church; Brigham Young (1997) f. 21–27