Dil nga lundrimi kryesor

Si Mund ta Përdorim Lutjen për të Komunikuar me Perëndinë

boy-praying-to-god.jpg

Çfarë jep mësim feja mormone rreth lutjes?

Mormonët, të njohur edhe si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, besojnë se lutja është një komunikim midis nesh dhe Perëndisë, Atit tonë Qiellor. Ati Qiellor dëshiron që ne t’i lutemi Atij çdo ditë, si individualisht ashtu edhe me familjet tona. Mormonët besojnë se Perëndia dëshiron që ne t’i “lutemi Atij dhe askujt tjetër” (“Prayer”, Gospel Topics, topics.lds.org). Feja mormone jep mësim që, ashtu siç thotë edhe Bibla, kur Jezu Krishti ishte në tokë, Ai shpjegoi se ne duhet t’i lutemi Atit Qiellor në emrin e Jezusit (shih Gjoni 16:23). Për momonët, lutja është si një urdhërim nga Perëndia ashtu edhe një mundësi për të komunikuar personalisht me Të.

Si duhet të lutem?

Për të treguar respektin dhe dashurinë tonë për Perëndinë, kur lutemi, ne gjunjëzohemi, e ulim kokën dhe i mbyllim sytë. Mormonët besojnë se, kur lutemi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se jemi duke folur me Atin tonë në Qiell dhe se duhet të përdorim një të folur të dashur e të respektueshme.

Feja mormone jep mësim se ka fuqi tek të luturit me zë të lartë dhe shkrimet e shenjta na nxitin që të lutemi shpesh veçmas, që të mund t’ia shprehim ndjenjat tona të vërteta Perëndisë (shih Mateu 6:6–7; Alma 34:17–27). Gjithsesi, ne mund t’i lutemi Perëndisë kurdoherë dhe kudo. Bindjet mormone përfshijnë mësimin që edhe një mendim mund të jetë një lutje, nëse i drejtohet Perëndisë (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutja”, scriptures.lds.org).

Mormonët besojnë se, kur lutemi, ne duhet të shprehim mirënjohjen tonë ndaj Atit Qiellor për bekimet tona të shumta. Ashtu siç vërejti një udhëheqës mormon: “Lutjet më kuptimplote dhe shpirtërore që kam përjetuar unë, përmbanin shprehje të shumta falënderimesh dhe pak kërkesa, nëse kishte të tilla” (Dejvid A. Bednar, “Lutuni Kurdoherë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 42–43). Bindjet mormone përfshijnë mësimdhënien se gjithçka që kemi vjen nga Perëndia dhe që, edhe gjatë sfidave tona më të vështira, ne ende mund ta falënderojmë Atë për bekimet tona.

Feja mormone jep mësim se Ati Qiellor dëshiron që, kur lutemi, t’i kërkojmë Atij gjëra që na nevojiten. Jezu Krishti dha mësim: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket” (Mateu 7:7–8). Mormonët besojnë se, kur lutemi, ne mund t’i kërkojmë Atit Qiellor të na ndihmojë për nevojat tona fizike, emocionale dhe shpirtërore, si dhe çfarëdo nevoje tjetër që mund të kemi. Mormonët besojnë gjithashtu se, si Ati ynë i dashur, Perëndia dëshiron që të na ndihmojë dhe do të na japë çdo bekim që është i përshtatshëm për ne. Megjithatë, kur i kërkojmë bekime Atit Qiellor, ne duhet të lutemi që të bëhet vullneti i Tij dhe të bëjmë çdo gjë që është në fuqinë tonë, që të jemi të denjë për t’i marrë bekimet që kërkojmë.

Çfarë bekimesh vijnë nga lutja?

Mormonët besojnë se lutja sjell bekime të shumta. Feja mormone jep mësim se, kur lutemi, ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë për ne. Ne ndiejmë mirënjohje ndërsa përsiatim mbi bekimet e shumta që janë tashmë në jetën tonë. Ne ndiejmë një ndjesi më të madhe të lumturisë e paqes ndërsa përpiqemi ta përputhim vullnetin tonë me vullnetin e Perëndisë për jetën tonë. Ne bekohemi me durim e besim më të madh. Ne mund ta ndiejmë ndikimin e Shpirtit të Shenjtë të na udhërrëfejë e drejtojë. Kur lutemi, Perëndia i hap pragjet e qiellit dhe na jep bekime që Ai tashmë ishte i gatshëm të na i jepte dhe që ne duhet vetëm t’i kërkojmë që t’i marrim. Ne mund të ndihmojmë gjithashtu për t’ua bekuar jetën të tjerëve ndërsa shprehim lutjet tona të sinqerta ndaj Perëndisë për mirëqenien e tyre.

Për të mësuar më shumë rreth fesë mormone dhe asaj që besojnë mormonët rreth lutjes, vizitoni mormon.org.