Dil nga lundrimi kryesor

Sado i Zënë të Jem, Unë Jetoj për të Dielën

Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Plaku Matju Benasar, Francë i Shtatëdhjetë Zonal
Plaku Matju Benasar, Francë i Shtatëdhjetë Zonal

Pas shkollës së mesme, fillova dy vjet shumë konkurrues në përgatitje për të hyrë në shkollën franceze Grandes Ecoles. Në fund të këtyre dy viteve të ngjeshura, studentët bëjnë provime konkurruese për të hyrë në shkollë me shpresën se do të pranohen në shkollat më prestigjioze.  Si çdo student në klasën time, po punoja shumë fort.  Studentët punojnë me plot kuptimin e fjalës gjatë gjithë ditës dhe deri vonë çdo natë. E kuptova shpejt se pushimi të dielave do të shkaktonte një dëm të madh numerik dy vjet më vonë:  Do të humbisja të barasvlershmen e katërmbëdhjetë javëve të plota të studimit krahasuar me ata që ishin studentë si unë.  Kur babai më pa duke kaluar një përleshje të brendshme midis arsyes dhe besimit, më foli në një mënyrë të ngjashme me të Jethros:   “Matju, ajo për të cilën po e vret mendjen është e gabuar.  Nuk duhet të punosh të dielave”.  Fillimisht zemra ime ngriti krye kundrejt kësaj këshille.  Babai im në fund të fundit nuk e dinte si ishte [të ndiheshe ashtu].  Por pasi stuhia u qetësua, zgjodha t’ia vija veshin këshillës së tij.  Nuk jam penduar kurrë për këtë.  “[Të mos i] krye[ja] punët e [mia]”[1] në Shabat u vërtetua se ishte diçka e paçmueshme.  Jo vetëm që vija i freskët të hënave në mëngjes kur të gjithë shokët e mi të klasës dukeshin të rraskapitur nga një fundjavë me studim të vazhdueshëm,  por këto vite u bënë thelbësore për përparimin tim shpirtëror.  Gjithçka që përjetova nga zhytja me kokë në shkrimet e shenjta të dielave i thelloi pa masë rrënjët e mia shpirtërore për vitet që do të vinin.

Në përfundim të këtyre dy viteve të ngjeshura, i bëra provimet që kisha planifikuar dhe, ndonëse larg prej të qenit midis studentëve më të dalluar, mora pikë të mjaftueshme për t’u pranuar në një nga shkollat që kisha ëndërruar, por që mendoja se nuk do të futesha kurrë, një nga më të mirat.  Kjo i shtoi dëshmisë sime bindjen se “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë”[2].  Nëpërmjet asaj përvoje mësova se Shabati ishte një burim tejet i nevojshëm për rifreskimin e shpirtit, të cilin shokët e mi të klasës nuk mund ta përdornin.  Sikurse izraelitët që ushqeheshin me manë në shkretëtirë dhe nuk mblidhnin manë në Shabat, unë mësova se mirëbesimi ndaj Perëndisë duke mos punuar të dielave më dha një epërsi, jo një mangësi.  Sepse me urdhërimin, Ai përgatit një udhë.

Isaia e dinte mirë se, jo vetëm që nuk ishte një barrë, por Shabati mund të ishte një kënaqësi:  “Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua dhe nga të folurit për problemet e tua,  do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd,   sepse goja e Zotit ka folur.”[3]

Shabati siguron një çlodhje të pakrahasueshme nga shqetësimet e botës sonë të trazuar dhe një pushim nga jeta jonë e bombarduar nga mjetet e informimit.  Është një kohë për ta ulur ritmin dhe për të hyrë në një botë përsiatjeje.  Shabati është një kohë e shenjtë ashtu siç është tempulli një vend i shenjtë. Është një ditë për t’u përqendruar te familja, për t’u gëzuar, për t’u lidhur me njëri-tjetrin e për të adhuruar së bashku.  Është një ditë për zhvillim shpirtëror, një ditë për të dëshmuar, një ditë për t’i forcuar gjunjët e këputur. Derisa të jetojmë në vazhdimësi në një mbretëri çelestiale, Shabati mund të jetë përgatitja jonë më e mirë javore për të jetuar si qenie çelestiale[4].  Përfundimisht, Shabati vërtitet rreth marrjes së mrekullueshme të Sakramentit, me anë të të cilit shpirtrat tanë bisedojnë me Zotin, besëlidhjet tona përtërihen dhe na dhurohet shërim për shpirtrat tanë.  Në Shabat, ne gjejmë Zotin.

E falënderoj Zotin për Shabatin.  Me të vërtetë, ai është një kënaqësi.



[1] Isaia 58:13

[2] Romakëve 8:28

[3] Isaia 58:13-14