Dil nga lundrimi kryesor

Në Kujtim të Jetës së Presidentit Tomas S. Monson 1927-2018

President Monson

Tomas S. Monsoni, president dhe profet i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vdiq më 03:01:2018 në shtëpi në moshën 91-vjeçare nga shkaqe që lidhen me moshën. (Shënim: Lindur më 21 gusht 1927)

Presidenti Monson, i cili shërbeu si president i Kishës që nga shkurti i vitit 2008, lë pas vetes një trashëgimi shërbimi dhe veprash të mira. Një pasues nuk pritet të zgjidhet formalisht nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës deri pas shërbesës mortore për Presidentin Monson.

Për më shumë se 16 milionë anëtarë të Kishës anembanë botës, Presidenti Monson ishte shembull i një njeriu që ndoqi Jezu Krishtin. Ndërkohë që shërbente në pozita të rëndësishme udhëheqëse në Kishë gjatë gjithë jetës së tij, ai gjithashtu u dha shërbesë në heshtje mijëra individëve në shtëpi, spitale dhe qendra përkujdesi. “Mos lejoni kurrë, që zgjidhja e një problemi, të bëhet më e rëndësishme se një person që ka nevojë ta duash”, dha mësim Presidenti Monson.

Gilbert_Temple_Monson_Eyring

Gjatë kryesimit të tij anëtarësia e Kishës u rrit nga 13 milionë deri në më shumë se 16 milionë anëtarë anembanë botës dhe dhjetëra tempuj të rinj u shpallën dhe u përkushtuan anekënd botës. Në tetor 2012, Presidenti Monson njoftoi një ndryshim të kërkesave të moshës për misionarët, gjë që çoi në dhjetëra mijëra misionarë më shumë në shërbim anekënd botës, duke ndikuar në jetën e miliona njerëzve.

Presidenti Monson ia përkushtoi jetën e tij shërbimit në Kishë. Ai u bë presidenti i 16-të i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më 3 shkurt 2008, pas vdekjes së Presidentit Gordon B. Hinkli. Përpara kësaj, ai shërbeu si këshilltar në Presidencën e Parë nën drejtimin e tre presidentëve të Kishës për më shumë se 22 vjet.

First Presidency

“Kur Tomas S. Monsoni u bë pjesë e Presidencës së Parë apo kur u bë profeti, mendoj se ai nuk e uli aspak ritmin, as nuk e ndryshoi stilin apo modelin e tij asnjë grimë lidhur me ndihmën për individin”, tha Plaku Xhefri R. Holland i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Është ende shumë stili i tij dhe modeli i tij; ka qenë gjithë jetën e tij.”

Tomas S. Monsoni u mbështet në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 4 tetor 1963 dhe u shugurua apostull më 10 tetor 1963, në moshën 36-vjeçare. Ai gjithashtu shërbeu si president i Misionit Kanadez të Kishës, me zyrat qendrore në Toronto të Ontarios, nga viti 1959 deri në 1962. Përpara asaj kohe, ai shërbeu në presidencën e Kunjit Tempëll Viu në Solt-Lejk-Siti të Jutës dhe si peshkop i Lagjes së Gjashtë-Shtatë në atë kunj.

Tomas S. Monsoni u lind në Solt-Lejk-Siti më 21 gusht 1927 nga G. Spenser dhe Gledis Kondi Monsoni. Ai ndoqi shkolla publike në Solt-Lejk-Siti dhe u diplomua cum laude [shkëlqyeshëm] nga Universiteti i Jutës në vitin 1948, duke marrë një diplomë në menaxhim biznesi. Ai kreu punë pasuniversitare dhe shërbeu si anëtar i trupës pedagogjike të Kolegjit të Biznesit në Universitetin e Jutës. Më pas mori diplomën e tij pasuniversitare në administrim biznesi nga Universiteti “Brigam Jang”. Në prill të vitit 1981, Universiteti “Brigam Jang” i dha Presidentit Monson gradën shkencore të doktorit për ligjet, honoris causa [doktor nderi]. Atij iu dha grada shkencore si doktor i nderit në letra humane nga Kolegji Komunitar i Solt-Lejkut në qershor 1996 dhe si doktor nderi në biznes nga Universiteti i Jutës në maj 2007. Presidenti Monson shërbeu në Flotën Detare të Shteteve të Bashkuara afër fundit të Luftës II Botërore.

president-monson-with-wife

Ai u martua me Frensis Beverli Xhonsonin më 7 tetor 1948, në Tempullin e Solt-Lejkut. Ata janë prindërit e tre fëmijëve, me tetë nipër e mbesa dhe 11 stërnipër e stërmbesa. Frensis Monsoni ndërroi jetë më 20 maj 2013. Për vdekjen e saj, Presidenti Monson tha më vonë: “Ajo ishte dashuria e jetës sime, njeriu im i besuar dhe shoqja ime më e ngushtë. Të them që më mungon, as nuk fillon ta përçojë thellësinë e ndjenjave të mia.”

Profesionalisht, Presidenti Monson pati një karrierë të shquar në botime dhe në shtyp. Ai krijoi lidhje me Deseret News në vitin 1948, ku shërbeu si drejtues në sektorin e reklamës të asaj gazete dhe në Korporatën e Agjencisë së Gazetave. Më vonë ai u emërua menaxheri i shitjeve për Deseret News Press, një nga firmat më të mëdha tregtare të shtypit në Perëndim të SHBA-së, duke u ngritur në pozitën e menaxherit të përgjithshëm, pozitë të cilën e mbante në kohën e caktimit të tij në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve në vitin 1963. Ai shërbeu për shumë vite si kryetar i bordit të Deseret News Publishing Co. Presidenti Monson ishte president i Industrisë së Shtypit të Jutës dhe ish-anëtar i bordit të drejtorëve të Industrive të Shtypit të Amerikës.
Duke filluar nga 1969-ta, Presidenti Monson shërbeu si anëtar i Bordit Ekzekutiv Kombëtar të Djemve Skautistë të Amerikës.

Presidenti Monson ishte anëtar i Shoqatës së Jutës për Drejtuesit Ekzekutivë të Shitjeve, i Klubit të Reklamave të Solt-Lejkut dhe i Klubit të Shkëmbimit të Solt-Lejkut.

Për shumë vite, Presidenti Monson shërbeu si anëtar i Bordit të Regjentëve të Shtetit të Jutës, trupi që qeveris arsimin e lartë në shtetin e Jutës. Ai shërbeu edhe si nëpunës i Shoqatës së ish-Studentëve të Universitetit të Jutës.

Në dhjetor të vitit 1981, Presidenti Monson u caktua nga Presidenti Ronald Regan që të shërbente në Grupin e Punës së Presidentit për Nismat e Sektorit Privat. Ai shërbeu në këtë detyrë deri në dhjetor të vitit 1982, kur puna e grupit të punës përfundoi.

Presidentit Monson iu dha Çmimi i të Diplomuarit të Shquar të Universitetit të Jutës në vitin 1966. Atij iu dhanë edhe Çmimi i Kastorit të Argjendtë nga Djemtë Skautistë të Amerikës (1971), Çmimi i shquar i Bufalos së Argjendtë (1978) prej tyre dhe çmimi më i lartë ndërkombëtar i Skautizmit, Ujku i Bronxtë (1993). Në vitin 1997 ai mori Çmimin Minitman nga Garda Kombëtare e Jutës, si edhe Çmimin e Burrërisë Shembullore nga Universiteti “Brigam Jang”. Në vitin 1998, atij dhe Motrës Monson secilit iu dha Çmimi për Vazhdimësinë e Përkujdesjes Humanitare nga Motrat e Karitasit të St. Joseph Villa-s.

Pres Monson