Përse Statuja e Engjëllit Moroni Vendoset në Majë të Tempujve Mormonë

Një nga veçoritë më dalluese të tempujve mormonë është statuja mbresëlënëse prej ari e engjëllit Moroni, e cila qëndron në kulmin e shumicave të ndërtesave të shenjta. Edhe pse nuk është një simbol adhurimi, statuja e Moronit me bori në dorë simbolizon shpërndarjen e ungjillit dhe Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit siç referohet te Mateu 24:31: “Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri”.

Mormonët besojnë se Moroni ishte një profet i lashtë në Book of Mormon i cili shekuj më vonë, në vitin 1823, i zbuloi Joseph Smith vendndodhjen e këtij anali të shenjtë të gdhendur në fletë [të arta], që tregoi historinë e një populli i cili jetoi në kontinentin amerikan. Anëtarët e Kishës i përdorin krah për krah Librin e Mormonit dhe Biblën gjatë studimit dhe adhurimit të tyre.

Krijuar për herë të parë nga Cyrus Dallin [Sairus Dallin], statuja e engjëllit Moroni u vendos në majë të tempullit në Solt-Lejk-Siti të Jutës, në vitin 1893. Dallin, i cili nuk qe anëtar i besimit mormon, shkroi se puna për projektin “më solli më afër Perëndisë sesa çdo gjë tjetër që kam bërë ndonjëherë. M’u duk sikur arrita ta di se çfarë do të thotë të komunikosh me engjëj nga qielli.”

Që nga ajo kohë, pjesa më e madhe e tempujve janë ndërtuar me një statujë të engjëllit Moroni ose kanë marrë një të tillë pas përkushtimit. Por ka arsye përse ajo mund të mungojë. Në disa vendndodhje gjeografike, rregullat e ndërtesës ose lejet e përdorimit e kufizojnë përdorimin e statujës. Në disa zona, ajo mund të japë më shumë zbukurim sesa dëshirohet ose projekti arkitektural i tempullit nuk lë vend për statujën. Drejtimi më i zakonshëm për vendosjen e statujës është ai me fytyrën nga lindja, si ai i Tempullit të Romës në Itali.          

Një përshkrim i hollësishëm i engjëllit Moroni paraqet fytyrën, flokët e valëzuar dhe borinë, të gjitha të praruara në fletë prej ari 22-karatësh. Nevojitet vetëm një ditë për ta mbuluar, ose praruar, statujën me ar. Megjithatë, sapo statuja të jetë praruar ajo nuk mund të preket me asgjë tjetër përveç duarve me doreza për të shmangur lënien e ndonjë shenje në sipërfaqen delikate.

Aktualisht ka pesë variante të statujës, duke përfshirë disa me fletë ose rrotulla në dorën e majtë të statujës. Megjithatë, statuja gjithmonë mban borinë në dorën e djathtë. Fillimisht të ndërtuara në bronz, bakër ose alumin, statujat tani bëhen prej materiali me fibra qelqi për ta zvogëluar peshën e tyre. Secila statujë ndryshon në përmasë dhe lartësi për t’iu përshtatur arkitekturës së tempujve të veçantë. Statuja më e madhe është mbi gjashtë metra e lartë.