Për të Sjellë një Mik tek Ai


I Shtatëdhjetë Zonal për Britaninë e Madhe

Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Në MKB-në e Misionit të Londrës Jugore në Angli (vendi ku presidentët e kunjeve, presidenti i misionit dhe I Shtatëdhjeti Zonal këshillohen së bashku), ka një traditë prej të cilës çdo mbledhje fillohet duke parë një paraqitje të mbushur me fotografitë e të gjithë anëtarëve që janë pagëzuar gjatë tre muajve të mëparshëm.  Shpesh, në fotografi duket një anëtar i ri i veshur në të bardha, duke qëndruar me pjesëtarët e familjes, misionarët dhe personin që e pagëzoi.

Në një mbledhje të kohëve të fundit, një fotografi në veçanti më bëri të emocionohem!  Atje, i veshur në të bardha dhe me krahun hedhur mbi një burrë tjetër, ishte një mik i dashur, Klajvi, që më kujtohet tek qëndronte në një fotografi të ngjashme thuajse 20 vjet më parë.

Në vitin 1998, një numër përvojash kishin shkaktuar ndjenja urie shpirtërore te Klajvi. Pasi mori një kopje të Librit të Mormonit nga një koleg i punës, ai vendosi të shkonte me biçikletë në shtëpinë e mbledhjeve të Lagjes Slaf dhe të merrte pjesë në kishë. Ai u fut në derë, i etur për të mësuar.  Si peshkop, e përshëndeta Klajvin dhe u kënaqa kur dëgjova se ai dëshironte të mësonte rreth Kishës.  Dy misionarë ishin në dispozicion dhe u kujdesën me entuziazëm të madh për mikun e tyre të ri. Pas disa vendimeve të vështira dhe ndryshimeve domethënëse, Klajvi u pagëzua disa javë më vonë dhe filloi një rrugëtim besimi dhe zotimi si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Shumë vite më vonë, ndërkohë që jetonte në një lagje dhe kunj tjetër, Klajvi përfitoi nga mundësia për të diskutuar për Kishën me një koleg të punës. Pas një numri bisedash dhe pasi ndjeu një mbresë të fortë, ai i dhuroi mikut të tij një kopje të Librit të Mormonit (në të cilën kishte shkruar dëshminë e tij).

Kaloi njëfarë kohe dhe Klajvi ishte në lagjen e banimit të tij kur u bë një paraqitje rreth tre përbërësve të Planit të Zonës: “Sillni një Mik”, “Bëhuni të Mbështetur te Vetja Shpirtërisht dhe Materialisht” dhe “Gjeni një Paraardhës”.  Teksa Klajvi rrinte ulur atje, mendja i shkoi te miku i tij, të cilit i kishte dhënë Librin e Mormonit. U kthye nga bashkëshortja e tij dhe i tha: “Unë e kam një mik që mund ta ftoj në kishë”. 

Klajvi veproi sipas këtij frymëzimi dhe e mori në telefon mikun e tij. E ftoi në kishë, duke i rregulluar planet që të takohej me të më parë në parkingun e makinave. E diela erdhi e po kështu edhe miku i tij, të cilit i pëlqyen shumë shërbesat dhe u ndje shumë i mirëpritur. Miku i tij më pas u njoh me misionarët kohëplotë, të cilët ia mësuan diskutimet.  A mund ta përfytyroni gëzimin e madh të Klajvit kur përafërsisht disa javë më vonë, miku i tij i kërkoi ta pagëzonte? Ishte një ftesë që ai e pranoi lumturisht!

Kjo ishte fotografia që pashë atë ditë, e cila bëri që zemra ime të emocionohej.

Jezusi tha: “Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!”[1]

Klajvi e ndjeu atë gëzim ngaqë e ndoqi porosinë e Presidencës sonë të Zonës dhe e ftoi mikun e tij të vinte në kishë.  Ndonëse kishte bërë biseda të shumta rreth ungjillit dhe i kishte dhënë një kopje të Librit të Mormonit – të gjitha gjëra të mrekullueshme për t’u bërë, gëzimi i vërtetë erdhi kur ai ndoqi shtytjen e Shpirtit dhe e bëri atë ftesë. Ftesa në vetvete ishte shumë e rëndësishme dhe e nevojshme. Pa të, miku i tij mund të mos kishte marrë pjesë kurrë në kishë dhe përfundimisht mund të mos ishte kthyer kurrë në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit.

Jam i bindur se ftesa e frymëzuar që na është bërë secilit – “Për të Sjellë një Mik tek Ai” – është një ftesë që ne të gjithë mund ta ndjekim e zbatojmë në jetën tonë.  Shembulli i Klajvit është një nga shembujt e shumtë që dëshmojnë për gëzimin që vjen nga bërja e ftesave. Unë edhe i kam vëzhguar, edhe i kam përjetuar vetë shembuj të tillë.

Kërkoftë çdonjëri prej nesh frymëzim për t’i përcaktuar ftesat që mund t’ua bëjmë miqve tanë! Dhe paçim besimin dhe zotimin për ta kryer punën e për të ftuar, që të mund të përjetojmë të njëjtin gëzim.

 

[1] Doktrina e Besëlidhje 18:15