Dil nga lundrimi kryesor

Mbajtja e Besimit në Realitet

thailand-walk

Ne të gjithë përfitojmë nga teknologjitë e komunikimit për kohën tonë. Këto zbulime të mëdha lidhin largësi të mëdha, shpejtojnë komunikimin, rritin edukimin, thjeshtësojnë blerjet dhe na argëtojnë. Por çfarë bëjnë me marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, me bashkësitë tona dhe përfundimisht me Perëndinë? Çfarë i bën kjo teknologji ndjesisë sonë për realitetin?

Ky tension midis hapësirës kibernetike dhe botës reale është një veprim kompleks drejtpeshues unik në epokën tonë. Ne kolektivisht ndeshemi me “izolimin e ushqyer nga teknologjia” për të hyrë te “njerëzia që shtrihet nën të”.[1]

Sherri Tërkëll, e njohur për analizën e saj shoqërore të shkencës dhe teknologjisë, thotë se sot ne jemi të lidhur por të vetmuar. “Pajisje të reja nxitin volum dhe shpejtësi gjithnjë e më të madhe”, shkruan ajo. “Në këtë përshkallëzim të kërkesave, një nga gjërat që të bën të ndihesh i sigurt është përdorimi i teknologjisë për t’u lidhur me njerëz në largësi, ose më saktë, me plot njerëz nga largësia. Por edhe plot njerëz nga largësia mund të dalë se nuk janë fare mjaft njerëz”.[2]

Në të vërtetë, të paktën 40 përqind e amerikanëve mbi 45 vjeç ndihen të vetmuar.[3] Edhe pse shumë kanë qindra miq facebook-u, amerikanët mesatarisht kanë vetëm dy miq të ngushtë në botën e tyre jashtë internetit.[4] Nuk është çudi, përfundon Tërkëll, që “lidhjet që formojmë nëpërmjet internetit nuk janë, në fund të fundit, lidhje që na bashkojnë”.[5]

Mjetet shoqërore të komunikimit mund, dhe shpesh ndodh, të lehtësojnë dhe të plotësojnë miqësi reale, por janë institucionet që i mirëmbajnë.

Pesha e Kapitalit Shoqëror të Fesë

Lidhjet e cekëta formuar nëpërmjet teknologjisë duhet të na drejtojnë te lidhjet e forta që mund të gjenden te feja e organizuar. Po, një person mund të përjetojë shpirtshmëri në vetmi, por “feja ndodh vetëm kur ai bëhet bashkë me miqtë dhe familjen e tij”.[6] Ne jemi kafshë shoqërore, krijuar për të ndërvepruar me njëri-tjetrin.

Sikurse e sugjeron rrënja latine e saj “to bind [të lidhësh]”, feja duhet të jetë një forcë bashkuese që na bën bashkë. Por më pak njerëz shkojnë në kishë sot – një fakt i pafavorshëm sa për shoqërinë në tërësi aq edhe për kishat. Shtëpitë e adhurimit janë një shembull i asaj që një sociolog e quan “vend i tretë”[7] — hapësirë ndërtese e bashkësisë ku njerëzit kalojnë kohën midis vendit të tyre të parë dhe të dytë, shtëpisë dhe punës. Vërtet, ata që marrin pjesë mblidhen rregullisht në bashkësitë e tyre për të dhënë mësim, shërbyer dhe ngushëlluar njëri-tjetrin dhe fqinjët e tyre. Ata bashkohen me anë të besëlidhjeve – me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë – për të ndarë hidhërimet dhe gëzimet dhe barrët.

Mbartja e barrëve i bën njerëzit aq fuqishëm bashkë, pjesërisht, sepse shpesh ajo kërkon ndërveprime të gjalla. Një prani fizike e tillë është komponent kyç i ngjitësit shoqëror fetar. Sikurse ka thënë rabini Dejvid Uollp, kishat “mbeten ai vend i rrallë në shoqërinë amerikane ku njerëzit e moshave të ndryshme ulen së bashku në një kauzë të përbashkët. … Në një botë ku bashkësia është me vështirësi në rritje dhe automatizmi po bëhet normë, lutja është një çast kolektiviteti”.[8]

Fuqia e Shërbesës Vetjake

Shërbesa nuk mund të jetë e simuluar. Për të krishterët, nuk ka teprim deklarimi që Jezusi erdhi si person real për t’u shërbyer personave realë në vende reale. “Nuk është e mundur të kesh një ungjill të krishterë të ndarë nga vendi dhe personi”, ka shkruar një pastor i famshëm. “Ai vepron vetëm në krijim dhe në mishërim, në gjëra dhe njerëz”.[9]

Jezusi bekoi njerëzit e jetës së përditshme – burra, gra dhe fëmijë – të sëmurët, shurdhët, të verbëtit dhe memecët. Ai qëndroi me ndjekësit e Tij për 40 ditë pas Ringjalljes së Tij. Sipas Librit të Mormonit, Ai vizitoi njerëz në vende të tjera, duke qarë me ta, duke i shëruar dhe përqafuar ata një nga një në gjithë ndryshimet dhe ndërlikimet e tyre.[10] Vizita e Tij personale u provua aq e fuqishme saqë njerëzit përjetuan paqe dhe harmoni të pashembullt për më shumë se 160 vite pasi Ai u largua.[11]

Fuqia e pranisë fetare mund të ketë ndikim të ngjashëm. Shikimi i një predikimi vetëm në shtëpinë tuaj në YouTube mund të frymëzojë, të ngrejë moralisht dhe të nxitë. Por në vetvete, një përvoje të tillë të vetmuar i mungon kontakti njerëzor. Asaj i mungon prekshmëria. “Një pamje filmike në ekran nuk mund të krahasohet me emocionin trazues dhe shkëndijën e ngrohtë të kontaktit njerëzor”, thotë rabini Uollp.[12] Një kontakt i tillë ka rëndësi kur ne kuptojmë, siç thotë një studim i fesë amerikane, se shpirtshmëria individuale shndërrohet në përzemërsi vetëm kur ndiejmë “përkatësi fetare” ndërsa fjalosemi “me miq pas një shërbese [adhurimi] ose i [bashkohemi] një grupi studimi të Biblës”.[13]

Shoqëria e Përtejme

Në vitin 1843, shumë përpara epokës sonë të pikëzimit [pixel], Jozef Smithi dha mësim: “Po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh [në qiell], veçse do të jetë me lavdi të përjetshme”.[14] I ardhur siç erdhi në ditë pa ekrane ndërmjetësuese, mesazhi i tij thotë shumë rreth shqetësimit të Perëndisë ne jo vetëm të shoqërizohemi, por që ta bëjmë këtë së bashku dhe personalisht. Prandaj, si rrjedhim “qielli” janë njerëzit e tjerë.

Shërbesa ballë për ballë dhe adhurimi ka më shumë peshë sesa takimi shifror [dixhital], duke na lejuar t’i shohim gjërat “siç janë realisht”[15] duke i parë bashkëqeniet tona në sy e duke dalluar një pasqyrim të fytyrës së Perëndisë.


[1] Lauren DeFilippo, “Drive-In Jesus,” New York Times, 1 gusht 2017, https://www.nytimes.com/2017/08/01/opinion/drive-in-church-florida.html?_r=0.

[2] Sherry Turkle, Alone Together: Why We Expect More from Technology and Less from Each Other (2011), f. 280.

[3] Shih G. Oscar Anderson, “Loneliness among Older Adults: A National Survey of Adults 45+,” AARP, shtator 2010, https://www.aarp.org/research/topics/life/info-2014/loneliness_2010.html.

[4] Shih “You Gotta Have Friends? Most Have Just 2 True Pals,” NBC News, 4 nëntor, 2011, https://www.nbcnews.com/health/health-news/you-gotta-have-friends-most-have-just-2-true-pals-f1C6436540.

[5] Sherry Turkle, Alone Together, f. 280.

[6] Patrick Mason, Planted: Belief and Belonging in an Age of Doubt (2015), f. 136.

[7] Ray Oldenburg, Project for Public Spaces, https://www.pps.org/reference/roldenburg/.

[8] Rabbi David Wolpe, “The Internet Can’t Replace Real Human Interaction,” Time, 16 shtator 2015, http://time.com/4036310/rosh-hashana-internet-sacred-spaces/.

[9] Eugene H. Peterson, As Kingfishers Catch Fire: A Conversation on the Ways of God Formed by the Words of God (2017), f. 81.

[10] Shih 3 Nefi 11:15.

[11] Shih 4 Nefi 1:17–24.

[12] Rabbi David Wolpe, “The Internet Can’t Replace Real Human Interaction,” http://time.com/4036310/rosh-hashana-internet-sacred-spaces/.

[13] David E. Campbell and Robert D. Putnam, American Grace: How Religion Divides and Unites Us (2010), f. 472.

[14] Doktrina e Besëlidhje 130:2.

[15] Jakobi 4:13.