Lajme nga Bota - 14. janar 2012 |
Shumë e kanë parë përparimin vetëm nga një perspektivë financiare, kështu që, për të përparuar, sipas kësaj pikëpamjeje të ngushtë të gjërave, njeriu sheh vetëm në vazhdën e jashtme të pasurisë dhe si pasojë shpejt fokusi mbetet në pasuritë materiale ose idenë e fiksuar për t’i pasur ato. Në mënyrë të paevitueshme ky “fiksim” të çon drejt ndjenjave të zilisë, lakmisë dhe egoizmit. Ai gjithashtu krijon një distancë të pamasë mes nesh dhe nevojave të njerëzve tanë, përfshirë familjet tona, ndërsa koha nuk u kushtohet më gjatë atyre që kanë më shumë rëndësi, por atyre që ne dëshirojmë më shumë.
Po për përparimin shpirtëror?
Ne mund të fitojmë një kuptim të qartë se jemi fëmijë të Atit tonë Qiellor dhe se Ai ka një plan lumturie për ne. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe besnikërisë sonë, ne mund të kthehemi tek Ai. Të kuptuarit se Ai na do dhe se na dha urdhërimet për të na ndihmuar që të përballemi me vështirësitë e jetës, do të na drejtojë në një rrugë mirënjohjeje për gjithçka që kemi. Edhe kur kemi pak pasuri materiale ne do të kemi ndjenjën e mirënjohjes për gjërat që kanë më shumë rëndësi:
- Familjen tonë
- Anëtarësimin në Kishën e Zotit
- Tempujt
- Mesazhet e profetëve të gjallë
- Shkrimet e shenjta
Thjesht sa për të përmendur disa nga bekimet e shumta që ne mund të provojmë në vdekshmëri.
Ndërsa dëshirojmë çdo ditë që të jemi më pranë Atit tonë Qiellor, ne rrisim dëshirën tonë për të mbajtur të gjitha urdhërimet dhe për pasojë ne rritemi shpirtërisht.
Te Doktrina e Besëlidhje 29:34 shpallet: “Si rrjedhim, me të vërtetë unë ju them se gjithë gjërat për mua janë shpirtërore dhe asnjëherë nuk ju kam dhënë një ligj që është tokësor; as ndonjë njeriu, as fëmijëve të njerëzve; as Adamit, atit tuaj, të cilin unë e krijova”.
Ligji i së Dhjetës është çështje besimi, jo paraje. Ai është një ligj shpirtëror dhe, kur studiohet, ai zbulon përparimin tonë shpirtëror dhe shqetësimin tonë për mirëqenien e të tjerëve, ai është një shprehje e dashurisë për Perëndinë dhe mirënjohje për gjithçka që kemi marrë.
Çdo herë që përgatis zarfin tim të dhurimeve për të dhënë të dhjetën dhe oferta të tjera për Zotin, unë ndiej gëzim të madh që jam duke kontribuar në krijimin e Mbretërisë së Perëndisë. Unë e di që jam duke ndihmuar ata që kanë edhe më pak se unë. Mbi të gjitha, unë ndiej se jam me të vërtetë në rrugën drejt përparimit, sepse unë rritem shpirtërisht dhe rritem pak në lidhje me gjërat që janë të përkohshme, dhe ndiej besim më të madh në premtimet e profetëve të vjetër dhe të sotëm:
Malakia 3:10.
“‘Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë’, thotë Zoti i ushtrive, ‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.’
Unë ju nxis që ta pranoni ftesën e Zotit për ta ‘[vënë] në provë [Atë] për këtë gjë’. Paguajeni të dhjetën tuaj. Hapini pragjet e qiellit. Ju do jeni të bekuar me bollëk për bindjen dhe besnikërinë tuaj ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të Zotit.”
Plaku Robert D. Hejls,
i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve - Konferenca e Përgjithshme Tetor 2002.
Gjatë gjithë jetës sime, për shkak të Ligjit të së Dhjetës unë kam fituar një vlerësim të përforcuar për nevojën për të bërë e mbajtur një buxhet të familjes dhe për një përdorim të mençur të burimeve me të cilat jemi bekuar. Për shkak të këtij ligji, unë kam qenë i bekuar për të dalluar shumë më qartë se çfarë është më e rëndësishme për mua dhe familjen time.
E dhjeta nuk është një ligj për të hollat, por një ligj i besimit e i mirënjohjes dhe është padyshim ai që do të na çojë në rrugën drejt përparimit. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, Amen.