Lajme nga Shqipëria - 27. tetor 2011 |
“NJERËZIT KA TË NGJARË QË TË MOS NDRYSHOJNË
NË QOFTË SE NUK FTOHEN TA BËJNË KËTË”
Plaku Zherald Kosé
Presidenca e Zonës së Europës
E takova Laurën në Kadis të Spanjës në një konferencë kunji. Më kujtohet buzëqeshja e saj rrezatuese kur u ngrit gjatë mbledhjes të së dielës për të njoftuar nisjen e saj të shpejtë për në një mision në Kili dhe për të dhënë një dëshmi kumbuese për ungjillin.
Në të vërtetë, thirrja për mision e Laurës ndoshta nuk do të kishte ndodhur pa besimin e mësuesit të saj të Institutit. Pa u kënaqur aspak vetëm me mësimdhënien në klasën e Institutit të kunjit, ky burrë kishte marrë përsipër t’i vizitonte ata që mungonin, për t’i ftuar personalisht që të merrnin pjesë në kurs. Një ditë ai u kthye në shtëpi plotësisht i shkurajuar. Ai kishte marrë disa refuzime nga të rinjtë në moshë madhore, që kishin thënë se nuk u nevojitej kursi që të ishin të lumtur në jetë. Ai shkoi direkt te dhoma e tij dhe u gjunjëzua në lutje për t’i kërkuar Shpëtimtarit që ta ngushëllonte. Befas një ndjenjë paqeje erdhi mbi të dhe një emër i erdhi në mendje: Laura.
Laura ishte një e re në moshë madhore në kunj, e cila nuk kishte ardhur në kishë për rreth një vit. Ai pati një ndjenjë të qartë se duhej të shkonte që ta takonte dhe ta ftonte atë të kthehej në kishë dhe, për më tepër, që ta angazhonte atë për të shërbyer një mision! Shumë i habitur, ai vendosi të ndiqte nxitjet e Shpirtit dhe shkoi ta takonte Laurën në shtëpinë e prindërve të saj. Ajo ra dakord ta priste mësuesin. Ajo dëgjoi me vëmendje ndërsa ai i dha dëshmi për parimin e pendimit dhe për dashurinë e pafundme të Shpëtimtarit. Kur ai përmendi shëmbëlltyrën e Djalit Plangprishës, që të dy filluan të qanin. Ajo u zotua të merrte pjesë në mbledhjet e kishës të dielën vijuese. Pastaj, për habinë e madhe të mësuesit të saj, ajo shtoi, duke u dridhur nga emocioni: “Unë dua të shërbej një mision!”
Parimi i ftesës është në zemër të ungjillit të Jezu Krishtit. Sa herë Vetë Jezusi na ka ftuar të vijmë tek Ai, “si një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahët e saj”2). Krahët e Tij janë të hapura dhe zëri i Tij i dhembshur na fton: “Krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj; dhe të bekuar qofshin ata që vijnë tek unë”3).
Ai na bën ne, dishepujt e Tij, mjetet e ftesës së Tij. “A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju; zemra ime është e mbushur me mëshirë.”4)
T’i sjellësh të tjerët te Krishti shkon përtej thjesht të folurit me ta ose dhënies mësim atyre. Duke e ditur se “njerëzit ka të ngjarë që të mos ndryshojnë në qoftë se nuk ftohen ta bëjnë këtë”1), gjithë mësimdhënia jonë duhet të na çojë tek një ftesë konkrete për veprim.
A kënaqemi thjesht kur flasim mbi ungjillin me miqtë tanë apo i ftojmë ata të lexojnë Librin e Mormonit, të vijnë në kishë ose të pranojnë misionarët? A mbajmë kontakte me vëllezërit dhe motrat tona më pak aktive apo shkojmë më tej dhe i ftojmë ata/ato të marrin pjesë në mbledhjet e kishës ose të shkojnë në tempull? A japim mësim rëndësinë e shërbimit në një mision, apo e ftojmë çdo të ri që të shkojë në një mision? A i përfundojmë mësimet tona duke i ftuar studentët që të ndryshojnë diçka në jetën e tyre? A ftohet personalisht çdo anëtar i Kishës, nga udhëheqësit e tij, që të marrë ordinancat thelbësore të ungjillit?
Nganjëherë mund të kemi frikë prej një mospranimi ose nga reagimi i personit tjetër. Ose ndoshta i gjykojmë ata, ose mendojmë se ata nuk janë ende gati, nuk janë të denjë, ose thjesht nuk janë të aftë që t’i përgjigjen ftesës sonë.
Në të vërtetë, unë di disa rrethana që na pengojnë të bëjmë një ftesë. Të ftosh dikë është, mbi të gjitha, një veprim besimi dhe dashurie. Kur ftojmë sipas mënyrës së Zotit, ne kemi premtimin se njerëzit që Ai ka përgatitur do ta njohin zërin e Tij tek i yni. Bariu i Mirë thotë: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin”5). Ai zë i qetë e i vogël është mjaft i fuqishëm sa t’i shtyjë njerëzit që të ndryshojnë.
Presidenca e Zonës kohët e fundit ka vendosur synimin e dyfishimit të numrit të anëtarëve aktivë në Europë në dhjetë vitet e ardhshme. Ai vizion nuk ka nevojë as për programe, as për organizime të ndërlikuara dhe as për mjete të posaçme që ta arrijë atë. Ai varet nga besimi i gjithësecilit. Nëse çdo anëtar i Kishës do të kthente një shpirt tek Krishti, kjo do të ishte e mjaftueshme për të dyfishuar pjesëmarrjen në të gjitha lagjet e degët në Europë.
E di se ne mund ta bëjmë këtë. Ne duhet t’i ftojmë njerëzit sipas mënyrës së Zotit.
1) Predikoni Ungjillin Tim, f. 204
2) 3 Nefi 10:4
3) 3 Nefi 9:14
4) 3 Nefi 17:7
5) Gjoni 10:27