Shërbimet Humanitare - 20. tetor 2011

 

9.000 Vullnetarë të Duarve Ndihmëtare Mormone në Europë

foto 1

Nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe Ministria gjermane e Familjes, Kisha paraqet Duart Ndihmëtare Mormone

foto 2

VITI EUROPIAN I VITRINAVE PËR VULLNETARIZMIN E DUARVE NDIHMËTARE MORMONE

9.000 Vullnetarë të Duarve Ndihmëtare Mormone në Europë - 34.000 Orë Shërbimi Paraqiten në Vitin Europian të Turneut për Vullnetarizëm në Berlin

Artikulli përgatitur nga: J. Gleid Pitërson dhe Lola Ueb Pitërson

Më 16 tetor 2011, shumë kalimtarë u ndalën në ekspozitën e Duarve Ndihmëtare Mormone në “Soni Centër” në Berlin dhe provuan në praktikë një projekt shërbimi. Kjo ngjarje ditore i lejoi vullnetarët e Duarve Ndihmëtare Mormone të ndihmonin njerëzit e Europës për të zbuluar frymën e vullnetarizmit, duke i angazhuar ata aktivisht në qepjen dhe paketimin e çantave të vogla mjekësore për fëmijët. Këto çanta përmbajnë një tub fleksibël të përhershëm që shpërndan ilaçin për shpëtimin e jetës, duke bërë të mundur që një fëmijë me kancer të lëvizë lirshëm. Pesëqind çanta nga ky projekt do të dhurohen për spitalet e fëmijëve.

Huanita Muencer, e cila ua ka dhuruar disa nga këto çanta fëmijëve në një pavijon onkologjik, tha: “Fëmijët ishin të kënaqur që ishin në gjendje të zgjidhnin çantat e tyre të përgatitura nga material shumëngjyrësh, me skica të gëzuara, komike dhe gazmore”. Ajo shtoi: Kishte momente kur unë duhet të ktheja kokën pas, sepse lotët fillonin të binin”.

Vullnetarët në tendat e Duarve Ndihmëtare Mormone ishin lehtësisht të dallueshëm me jelekët e tyre të verdhë me shenjën dalluese të Duarve Ndihmëtare. Përveç shërbimit aktiv e të vazhdueshëm që ndodhte nëpër tenda, kishte afishe, broshura dhe një prezantim fotosh të vazhdueshëm që përshkruante shumë nga mijëra projekte të vullnetarëve të Duarve Ndihmëtare Mormone që janë kryer në të gjithë Europën. Ftesa e tyre: “Ejani, Bashkohuni me Ne dhe Bëni Ndryshimin!”

Karlhainc Sherer, Drejtori Kombëtar i Çështjeve Publike i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Gjermani tha: “Ajo që ne duam të tregojmë në Berlin është se jeta e një fëmije shumë të sëmurë mund të lehtësohet me pak kohë dhe përpjekje. Motivi i Duarve Ndihmëtare Mormone është i thjeshtë: Ne e bëjmë atë sepse dëshirojmë të ndjekim shembullin e Jezu Krishtit. Ne e bëjmë atë sepse dëshirojmë të ndihmojmë. Ne e bëjmë atë sepse jemi të bindur se mund të jemi të lumtur nëse nuk mendojmë vetëm për veten.”

Duart Ndihmëtare Mormone është një nismë globale e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që ofron shërbim ndaj komunitetit dhe ndihmë në raste fatkeqësish për njerëzit në nevojë. Vitin e kaluar, 34.000 orë shërbimi u dhuruan nga rreth 9.000 vullnetarë nga e gjithë Europa. Këto projekte përfshinin ofrimin e ndihmës humanitare në qytetet e përmbytura nga balta në Hungari dhe zonat e katastrofës së përmbytjes në Republikën Çeke. Viktimat në këto zona i quajtën qindra prej vullnetarëve tanë me jelekët e tyre të verdhë e të dallueshëm të duarve ndihmëtare “ushtria e verdhë” dhe deklaruan: “Duart Ndihmëtare Mormone bënë që të ndodhë një mrekulli!”

Projekte të tjera shërbimi në të cilat kanë ndihmuar vullnetarët e Duarve Ndihmëtare Mormone, përfshijnë projektet ndaj komunitetit të tilla si pastrimin dhe zbukurimin e drurëve, plazheve, rrugëve, fermave, pyjeve, parqeve, liqeneve, pellgjeve, varrezave dhe zonave të tjera. Ata kanë pastruar dritare e dysheme dhe kanë lyer ndërtesa. Ata kanë dhuruar gjak, kanë paketuar çanta higjienike e artikuj ushqimorë për t’ua shpërndarë të pastrehëve e të varfërve, dhe kanë ofruar dreka, aktivitete argëtuese dhe ndihmë për të moshuarit. Ata kanë ndërtuar e krijuar pajisje sheshi lojërash për fëmijët dhe kanë ndihmuar për rinovimin dhe restaurimin e gërmadhave. Gjatë ndihmës për mirëmbajtjen e fermës urbane, administratori i një ferme për bamirësi që u shërbente të rriturve, të rinjve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta, u shpreh: “Vullnetarët tuaj përmbushën vlerën e dy muajve pune në një ditë.”

Frerih Gërc, koordinues i Bashkimit Europian për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Zonën e Europës, shprehu: “Ndërsa një numër i madh i anëtarëve të Kishës tashmë janë angazhuar maksimalisht në punën e tyre vullnetare në vetë Kishën, me qëllim që të sigurojnë që ajo të mbetet aktive, ne jemi shumë të vetëdijshëm se përfshirja qytetare nuk është vetëm një punë qejfi e këndshme, por po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për mbijetesën e shoqërisë, dhe që, si pasojë, ne duhet ta shtrijmë angazhimin tonë shoqëror jashtë kornizës së Kishës”.

Programi i Duarve Ndihmëtare Mormone po funksionon me sukses në Amerikën Latine, Afrikë, Azi, Europë, Paqësor dhe Amerikë.

Fotografi: Ron Jarrett

Plaku e Motra Pitërson dhe Plaku Jaret janë Misionarë të Zonës së Europës për Çështjet Publike.