Lajme nga Bota - 21. korrik 2011 |
Që nga koha e Adamit, Zoti u ka dhënë një urdhërim fëmijëve të Tij, që ata duhet ta duan njëri-tjetrin. Përsëri, në të njëjtën kohë, Ai u pikëllua nga fakti se shumë prej tyre janë pa dhembshuri dhe e urrejnë vetë gjakun e tyre1.
Ati ynë Qiellor e di se dhurata e çmuar e jetës së përjetshme është e arritshme për fëmijët e Tij vetëm nëse ata zgjedhin ta duan Perëndinë si Atin e tyre dhe nëse ata kanë dashuri e unitet mes tyre. Shpëtimtari u lut për dishepujt e Tij “që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”2. Dhe Ai i vërtetoi Adamit pas pagëzimit të tij: “Vër re, ti je një me mua, një bir i Perëndisë; dhe kështu të gjithë mund të bëhen bijtë e mi. Amen.”3 Zoti e udhëzoi profetin Jozef të jepte mësim se çdo njeri duhet ta vlerësojë vëllanë e tij porsi veten dhe se ata duhet të jenë një. Ai paralajmëroi: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë” 4.
Kam medituar shpesh mbi parimin e rëndësishëm të unitetit dhe përse ai është kaq thelbësor. Përfundimi është se uniteti krijon, ndërton dhe përkrah fuqinë. Ai na jep mundësi të kapërcejmë çfarëdo pengese, të arrijmë çfarëdo fati dhe t’i rezistojmë çfarëdo ndikimi të padëshirueshëm, që mund të na sulmojë ne dhe familjet tona. Nëse e zbatojmë parimin e unitetit në jetën tonë, nuk do të kemi frikë të bëjmë mirë dhe Zoti premtoi: “Le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë”5.
Uillford Udraf tha: “Nuk mendoj se kërkohet shumë diskutim që të na provojë se bashkimi është fuqi dhe se një popull i bashkuar ka forcë që një popull i përçarë nuk e zotëron”. Ai vazhdon: “Shenjtorët e Perëndisë nuk mund të begatohen nëse nuk kanë unitet” 6.
Nga ana tjetër, është e rëndësishme për ne të kuptojmë se përçarja shkakton rrënim dhe shkatërrim. Zoti paralajmëroi: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë”7. Kjo është kaq shumë e vërtetë në çfarëdo situate të mundshme jetësore që ta gjejmë veten. Nëse dëshiroj të qëndroj dhe të jem i suksesshëm, dhe i lumtur si individ, unë duhet të jem “një me veten dhe me Perëndinë”. Nëse dëshirojmë të qëndrojmë dhe të jemi të suksesshëm, dhe të lumtur në martesën e familjen tonë, duhet të jemi të bashkuar. Nëse dëshirojmë të qëndrojmë dhe të jemi të suksesshëm, dhe të lumtur në lagjet e kunjet tona, duhet të jemi të bashkuar. Në çdo rast, përçarja do të çojë në rrënim. Ajo do të dobësojë aftësinë tonë për të qëndruar e për të përparuar. Si rezultat, ne gjejmë mungesë lumturie dhe shpesh hidhërim. Por nëse jemi të bashkuar, do të jemi të suksesshëm edhe në situata që duken të pashpresa.
Më pëlqen shumë fabula që vijon:
“Na ishte një herë një tufë pëllumbash që fluturonin në kërkim të ushqimit, të udhëhequr nga mbreti i tyre. Një ditë, kishin fluturuar shumë larg dhe ishin të lodhur. Mbreti i pëllumbave i nxiti ata të fluturonin edhe pak më tej. Pëllumbi më i vogël mori shpejtësi dhe gjeti pak oriz të shpërndarë ndën një pemë fikusi indian. Kështu të gjithë pëllumbat u ulën në tokë dhe filluan të hanë.
Befas një rrjetë ra sipër tyre dhe të gjithë u zunë në kurth. Ata panë të afrohej një gjahtar që mbante një kopaçe shumë të madhe. Pëllumbat i rrahën krahët e tyre me dëshpërim duke u përpjekur të shpëtonin, por pa dobi.
Mbreti pati një ide. Ai i këshilloi të gjithë pëllumbat të fluturonin lart së bashku duke e mbartur rrjetën me vete. Ai tha se bashkimi bënte fuqinë.
Secili pëllumb kapi një pjesë të rrjetës dhe së bashku fluturuan duke e mbartur rrjetën me vete. Gjahtari i pa i çuditur. Ai u përpoq t’i ndiqte, por ata po fluturonin lart mbi kodra e lugina. Ata fluturuan tek një kodër pranë një qyteti tempujsh, ku jetonte një mi, që mund t’i ndihmonte. Ai qe mik besnik i mbretit të pëllumbave.
Kur miu e dëgjoi zhurmën e madhe prej afrimit të tyre, ai shkoi të fshihej. Mbreti i pëllumbave e thirri butësisht dhe pastaj, miu u gëzua kur e pa. Mbreti i pëllumbave shpjegoi se ata ishin kapur në kurth dhe u duhej ndihma e miut që ta brente rrjetën me dhëmbët e tij dhe t’i lironte.
Miu ra dakord duke thënë se do të çlironte mbretin të parin. Mbreti ngulmoi që ai të lironte së pari nënshtetasit e tij dhe së fundi mbretin. Miu i kuptoi ndjenjat e mbretit dhe u pajtua me dëshirat e tij. Ai filloi të priste rrjetën dhe, një e nga një, të gjithë pëllumbat u çliruan, përfshirë mbretin e pëllumbave. Të gjithë falënderuan miun dhe fluturuan së bashku, të bashkuar në fuqinë e tyre.”
Kjo përrallë tregon këndshëm parimin dhe forcën e unitetit. Cilidoqoftë objektivi ynë, sado e vështirë të mund të duket një detyrë, nëse ne i qasemi me unitet, ne kemi një shans të mirë që t’i arrijmë synimet tona dhe të përmbushim qëllimin tonë. Ati ynë Qiellor na jep shembullin e përkryer mbi unitetin në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta. Ne lexojmë për ta (Kreun-Perëndi): Këta tre personazhe janë një në unitet dhe harmoni të përsosur të qëllimit dhe doktrinës9.
Ne ftohemi të ndjekim shembullin e tyre si bashkëshort e bashkëshorte ndërsa përpiqemi të rrisim fëmijë të drejtë. Në thirrjet tona në Kishë, neve na duhen përpjekje të bashkuara ndërsa përpiqemi të këshillohemi në lagje e kunje për t’u sjellë shpëtim fëmijëve të Atit Qiellor. Uniteti në drejtësi dhe dëshirë i thur zemrat tona së bashku, ai na lidh me fuqitë e qiellit dhe përgatit rrugën për frymëzim dhe zbulesë. Ne vërtet do të bëhemi mjete në duart e Zotit për shpëtimin e shpirtrave. Uniteti është më i rëndësishëm sesa të qenit në rregull.
Plaku Xhorxh Q. Kanon dha mësim: “Supozoj se secili prej nesh dëshiron të veprojë sipas mënyrës së tij. E di se unë dua. Jam i gatshëm të rrëfej se më pëlqen të veproj sipas mënyrës sime. Por nuk e dua mënyrën time aq shumë sa ta dua në kundërshtim me mënyrën e vëllezërve të mi. Kjo është detyra jonë si Presidenca e Parë e Kishës. Kjo është detyra e çdo presidence në mbarë Kishën.
Presidentët e kunjeve e këshilltarët e tyre, peshkopët e këshilltarët e tyre dhe të gjithë ata që veprojnë në poste kryesuese, duhet të jenë të bashkuar. Është detyra jonë si Presidenca e Parë e Kishës ta kërkojmë këtë shpirt uniteti, për të cilin u lut Shpëtimtari, dhe të jemi një, t’i sjellim ndjenjat tona në këtë varësi dhe, kur dy vetë bien dakord për një gjë dhe i treti nuk arrin ta kuptojë këtë, le të thotë ai: ‘Po bashkohem me ju. Asnjë ndjenjë që vjen në zemrën time nuk do të hyjë mes juve dhe mua.’”10
Ne jo vetëm që ftohemi të jemi të bashkuar, është gjithashtu më e rëndësishme të jemi të bashkuar sesa të ndjekim një plan të shkëlqyer, nëse jo të gjithë mund të bien dakord me të. Përsëri po citoj nga Presidenti Kanon:
“Supozoni se një njeri ka më shumë mençuri se një tjetër; është më mirë të zbatoni një plan që nuk është kaq i mençur, nëse jeni të bashkuar për të. Duke folur në përgjithësi, një plan ose një politikë që mund të jetë më e dobët në disa anë, është më efikase nëse njerëzit janë të bashkuar për të sesa do të ishte një plan më i mirë për të cilin janë të ndarë.”11
Ndërsa kryejmë detyrimet dhe detyrat tona të ndryshme, le ta bëjmë këtë në unitet. Do të arrijmë një nivel më të thellë të paqes, një nivel më të fortë të frymëzimit, një nivel më të lartë përmbushjeje dhe do të jemi të zgjedhurit e Zotit.12
SHËNIME
1. Moisiu 7:33.
2. Gjoni 17:21.
3. Moisiu 6:68.
4. Doktrina e Besëlidhje 38:27.
5. Doktrina e Besëlidhje 6:34.
6. Discourses of Wilford Woodruff (1890), f. 172 dhe Deseret Weekly, 30 gusht (1890), f. 305.
7. Mateu 12:25.
8. Unity is Strength, Ajit Hari Sahu, www.whereincity.com/stories/children/5909.html.
9. Gjoni 17:21--23; shih edhe 2 Nefi 31:21; shih edhe 3 Nefi 11:27, 36.
10. Discourses and Writings of George Q. Cannon, George Q. Cannon, Vëll 1, përzgjedhur, redaktuar dhe organizuar nga Jerreld I. Newquist (1957), f. 207.
11. Discourses and Writings of George Q. Cannon, George Q. Cannon, Vëll 1, përzgjedhur, redaktuar dhe organizuar nga Jerreld I. Newquist (1957), f. 207.
12. Gjoni 17:9--11.