Lajme nga Bota - 25. gusht 2011 |
Të rinj në moshë madhore të shumë besimeve, njësoj si anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, besojnë në përkorjen seksuale përpara martesës dhe në besnikërinë e plotë pas martesës. Në një video të publikuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, një budist, një katolik, një mysliman, një i krishterë që nuk i përket ndonjë sekti të caktuar dhe një mormon, flasin çiltërsisht për zgjedhjet e tyre vetjake.
Kur u bëhen pyetje mbi arsyen përse ata e jetojnë këtë parim në jetën e tyre, një vendosmëri e fortë dhe bindjet vetjake dalin nga përgjigjet e tyre.
Përse këta të rinj zgjedhin që të mbeten të dëlirë përpara martesës? Gledisi përgjigjet duke folur për rëndësinë dhe shenjtërinë e fuqisë së krijimit, ndërsa Koneri paralajmëron mbi rreziqet e të qenit të shthurur seksualisht në ditët e sotme.
Pasi dikush bën këtë zgjedhje, si e mban ai ose ajo atë, veçanërisht në një shoqëri ku shumë njerëz thonë se nuk mund ta kontrollojnë veten? “Kur njerëzit thonë se të rinjtë në moshë madhore nuk mund t’i mbajnë nën kontroll nevojat e tyre seksuale, për mua është disi fyese që unë s’mund ta kontrolloj veten, pasi unë e di që mundem”, thotë Kleri. “Vëreni veten në një mjedis të mirë, mos e vini veten në vende të pamoralshme”, shton Eriku, ndërsa Gledisi na siguron se “Perëndia do të jetë gjithmonë aty për të dhënë ndihmë”.
Mjaft interesant është fakti se këta të rinj, nuk e ndiejnë zgjedhjen e tyre si diçka që i frenon apo i kufizon përvojat e jetës së tyre: “Unë ndihem mirë, mendoj se kam më shumë mundësi zgjedhjeje”, thotë Pratima.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme fton gjithsecilin ta shohë këtë video lartësuese dhe t’ia tregojë atë miqve dhe familjes.
Adresa e videos në internet (vetëm në anglisht):
newsroom.lds.org/article/mormon-message-interfaith-young-adults-sexual-purity