Kirche Jesu Christi der Heiligen der Letzten Tage
Lajme nga Bota - 10. maj 2010

 

Një delegacion i Kishës merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi “Lirinë e Fesë në Shoqëritë Demokratike”

Një delegacion i Kishës merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi “Lirinë e Fesë në Shoqëritë Demokratike”

Më 2-4 maj qeveria spanjolle, që kryeson Bashkimin Europian deri në qershor 2010, mbajti një Konferencë Ndërkombëtare mbi “Lirinë e Fesë në Shoqëritë Demokratike” në Kordovë të Spanjës. Një delegacion i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ishte i ftuar në konferencë. Plaku Erik W. Kopishke, President i Kishës në Zonën e Europës, qe kreu i delegacionit. Në konferencë morën pjesë gjithashtu Frerih Goerts, Koordinator i Kishës i caktuar për Bashkimin Europian, Plaku Faustino Lopez, I Shtatëdhjetë Zonal nga Spanja, dhe Gabriele Sirtl, Drejtore e Çështjeve Publike për Zonën e Europës.

Rreth 120 udhëheqës qeveritarë europianë, udhëheqës fetarë, arsimtarë, përfaqësues të shoqërisë dhe të medias qenë të pranishëm në Konferencën e Kordovës nën mikpritjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Spanjës dhe që bashkësponsorizohej nga Aleanca e Qytetërimeve e Kombeve të Bashkuara.

Pas një sesioni plenar me temë “A kanë nevojë të rimendojnë demokracitë mbi pluralizmin fetar?” u mbajtën katër panele të njëkohshme. Plaku Kopishke dhe Frerih Goerts u ftuan të merrnin pjesë dhe të jepnin ligjëratë në këto dy diskutime në panele: “Roli i udhëheqësve fetarë në nxitjen e kulturës së paqes” dhe “Pluralizmi fetar në shoqëritë demokratike”.

Plaku Erik Kopishke tha sa vijon mbi diskriminimin dhe tolerancën fetare: “Historia e Kishës së njohur zakonisht si ‘Mormonët’, gjendet në luhatjen mes poleve kontradiktore të përndjekjes së egër dhe pranimit admirues të anëtarëve të saj… Gati gjysmëmilionë anëtarët e Kishës në Europë, vlerësojnë respektin që iu akordohet dhe lirinë e fesë e të besimit të mbrojtur përgjithësisht nga kushtetuta. Ata gjithashtu përpiqen vetë t’i trajtojnë me respekt njerëzit e besimeve të tjera apo ata të asnjë besimi…

Megjithatë, nganjëherë vështirësitë në ndërveprimet njerëzore, deri më sot, në shoqëritë europiane shkaktohen nga emërtimi i përgjithësuar i kishave në pakicë, gjatë përdorimit të përditshëm e në mjetet informuese. Në veçanti, shprehje të tilla si “sekt” ose “kult”, “tentojnë me efektin e tyre stereotipik […] të mjegullojnë postulatin gazetaresk të ndarjes mes lajmit dhe opinionit” dhe të krijojnë kufizime dhe paragjykime. Komunitetet fetare, pasuesit e të cilëve jetojnë sistematikisht sipas rregullave të veçanta, kritikohen shpejt. Studiuesit gjermanë të shkencave politike Uve Bakes dhe Ekhard Jese komentojnë për këtë: “E gjitha kjo mund t’u duket tepër ‘e dyshimtë’ konsumatorëve bashkëkohës lumturisht të shkujdesur, por vendimi për t’u sjellë ‘ndryshe’, jetuar ‘ndryshe’ dhe menduar ‘ndryshe’ është i hapur për individin në një shoqëri të lirë, për sa kohë ai nuk nëpërkëmb të drejtat e të tjerëve. Historia e monasticizmit të krishterë tregon se komunitete të vogla të mbyllura mund të jenë një burim frymëzimi dhe janë të afta t’i pasurojnë këto shoqëri në mënyra të shumta.”

Me këtë formim historik dhe shoqëror pas meje, qëndroj sot para jush si dikush i cili është i ndikuar personalisht. Për mua, diskutimi mbi temën e tolerancës fetare është më tepër se thjesht një ushtrim i kërkuar akademik. Ai lidhet ngushtë me vetëdijen time për kuptimin e jetës dhe lirinë për ta adhuruar Perëndinë sipas diktatit të vetë ndërgjegjes sime. Për atë arsye, unë nuk mund të shmang mbrojtjen e saj [tolerancës] me pasion.

Neni i njëmbëdhjetë, prej trembëdhjetë Neneve të Besimit ku përmblidhen mësimet themelore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, deklaron: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin.”

Ky parim i besimit, që u formulua në vitin 1842, mund të shërbejë edhe sot si një parim udhëzues për ndërveprimin paqësor mes feve. Ai jo vetëm shpall lirinë vetjake të dikujt për të adhuruar Perëndinë, por veçanërisht ua jep atë gjithë njerëzve të tjerë. Unë do të shkoj edhe një hap më tej dhe do të them se është detyra jonë si të krishterë e qytetarë që aktivisht t’i mbrojmë e mbështesim të tjerët në lirinë e tyre.

Përkrahja e të drejtave të të tjerëve është një urdhërim dhe sfidë për të gjithë. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se jetojmë në një botë larmie të madhe. Fetë botërore, por gjithashtu ndarjet e krishtera mes tyre, mund të ndryshojnë në çështje mësimesh dhe praktikash fetare. Por kjo nuk duhet të çojë në antipati ose të na bëjë të mendojmë se jemi më të shenjtë apo më të mirë se të tjerët. …

Për mua është e qartë se, kudo që mund të lulëzojë liria fetare, vjen demokracia dhe mirëqenia ekonomike. Nëse liri të tilla kufizohen, për çfarëdo arsye, demokracia zhduket dhe konfliktet lindin.

Si njerëz të besimit, ne duhet të qëndrojmë krah për krah për të shpallur liri të fesë, kushtetuese, institucionale dhe shoqërore.”

Në Nenin 17 të Traktatit të Lisbonës, pozita e kishave dhe e shoqërive apo komuniteteve fetare respektohet sipas ligjit kombëtar në çdo shtet anëtar të BE-së dhe në paragrafin e tretë të tij BE merr përsipër angazhimin për të mbajtur një dialog të hapur, të sinqertë dhe të rregullt me këto kisha. Konferenca e Kordovës synonte të kontribuonte në këtë kuadër për dialog me pjesëmarrjen e udhëheqësve të pikëpamjeve të lartpërmendura.

Qëllimi kryesor i konferencës ishte të diskutohej liria e fesë në shoqëritë demokratike, meqë demokracia dhe sundimi i ligjit sigurojnë kuadrin ideal për të ushtruar lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes, për ushtrimin e besimit dhe të pluralizmit të kredove. Konferenca e Kordovës qe një ushtrim që synoi të ofronte rezultate të veçanta që mund të përkthehen në nisma e projekte të KB (Kombeve të Bashkuara) në katër fusha përparësish: edukimi, rinia, media dhe emigracioni.

Rezultatet e Konferencës së Kordovës do të paraqiten më 27-29 maj 2010, në Rio-de-Zhanejro, në një konferencë të Aleancës së Qytetërimeve të KB. Një rrjet i fuqishëm i mbi 2.000 udhëheqësve politikë dhe të korporatave, aktivistëve të shoqërisë civile, të të rinjve, gazetarëve, fondacioneve dhe udhëheqësve fetarë do të mblidhet në Rio-de-Zhanejro dhe do të bien dakord për veprime të përbashkëta për të përmirësuar marrëdhëniet mes kulturave dhe për të krijuar kushtet për paqe afatgjatë.


Kontakt për media:
Gabriele Sirtl
Tel. +49-69-54802266
Celular +49-171-5216418
sirtlga@ldschurch.org


Diçiturat e fotografive:

 

 



Delegacioni i Kishës - (nga e majta në të djathtë) Frerich Goerts, Plaku Faustino Lopez, Gabriele Sirtl, Plaku Erik W. Kopishke

Qendra e Kongreseve e Kordovës

Fotograf: Faustino Lopez