Kirche Jesu Christi der Heiligen der Letzten Tage
Lajme nga Bota - 11. maj 2010

 

Informacion biografik i Plakut Erik W. Kopishke

Plaku Erik W. Kopishke u thirr si anëtar i Kuorumit të Parë të Të Shtatëdhjetëve më 31 mars 2007, në moshën 50-vjeçare. Më parë ai shërbeu si anëtar i Kuorumit të Tretë të Të Shtatëdhjetëve dhe I Shtatëdhjetë Zonal. Si I Shtatëdhjetë Zonal, ai shërbeu si Këshilltar i Dytë në ish-Presidencën e Zonës së Europës Qendrore. Pas thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm, ai shërbeu si Këshilltar i Parë në Presidencën e Zonës së Europës. Aktualisht ai shërben si President i Zonës së Europës.

Plaku Kopishke në djalëri shërbeu në mision, në Misionin Gjerman të Mynihut. Në vitin 2003 ai u thirr të kryesonte mbi Misionin Gjerman të Berlinit, që përfshinte zonën gjeografike të ish-Republikës Demokratike Gjermane si dhe Berlinin Perëndimor. Përpara asaj thirrjeje, ai kishte shërbyer në pozicione të shumta në Kishë, përfshirë president kunji, president distrikti, anëtar i këshillit të lartë, president dege dhe këshilltar në dy peshkopata.

Plaku Kopishke mori trajnim profesional dhe diplomë për biznes. Ai u vetëpunësua si komisioner sigurimesh dhe më vonë qe Drejtues Administrativ i një kompanie sigurimesh mbarëkombëtare në Gjermani, për dhjetë vjet. Në atë kohë ai u punësua nga Sistemi Arsimor i Kishës, ku u bë Drejtor Zonal për Zonën e Europës Qendrore, deri në thirrjen e tij si president misioni. Në kohën e thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm, ai qe punësuar si Bashkërendues për Seminarin dhe Institutin, i vendosur në Frankfurt të Gjermanisë.

Plaku Kopishke lindi në Elmshorn të Gjermanisë nga prindërit Kurt E. dhe Helga Kopishke, më 20 tetor 1956. Prindërit e tij qenë të kthyer në besim besnikë që jetonin në Gjermaninë Lindore. Pak para lindjes së Plakut Kopishke, ata u arratisën, mrekullisht, në Gjermaninë Perëndimore.

Plaku Kopishke u martua me Kristiane Glyk në Tempullin e Bernës në Zvicër, në 1978-ën. Ata janë prindër të shtatë fëmijëve, dy vajza dhe pesë djem, ku përfshihen dy djem binjakë. Ata kanë katër nipër e mbesa. Familja banon në Usingen të Gjermanisë.

Plakut dhe Motrës Kopishke u pëlqen shumë të kalojnë kohë me fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre; veçanërisht duke shijuar natyrën dhe duke marrë pjesë familjarisht në aktivitete në natyrë, si ato të marshimit, rrëshkitjes me ski, notit dhe shëtitjes me biçikletë.


 
Motra Kristiane Glyk Kopishke lindi në Hamburg të Gjermanisë. Babai i saj, Rolf Glyk, u rrit në Kishë. Si misionar kohëplotë, ai kishte takuar, mësuar dhe pagëzuar nënën e saj, Kristel Apolke Glyk. Meqë prindërit e saj ishin që të dy anëtarë aktivë të Kishës, Motra Kopishke pati bekimin që të rritej në një familje që e donte dhe e jetonte ungjillin. Pasi mori diplomën në shkollën e mesme, ajo e vazhdoi arsimimin e saj në Shkollën e Infermierisë të Spitalit të Sen-Georgit në Hamburg, ku mori diplomë për infermieri.

Ndërsa qe në shkollë, ajo takoi bashkëshortin e saj, Erik W. Kopishke, dhe ata u martuan në Tempullin e Zvicrës më 19 dhjetor 1978. Motra Kopishke ndërpreu punën mbas lindjes së fëmijëve të tyre. Ajo gjeti kënaqësi në thirrjen e saj si nënë e shtatë fëmijëve dhe gjithmonë e konsideroi këtë një detyrë kohëplotë dhe përmbushëse për jetën. Ajo është një person optimist, energjik, i dashur, edukues dhe entuziast, që mbart një qëndrim pozitiv dhe entuziazëm të përzemërt në marrëdhëniet e saj me familjen, miqtë dhe të njohurit. Asaj i pëlqen shumë të këndojë në kore dhe me familjen e saj, një talent që e ka trashëguar nga prindërit.

Motra Kopishke ka shërbyer tek Të Rejat dhe Shoqata e Ndihmës, shumicën e jetës së saj si e rritur. Në kohën e saj të lirë asaj i pëlqen shumë të jetë me bashkëshortin, fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj. Ajo dhe Plaku Kopishke kanë shtatë fëmijë dhe katër nipër e mbesa.

Ajo ka shumë pasione. Asaj i pëlqen shumë të qepë, të lexojë, të bëjë ushtrime fizike, të studiojë shkrimet e shenjta dhe çfarëdo lloj aktiviteti në natyrë. I pëlqen gjithashtu të ndajë ungjillin me fqinjë, miq dhe të njohur. Një nga kënaqësitë e saj më të mëdha është të hapë shtëpinë për të ftuarit dhe të shoqërohet e të kënaqet me familjen dhe miqtë.