Lajme nga Bota - 03. mars 2010 |
Të bashkuar në dashuri dhe ndihmë
Shkruar nga Tupuola George Hunt
E martë, 2 shkurt 2010 14:29
Rreth dyzetë burra nga Lagjja e 5-të e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Pasega u mblodhën në Saleapaga, Lepa, të shtunën më 23 janar 2010 për të ndërtuar një shtëpi për familjen Fa’atoia Vi’iga.
Pasi kishin humbur çdo gjë përfshirë një nga fëmijët e tyre gjatë cunamit të 29 shtatorit 2009, familja Vi’iga kishte një nevojë dëshpëruese për shtëpi.
Ata janë një nga 40 familjet për të cilat Kisha e SHDM po u siguron shtëpi.
Dita filloi herët për këtë grup Pleqsh dhe Priftërinjsh të Lartë, që u takuan në orën 4 të mëngjesit për të filluar udhëtimin e tyre nga Pesega për në Saleapaga.
Ata u ndanë në dy ekipe që mbikëqyreshin nga profesionistë më të formuar dhe shpejt iu futën punës me seriozitet.
Duke punuar pa u lodhur gjatë gjithë ditës vetëm me një pushim të shkurtër për drekë, ata niveluan dyshemenë, vendosën shtyllat, përzien dhe hodhën betonin dhe montuan çatinë metalike.
Ata filluan gjithashtu bllokun e tualetit dhe dushit, por u la përgjysmë sepse mbaruan materialet, kështu kjo është për t'u mbaruar.
Një punë që normalisht do të kërkonte një javë apo më shumë, u krye për vetëm një ditë nga një grup entuziast vullnetarësh që përfshinte shumë pensionistë.
Nga të dyzetë shtëpitë që u ndërtuan nga Kisha e SHDM në zonën e dëmtuar nga cunami, tridhjetë ose janë përfunduar ose janë në proces, me dhjetë të tjera për t'u filluar.
Shumë nga shtëpitë do të ndërtohen me punë vullnetare nga anëtarë të Kishës nga Lagje dhe Kunje nga e gjithë Samoa, të tillë si ky grup entuziast i burrave.
Megjithë dhimbjen e kockave dhe trupat e rraskapitur nga projekti i tyre gjithëditor i dashurisë, grupi u ndie i bekuar që iu dha mundësia të jepte diçka nga vetja.
Të pyetur nëse do ta bënin përsëri këtë, përgjigja e shumë prej tyre - pa ngurim - ishte një "po” e fortë.
Të tjerë që nuk mund të shkonin për shkak angazhimesh të tjera, janë gjithashtu shumë të gatshëm të shkojnë duke thënë se nuk duan të mbeten jashtë bekimit për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
Familja Vi’iga shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e sinqertë për Kishën dhe grupin e fortë prej 40 vetësh mbajtës të priftërisë që u dhanë atyre një shtëpi të re.
Familja pritej të futej në shtëpinë e saj të re të hënën, më 25 janar 2010.