Lajme nga Bota - 17. mars 2010

 

Kënd i internetit i sponsorizuar nga Kisha lidh rininë në mbarë botën

    Kënd i internetit i sponsorizuar nga Kisha lidh rininë në mbarë botën
Më 9 janar 2010 u vu në funksionim një kënd i ri mbarëbotëror interneti për rininë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Duke vizituar www.youth.lds.org, adoleshentët mund të lexojnë ndodhi vetjake, të shohin fotografi e video dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Ky kënd i lidh të rinjtë së bashku (nëpërmjet ungjillit) rreth e rrotull globit. Këndi i internetit ka për qëllim të frymëzojë dhe ndihmojë të rinjtë në rutinën e jetës së tyre të përditshme.

Hyrja në kënd hap katër zona kryesore për t’i eksploruar:
 “For Youth Today”[“Për Të Rinjtë Sot”] ofron mesazhe të përditshme frymëzimi për të rinjtë nga udhëheqësit e Kishës që shpesh shoqërohen me fotografi, materiale zanore dhe materiale pamore.

     “For the Strength of Youth” [“Për Forcën e Rinisë”] paraqet të rinj, anëtarë të Kishës rreth e rrotull globit, që tregojnë se si jeta sipas ungjillit dhe ndjekja e Jezu Krishtit kanë bekuar jetën e tyre. Përfshihen dhjetë video shumëkulturore dhe shumëgjuhëshe të posaçme që tregojnë mbi standardet për rininë e Kishës. Seksioni We Testify [Ne Dëshmojmë] ka një mur të kompozuar që paraqet fytyra të rinjsh ku vizitori i këndit të internetit mund të klikojë për të lexuar një deklaratë besimi të shkruar nga i riu/e reja.

    “Mormon Messages for Youth”[“Mesazhe Mormone për Rininë”] përmban video që paraqesin fjalë të profetëve të gjallë dhe tema të tjera në kohë që u drejtohen nevojave të të rinjve sot.
 “From Every Nation”[“Nga Çdo Komb”] paraqet ndodhi të rinjsh ngado në botë që ndjekin Jezu Krishtin në jetën e tyre të përditshme. Këto ndodhi tregohen përmes artikujve të shkurtër të plotësuar me video, fotografi dhe regjistrime zanore.

Youth.lds.org është një burim mediatik për të rinjtë që të shohin njëri-tjetrin duke jetuar standardet e ungjillit në një botë ku shumica e asaj që shohin, veçanërisht në mjetet masive të informimit, nuk i përforcon ato standarde. I riu i Kishës Ani Avanesjan, 16 vjeç, nga Gjermania, iu përgjigj kështu këndit të ri të internetit: “Sipas mendimit tim, është një ide e mrekullueshme t’u tregosh të rinjve se ata nuk janë vetëm në këtë botë. Ka kaq shumë individë të shkëlqyer të cilët, me një buzëqeshje, mund të ndryshojnë botën e dikujt tjetër. Unë mbushem me gëzim dhe prekem kur të rinj të tjerë ndajnë ndjenjat dhe emocionet e tyre si dhe tregojnë përvoja se si Ati Qiellor i ka ndihmuar ata të kapërcejnë sfida. Secila dëshmi është një dhuratë nga Perëndia dhe forcon vetë dëshminë time, çdo ditë.”
Këndi i internetit do të përditësohet rregullisht me informacion të freskët dhe mesazhe të reja e të rëndësishme për të rinjtë. Aktualisht, ky kënd është i disponueshëm vetëm në anglisht, por këtë vit do të fillojë puna për ta përkthyer në shumë gjuhë.
Udhëheqësit e Kishës i nxitin prindërit dhe udhëheqësit e të rinjve t’i përdorin burimet e këtij këndi në mbrëmjet familjare, mësime dhe diskutime vetjake. Të rinjtë nxiten t’ua tregojnë miqve dhe gjithashtu të marrin pjesë në kënd duke ndihmuar që të forcohen të rinj të tjerë.
Elldër Rilej dhe Motra Karol Katler, Sektori i Çështjeve me Publikun, Zona e Europës