Lajme nga Bota - 25. qershor 2010 |
Zona e Europës ndikon në Udhëheqjen e Kishës
Më 3 prill 2010, në Konferencën e Përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (Mormonëve), u njoftuan gjashtë udhëheqës të rinj, që të gjithë nga Zona e Europës e Kishës. Dy do të shërbejnë si Autoritete të Përgjithshme, një detyrë afatgjatë, ndërsa katër të tjerët nisën një detyrë me afat 5-vjeçar. Përgjegjësitë e tyre do të jenë të ndryshme, por të gjitha do të nxisin ndjekjen e shembullit sipas shkrimeve të shenjta të Shpëtimtarit Jezu Krisht, përmes shërbimeve të adhurimit, dhe rritjen e familjeve sipas shembullit të mësimeve të Tij.
Plakut Patrik Kiëron iu kërkua të pranonte detyrën për të punuar në Kourumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve ndërsa Plaku Per G. Malm do të shërbejë në Kuorumin e Dytë të Të Shtatëdhjetëve.
Plaku Patrik Kiëron
Patrik Kiëron, 48 vjeç, po shërbente si anëtar i Kuorumit të Tretë të Të Shtatëdhjetëve në Zonën e Europës Perëndimore kur u thirr të shërbente në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve.
Plaku Kiëron u edukua në Lindjen e Mesme dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka jetuar dhe punuar në Mbretërinë e Bashkuar, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara në fusha të ndryshme, përfshirë kujdesin shëndetësor, ushqimet, industrinë e automobilave dhe transportin. Ai drejton një firmë të vetën këshilluese mbi komunikimet. Pjesëmarrja qytetare dhe në komunitet ka përfshirë shërbim në bordet e një organizate bamirëse, një shkolle, një agjencie sipërmarrjeje dhe një kolegji.
Pasi u bashkua me Kishën në prag të Krishtlindjes në 1987-ën, Plaku Kiëron ka shërbyer në thirrje të shumta në Kishë, përfshirë ndihmës i nëpunësit të lagjes, president i Të Rinjve i lagjes, këshilltar peshkopi, president dege dhe president kunji.
Patrik Kiëron u lind në Karlisli në Kumberland të Anglisë më 18 korrik 1961. Ai u martua me Xhenifer Kerëll Hjulm në vitin 1991. Ata janë prindër të katër fëmijëve, njëri prej të cilëve ka vdekur. Familja Kiëron jeton në Somerset të Anglisë.
Plaku Per G. Malm
Plaku Per G. Malm, 61 vjeç, po shërbente si anëtar i Kuorumit të Tretë të Të Shtatëdhjetëve në Zonën e Europës kur u thirr të shërbente në Kuorumin e Dytë të Të Shtatëdhjetëve.
Plaku Malm drejtoi për 11 vjet agjencinë e vet për prona të patundshme. Ai filloi të punonte për Kishën në vitin 1980 si administrator rajonal për pasuritë e patundshme. Kur la punësimin në Kishë në vitin 2003, qe drejtor për çështje materiale në Europë. Ai ka dalë në pension kohët e fundit si këshillues për biznese. Plaku Malm mori diplomë masteri për biznes dhe ligj publik nga Universiteti i Goteborgut në Suedi dhe mori diplomë mbi ligjin suedez (LLM) nga Universiteti i Lundit.
Plaku Malm ka shërbyer në thirrje të shumta në Kishë, përfshirë misionar kohëplotë në Misionin Suedez të Stokholmit, president misioni i kunjit, president dege, këshilltar i lartë, këshilltar i presidentit të misionit, këshilltar i presidentit të kunjit, president kunji, udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë, president misioni dhe drejtor për çështje publike për Suedinë.
Per Gosta Malm lindi në Jonkoping të Suedisë më 12 shtator 1948. Ai u martua me Ingrid Agneta Karlson në Tempullin e Bernës në Zvicër, në tetor 1969. Ata janë prindër të tetë fëmijëve. Plaku dhe Motra Malm jetojnë në Goteborg të Suedisë.
Duke përfaqësuar anëtarësinë në rritje të Kishës në Europë, katër udhëheqës të tjerë u miratuan nga Uellsi, Anglia, Gjermania dhe Suedia, gjatë punimeve zyrtare të zhvilluara në Solt-Lejk-Siti të Jutas në SHBA.

R. (Soni) DONALDSON, 52 vjeç, Denbigshajër, Uells; koordinator, Sistemi Arsimor i Kishës; shërben aktualisht si këshilltar i parë i Qendrës për Trajnim Misionar të Anglisë; ish-peshkop, këshilltar i lartë, anëtar i presidencës së kunjit dhe president kunji. Bashkëshortja, Kristina; katër fëmijë.
KRISTIAN FINGERLE, 42 vjeç, Usingen, Gjermani; drejtor zone i Sistemit Arsimor të Kishës; shërben aktualisht si udhëheqës misioni i lagjes; ish-anëtar i presidencës së degës, president dege, këshilltar i lartë dhe president kunji. Bashkëshortja, Sibila Evelin; pesë fëmijë.
R. INGVAR OLSON, 61 vjeç, Haninge, Suedi; regjistrues tempulli, Tempulli i Stokholmit në Suedi; shërben aktualisht si këshilltar për historinë familjare i zonës; ish-peshkop, këshilltar i lartë, përfaqësues rajonal, anëtar i presidencës së kunjit dhe president kunji. Bashkëshortja, Barbro Anita Kristina; dhjetë fëmijë.
KREIG T. RAJT, 42 vjeç, Safolk, Angli; drejtor funksionimi, Liftsheër; i liruar kohët e fundit si peshkop i Lagjes Korleston, Kunji Noruiç i Anglisë; ish-peshkop, këshilltar i lartë dhe president kunji. Bashkëshortja, Xhoen Mari; katër fëmijë.
Tre udhëheqës të tjerë nga Zona e Europës përfunduan detyrat e tyre dhe u liruan nga shërbimi. Ata ishin Pleqtë Frerih J. Goerts, Kristian H. Kleijveg dhe Johan A. Vondra.