Lajme nga Bota - 02. qershor 2010 |
Presidenti i Zonës së Europës flet në konferencën botërore mbi dialogun ndërfetar, në Maqedoni
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e pajisur me përvoja dhe mjete unike që të sjellë ndryshim jo vetëm për besnikët e vet, por për shoqërinë në përgjithësi, pohoi Plaku Erik W. Kopishke në Konferencën e Dytë Botërore mbi Dialogun Ndërfetar dhe Ndërkulturor (lidhje në internet: http: //worldconferenceohrid.kultura.gov.mk). “Ne jemi njerëz me vullnet të mirë, të gatshëm të bashkohemi me të tjerët për të mbrojtur atë që është e virtytshme, e dashur, ose me famë të mirë, apo e denjë për t’u lavdëruar”, tha Presidenti i Kishës për Zonën e Europës përpara disa qindra udhëheqësve qeveritarë, studiuesve dhe përfaqësuesve të kishave e komuniteteve fetare.
Aktiviteti i mbajtur në Ohër të Maqedonisë, nga 6-8 maj 2010, u organizua në bashkëveprim nga Ministria e Kulturës dhe Komisioni për Marrëdhëniet me Komunitetet Fetare i Republikës së Maqedonisë dhe u mbështet nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara (UNESCO).
Plaku Kopishke kryesoi një delegacion katër-anëtarësh të Kishës. Dr. Johan Vondra, këshilltar i posaçëm për Ballkanin i Presidencës së Kishës për Zonën e Europës, foli gjithashtu gjatë një sesioni plenar të konferencës, duke theksuar se paqja në botë fillon në shtëpi e në familje. Që të dy zhvilluan takime jozyrtare me udhëheqës të ndryshëm qeveritarë dhe fetarë gjatë konferencës. Ata shoqëroheshin nga Sterling David Kolton, Këshilltar Ligjor Europian, dhe Ralf Grynke, Ndihmësdrejtor për Europën i Çështjeve Publike të Kishës. Ky i fundit u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar Organizator për Konferencën e Tretë Botërore, programuar që të zhvillohet në vitin 2013.
Delegatët e konferencës miratuan një deklaratë që do t’i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), qeverive të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera. Deklarata pranon “se fetë kanë rëndësi jetike për të nxitur mesazhe dhembshurie dhe solidariteti mes komuniteteve, kombeve dhe shteteve” dhe “se të gjitha kulturat dhe fetë kanë cilësi dhe tipare dalluese”. Ajo përfshin direktivën për të “zvogëluar keqkuptimet mbi këto ndryshime e hendeqe kulturore dhe për të nxitur respektin reciprok mes komuniteteve dhe popujve”.
“Plak” është një titull fetar i përdorur në Kishë nga misionarët dhe anëtarët e këshillave udhëheqëse rajonale ose mbarëbotërore. Presidenca e Zonës së Europës është një organizëm qeverisës tre-anëtarësh i Kishës në Europë.
Diçitura e fotografisë: Plaku Erik W. Kopishke, President i Zonës së Europës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Kontakt për media:
Ralf Grünke
Telefon …
E-mail …