Kirche Jesu Christi der Heiligen der Letzten Tage
Lajme nga Bota - 20. korrik 2010

 

Përkushtohet tempulli i Sebusë

Përkushtohet tempulli i Sebusë

Mes njerëzve me shpirt përulësie e dashamirësie

Filipinet, një komb ishujsh, tani kanë 2 tempuj



Nga Xheri Avant, redaktor në Church News

SEBU, FILIPINE
Një nga ngjarjet e mëdha historike në Kishë si edhe në botë – përkushtimi i një tempulli të ri – ndodhi të dielën, më 13 qershor, kur Presidenti Tomas S. Monson ia kushtoi Zotit Tempullin e Sebusë në Filipine.

Presidenti Monson kryesoi, mbajti ligjërata mesazhesh frymëzuese dhe ofroi lutjen e përkushtimit në tre sesione, të mbajtura për të shënuar përfundimin e tempullit.

Hera e parë që ai pa brendësinë e tempullit, qe më 12 qershor, kur kaloi nëpër mjediset e ndërtesës së re. Pas vizitës, ai tha se kishte qenë disa herë në Filipine dhe se Sebuja – 11.700 km nga vendbanimi i tij në Solt-Lejk-Siti – “të duket si vendlindja”.

Para se të largohej nga tempulli, me mbylljen e sesionit përkushtues, ai e përforcoi këtë duke thënë: “Ky vërtet të duket si vendlindja. Këtu në Sebu është Shtëpia e Zotit, shtëpia e Atit tonë. Është tempull i bukur.”

Kur u pyet se si do t’i përshkruante ai shenjtorët filipinas, Presidenti Monson u përgjigj me një fjalë: të mësueshëm.

Ai shtoi se ata janë një popull i bekuar që ka një shpirt përulësie e dashamirësie.

Ndërsa po largohej nga tempulli, pasditen e së dielës, Presidenti Monson tha për gazetën Church News (Lajmet e Kishës):

“Ishte një ditë e mrekullueshme. Sesionet ishin, plotësisht, shumë shpirtërore.”

Ky rast historik nisi me vulosjen e një guri qosheje simbolik. Presidenti Monson vuri llaçin e parë dhe pastaj i ftoi të tjerët të vinin me radhë llaç nëpër gjatësinë e kreshtës së sipërme të gurit të qoshes, si shenjë e përfundimit të tempullit të ri. Ata që merrnin pjesë ishin Presidenti Henri B. Ajring, këshilltar i parë në Presidencën e Parë, Plaku Dallin H. Ouks nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve, Plaku Uiljam R.Uoker nga Të Shtatëdhjetët dhe drejtor ekzekutiv i Seksionit të Tempujve, Peshkopi Kryesues H. Dejvid Barton dhe disa fëmijë. Motrat Ketlin Ajring, Kristen Ouks dhe Barbara Barton shoqëronin bashkëshortët e tyre në Sebu.

Kutia e gurit të qoshes përmban gazeta, libra, fotografi dhe dokumenta lidhur me Kishën në Filipine, së bashku me botime të shkrimeve të shenjta në anglisht e sebuanisht dhe dy libra të Presidentit Monson.

Në përfundim të ceremonisë së gurit të qoshes, Presidenti Monson shprehu mirënjohje për filipinasit dhe sakrificat që bënë ata gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Seancat përkushtuese u transmetuan në 164 godina kishtare të kunjeve e distrikteve nëpër Filipine, në atë që Presidenti Ajring e quajti “ditë kremtimi dhe mirënjohjeje”.

Plaku dhe Motra Ouks jetuan në Filipine nga viti 2002 deri 2004. Ai tha se ngazëllehej që po kuptonte që shenjtorët e ditëve të mëvonshme filipinas janë “më të fortë e më besnikë sesa kur ne u larguam nga Filipinet, gjashtë vite më parë”.

Peshkopi Barton tha: “Ishte ditë e mrekullueshme. Kjo është dhuratë nga Perëndia për njerëzit që jetojnë në këtë pjesë të botës. Është gëzim të kesh mundësinë që të jesh këtu e të ndiesh shpirtin që qe sot këtu.”

Plaku Uoker tha: “Jam i sigurt se shenjtorët filipinas do ta kujtojnë këtë përherë, atë se si Presidenti Monson erdhi dhe ishte aq i këndshëm, dashamirës dhe i hirshëm. Do të kujtojnë se në ç’mënyrë u kushtoi vëmendje fëmijëve.”

Xherald E. Montimer, nga Amoni i Ajdahos, do të shërbejë si president i tempullit, me bashkëshorten Linda Montimer në shërbimin si grua mbikëqyrëse e tempullit. Këshilltarët e Presidentit Montimer janë Rejnaldo L. Kujong, nga Kahajan-de-Oro i Filipineve, dhe Xhes Li Bajrëm, nga Rigbi i Ajdahos. Bashkëshortet e tyre, Virxhinia Kujong dhe Debra Bajrëm, do të shërbejnë si ndihmëse për Motrën Montimer.

Që nga ceremonia e gurit të qoshes e deri në sesionin e fundit, Presidenti Monson përshëndeti shumë fëmijë. Ai u dha dorën dhe foli me ta sikurse do të bënte një gjysh i dashur.

Në rrugën e tij për në sesionin e fundit të përkushtimit, ai u ndal për të folur me 9-vjeçaren Kajla Ajesa Pakana, nga Dega Karmen e Kunjit të Liloanit në Filipine. Ajo në fillim u duk paksa e turpshme dhe ngurroi të fliste me Presidentin Monson. Por, papritmas, vrapoi drejt tij dhe ia hodhi krahët te beli. Ai e rrethoi trupin e saj të imët në një përqafim të ndërsjelltë.

Ata që e dëshmuan këtë skenë ndjeshmërie, reaguan njëherazi me pasthirrmën “ahh”.

 

 

Përshkrimi i Fotos:

Presidenti Tomas S. Monson flet me djem e vajza mbas drejtimit të ceremonisë së gurit të qoshes për Tempullin e Sebusë në Filipine. Anëtarët filipinas do ta kujtojnë gjatë interesimin e Presidentit Monson për fëmijët dhe dashamirësinë e tij ndaj tyre.