Lajme nga Bota - 25. janar 2010 |
Viti 2009 Solli Tempuj të Rinj, Përparimi i Kishës
Print Email Article
SOLT-LEJK-SITI 28 Dhjetor 2009 Dy dedikime tempulli janë mes shumë ngjarjesh të rëndësishme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme gjatë vitit 2009. Në mars, Presidenti Tomas S. Monson, udhëheqësi botëror i Kishës me 13.5 milion anëtarë, dedikoi Tempullin e Drejpërit në Juta. Në gusht, ai dedikoi Tempullin e Okuirr-Mauntinit në Juta, tempulli i 130-të i Kishës dhe tempulli i 13-të në Juta. Para dedikimeve, afro 1.3 milion njerëz vizituan tempujt gjatë periudhës së shtëpisë së hapur. vazhdon
Pasues Para
·
1. Presidenti Monson ndihmon një fëmijë në vendosjen e llaçit në gurin e themelit të Tempullit të Drejpërit në Juta
·
2. Presidenti Monson dedikoi tempujt e Drejpërit dhe Okuirr-Mauntinit në Juta.
·
3. Plaku Nil L. Andersen u bë apostulli më i ri në prill.
·
4. Hapet Biblioteka e Re e Historisë së Kishës.
·
5. Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe Plaku Nil L. Andersen dhe bashkëshortet e tyre takohen me anëtarët e Kievit në Ukrainë.
·
6. Presidenti Monson u ftua që të fliste në 100-vjetorin e Katedrales së Madeleinës.
·
7. Shërbimet Humanitare të Kishës dërguan një avion DC-10 plot me furnizime ndihme në Paqësorin Jugor.
·
8. Vullnetarët e Duarve Ndihmëtare të Kishës punuan me qindra të tjerë në SHBA gjatë Ditës së Shërbimit të prillit.
·
9. Kisha boton Biblën e Shenjtë në Spanjisht.
·
10. Natali Koul interpreton me Korin Mormon të Tabernakullit në koncertin e përvitshëm të Krishtlindjes.
Përshkrimi
Presidenti Monson ndihmon një fëmijë në vendosjen e llaçit në gurin e themelit të Tempullit të Drejpërit në Juta.
Presidenti Monson gjithashtu shpalli ndërtimin e pesë tempujve të rinj gjatë Konferencës së Përgjithshme Gjysëmvjeçare të 179-të në tetor. Vendvendosjet janë Brigam-Siti në Juta; Koncepsion në Kili; Fortaleza në Brazil; Fort-Louderdeil në Florida dhe Saporo në Japoni.
Në shpalljen e pesë tempujve të rinj, Presidenti Monson tha: “Ne dëshirojmë që, sa më shumë anëtarë që të jetë e mundur, të kenë mundësinë për të frekuentuar tempullin pa u detyruar që të udhëtojnë për largësi tepër të mëdha.” Ai gjithashtu tha se 83 përqind e anëtarëve të Kishës nëpër botë jetojnë brenda 300.000 kilometrash largësie nga një tempull dhe se kjo përqindje do të rritet ndërsa Kisha vazhdon të ndërtojë tempuj të rinj.
Lajme të tjera për ngjarje të rëndësishme gjatë vitit 2009 përfshijnë sa vijon:
Thirrja e Apostullit të Ri
Plaku Nil L. Andersen u thirr në prill për të plotësuar vendin e lirë në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, i krijuar kur Plaku Jozef B. Uirthlin ndërroi jetë në dhjetor 2008. Lajmërimi u dha nga Presidenti i Kishës, Tomas S. Monson, për 21.000 njerëzit e ulur në Qendrën e Konferencave dhe për qindra mijëra të tjerët që po e ndiqnin transmetimin kudo nëpër botë.
Dedikimi i Bibliotekës së Historisë së Kishës
Një arkiv i përhershëm dhe i sigurt për dokumente historike dhe të dhëna të tjera të Kishës përfundoi pas 15 vjetësh planifikimi dhe katër vjetësh ndërtimi. Biblioteka e re e Historisë së Kishës u dedikua nga Presidenti Monson në qershor. Kjo ndërtesë solemne arti u projektua dhe u ndërtua që të përmbushte standardet e larta të certifikimit si projekt i “gjelbër” nga sistemi i klasifikimit të Grupit Drejtues në Konstruksionet Energjetike dhe Mjedisore (LEED), duke bërë të mundur që të merrte titullin prestigjioz të Argjendtë. Por një prej aspekteve më të rëndësishme të bibliotekës së re është se ajo është planifikuar për përdorim publik.
Botimi i Biblës në Spanjisht
Pas vitesh përgatitje, u përfundua gjithashtu versioni i Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i Biblës në Spanjisht. Libri është një prej projekteve më domethënëse të shkrimeve të shenjta të Kishës dhe përfshin krerë të rinj për kapitujt, shënime në fund të faqes dhe referenca kryq për të gjitha shkrimet e shenjta që përdoren nga anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Presidenti Tomas S. Monson tha për Biblën e re: "Ky botim i ri do të sjellë një rritje domethënëse të njohjes së ungjillit mes anëtarëve të Kishës që flasin spanjisht."
Udhëheqës të Kishës Vizitojnë Evropën Lindore
Në maj dhe qershor, mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Evropën Lindore patën një vizitë nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, këshilltar i dytë në Presidencinë e Parë, dhe Plaku Nil L. Andersen i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Dy udhëheqësit u folën kongregacioneve të mëdha në Kiev të Ukrainës dhe Samara të Jekaterinburgut dhe Moskë të Rusisë.
Udhëheqës të Kishës Marrin Pjesë në Përurim
Në janar, udhëheqës të Kishës morën pjesë në përurimin e Presidentit të ri të SHBA-së, Barak Obama. Presidenti Uhtdorf nga Presidencia e Parë dhe Plaku M.
Rasëll Ballard i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve morën pjesë në ceremoninë e betimit të janarit si edhe Shërbimin e Lutjes Kombëtare në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.
Presidenti Monson i Paraqet Gjenealogjinë Presidentit Barak Obama
Më vonë gjatë vitit, Presidenti Monson dhe Plaku Dallin H. Ouks i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të shoqëruar nga shenjtori i ditëve të mëvonshme dhe udhëheqësi i shumicës në Senat, Herri Rid, nga Nevada, i paraqitën Presidentit Obama pesë volume të mëdha, të veshura me lëkurë, të historisë së tij familjare. Presidenti Monson tha: “Trashëgimia e Presidentit Obama është e pasur me shembuj udhëheqje, sakrifice dhe shërbimi.”
Presidenti Monson Merr Pjesë në Kremtimin e Njëqindvjetorit të Katedrales Katolike
Udhëheqës të kishës u ftuan nga Dioqeza Katolike e Solt-Lejk-Sitit për të ndihmuar në kremtimin e 100-vjetorit të Katedrales së Madeleinës. Presidenti Monson qe mes folësve në ngjarjen e gushtit. Ai numëroi rastet e shumta kur dy kishat kishin punuar së bashku për të mirën e komunitetit dhe të botës. Më herët gjatë vitit, Kori Mormon i Tabernakullit, organistët e Tabernakullit dhe Orkesta e Sheshit të Tempullit dhanë një koncert përkujtimor në katedrale.
Turneu i Korit Mormon të Tabernakullit
Vera ishte një periudhë e zënë për Korin Mormon të Tabernakullit dhe Orkestrën e Sheshit të Tempullit ndërsa udhëtuan në perëndimin qendror, duke interpretuar para dëgjuesve të entuziazmuar në shtatë qytete kryesore. Koncertet përfshinë drejtues të ftuar që u zgjodhën nga mesi i banorëve të mirënjohur, përfshirë ish-astronautin Nil Armstrong. Kori gjithashtu festoi një moment historik: 80 vite transmetimi të Muzika dhe një Mesazh. Është rrjeti i transmetimit i vazhduar për kohën më të gjatë në botë.
Kisha u Jep Ndihmë Viktimave të Fatkeqësisë
Në shtator, një tërmet dhe cunam i fuqishëm goditën ishujt e Samoas, Samoas Amerikane dhe Tongas. Fshatra u shuan, afro 200 njerëz humbën jetën dhe mijëra të tjerë ishin të pastrehë. Brenda orësh, Kisha filloi të vlerësonte nevojat e banorëve të ishujve. Shtatë ditë më pas, një avion DC-10 u nis nga Juta për në Paqësorin Jugor me 60 ton ushqime, kuti higjiene, veshmbathje, karroca invalidi dhe kontenierë uji.
Në Filipine, qindra ndërruan jetë kur Stuhia Tropikale Ketsana i goditi në shtator. Stuhia solli reshjet më të fuqishme të 40 viteve, duke shkaktuar përmbytje domethënëse. Shërbimet Humanitare të Kishës ndihmuan me përpjekjet për pastrim dhe bënë planin për furnizimin me veshmbathje, ushqime, kuti të higjienës, ujë dhe pajisje të tjera ndihme.
Qindra Mijëra Marrin Pjesë në Projektet e Duarve Ndihmëtare
Vullnetarët e Duarve Ndihmëtare të Kishës u bashkuan me dhjetëra mijëra të tjerë në SHBA për të ndihmuar njerëz që kishin nevojë për mbështetje. Dita e Shërbimit e prillit bashkoi njerëz nga gjithë pozitat shoqërore për të ndihmuar bashkënjerëzit e tyre në një mori projektesh që nga furnizimi e rezervimi në rafte i ushqimeve deri tek ndërtimi i shtëpive. Dhjetëra mijëra vullnetarë të Duarve Ndihmëtare morën pjesë në ditët e veçanta të bashkërenduara të shërbimit në Afrikë dhe në Brazil. Gjithashtu, në shkurt, vullnetarët e Duarve Ndihmëtare u hodhën për të bërë pastrimin pas stuhive të ashpra të akullta nga Maine deri në Teksas. Projekte të tjera të shumta të Duarve Ndihmëtare u realizuan nëpër botë.
Botohet Vëllimi i Dytë i “Joseph Smith Papers”
Vëllimi i dytë i “The Joseph Smith Papers” [Letrat e Jozef Smithit] u nxor për shitje në shtator. Botimi i ri i Revelations and Translations: Manuscript Revelation Books [Zbulesa dhe Përkthime: Librat e Dorëshkrimeve të Zbulesave] siguron mundësi të re për të lexuar dokumente të paçmueshme që datojnë nga viti 1828 deri në 1834. Historiani dhe protokollisti i kishës Plaku Marlin K. Xhensen tha se disa nga dokumentet në vëllimin e ri përmbajnë përpjekjet më të hershme të mbetura ende në mbajtjen e të dhënave nga jeta e Jozef Smithit.
Apostulli Mban Fjalim mbi Lirinë Fetare
Liritë fetare të amerikanëve po kërcënohen, tha Plaku Dallin H. Ouks i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në një fjalim të tetorit në UBJ-Ajdaho. Ai tha se anëtarët e Kishës nuk duhet të frenohen apo detyrohen të heshtin nga kërcënimet. “Ne duhet të këmbëngulim për të drejtën dhe detyrën tonë kushtetuese për të ushtruar besimin tonë, për të votuar sipas ndërgjegjes sonë mbi çështjet publike dhe për të marrë pjesë në zgjedhje dhe debate në sheshin publik dhe sallat e drejtësisë.”
Kisha Mbështet Dekretet Jodiskriminuese në Solt-Lejk-Siti
Në nëntor, Kisha shprehu mbështetjen për një dekret jodiskriminues në një mbledhje të Këshillit të Solt-Lejk-Sitit. Majkëll Oterson, drejtori administrativ i Departamentit mbi Çështjet Publike, iu drejtua këshillit në mbështetje të propozimit të Kryetarit të Bashkisë Ralf Beker. Ndërkohë që masat mbrojtëse për strehim e punësim janë të drejta dhe të arsyeshme, tha Oterson, Kisha mbetet “qartësisht e zotuar për të mbrojtur themelin bazë të martesës midis një burri dhe një gruaje”.
Apostulli Dha Përshtypjet në Konferencën Ndërkombëtare mbi Familjet
Në gusht, një apostull i Kishës paraqiti përshtypjet në një Konferencë Ndërkombëtare mbi Familjet në Amsterdam. Plaku Rasëll M. Nelson i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tha: “Lumturia në të ardhmen dhe madje edhe e ardhmja e kombeve lidhet me fëmijët. Familjet me fëmijë duhet të rikurorëzohen si njësia themelore e shoqërisë. Ne thjesht duhet t’i vlerësojmë fëmijët me tepër nga sa i çmojmë.”
Koncerti i Krishtlindjes Tërheq Dhjetëra Mijëra
Këngëtarja Natali Koul, fituese e Çmimit Gremi, dhe autori Devid MekKullou, dy herë fitues i çmimit Pulitzer, ishin të ftuar të Korit Mormon të Tabernakullit dhe Orkestrës së Sheshit të Tempullit për koncertin e përvitshëm të Krishtlindjes. Qendra e Konferencave e zbukuruar bukur dhe muzika ndihmuan që të sillnin shpirtin e Krishtlindjes për mbi 80.000 njerëz që morën pjesë.
Fondi i Përhershëm për Arsimimin Arrin një Moment Madhor Historik
Në dhjetor, Fondi i Përhershëm për Arsimim arriti një moment domethënës historik. I filluar në vitin 2001, fondi u ka dhënë më shumë se 40.000 hua të rinjve dhe të rejave nëpër botë, duke i ndihmuar me arsimimet dhe karrierat e tyre. Drejtori ekzekutiv i FPA, Plaku Xhon K. Karmak, tha se ai parashikon një kohë kur ky program do të ndihmojë shumë më tepër, ndoshta 100.000 njerëz dhe më tepër.