Lajme nga Bota - 29. prill 2010 |
Dëshmitë ende të pacënuara
Jeta u ndryshoi, por shpirti kurrë nuk iu lëkund anëtarëve ndërsa rindërtonin
Nga Jason Swensen
Autor shkrimesh i personelit të Church News
Tërmetet mund të përmbysin shtëpi, të përthyejnë rrugë dhe, trishtueshëm, të marrin qindra mijë jetë. Por, as tërmeti më i fortë nuk mundet vetvetiu të shkatërrojë dëshmitë, të krisë shpresën apo të rrafshojë shtysën Krishtërore të shpresimit për ditë më të mira teksa kryhet shërbim për të tjerët.
Fernanda Palomino e njeh mirë aftësinë e një katastrofe natyrore për të ndryshuar përgjithmonë jetën e njeriut. Më 15 gusht 2007 një lëkundje me magnitudë të lartë 8-ballëshe goditi zonën e saj dhe disa komunitete të tjera në perëndim të Perusë. Me qindra vdiqën dhe mijëra të tjerë, përfshirë Motrën Palomino, humbën shumë ose gjithçka nga shtëpitë e tyre. Motra Palomino sigurisht që u hidhërua për ata që vdiqën në tërmet. U trishtua që pa një pjesë të madhe të shtëpisë së saj të kthyer në pluhur qerpiçi e copëra gurësh. Por shpirti i saj asnjëherë nuk u lëkund. Ditë pasi pushuan shembjet, Motra Palomino gjendej jashtë rrënojave të shtëpisë së vet, bashkë me motrat e saj të tjera të Shoqatës së Ndihmës, duke gatuar supën e komunës, që do të ushqente fqinjët e uritur, nevojtarë për një vakt ushqimi të ngrohtë e ngushëllues.
Foto nga Jason Swensen
Pavarësisht nga humbja e shtëpive gjatë tërmetit të 2007-ës, motrat e Shoqatës së Ndihmës qenë të shpejta për të dhënë ndihmë në një kuzhinë të supës së komunës.
Ajo atë ditë përshëndeti me një buzëqeshje bujare gjithkënd që kaloi aty. Tashmë, më shumë se dy vjet më vonë, i vetëtin ajo buzëqeshje ndërsa mirëpret vizitorë në shtëpinë e saj të re. Shtëpia e saj u ndërtua si pjesë e një projekti ndërtimor në shkallë të gjerë të sponsorizuar nga Kisha, në perëndim të Perusë, i cili u lejoi mijëra anëtarëve të mbetur pa strehë nga tërmeti, të jetojnë në shtëpi të forta e të qëndrueshme ndaj lëkundjeve sizmike. Rreth 349 shtëpi janë përfunduar me materialet dhe drejtimin që u siguruan nga Kisha. Zotëruesit e shtëpive, siç është Motra Palomino dhe bashkëanëtarët e miqtë e tyre, siguruan muskujt, djersën dhe punën.
“Projekti qe një gjë e mrekullueshme”, tha Jeronimo Gutierrez ndërsa u tregon vizitorëve të shohin në drejtim të mureve e themeleve të përforcuara të shtëpisë së re, në të cilën banon me bashkëshorten e tij, Karmenin, dhe dy djemtë. Shtëpia e familjes Gutierrez është e vogël, por e fortë. Ajo nuk ngatërrohet për shtëpi të madhe – por konstruksioni i saj i ofron familjes strehë dhe një qetësi të paçmuar të mendjes. Vëllai e Motra Gutierrez dhe djemtë tashmë kanë shijuar disa mbrëmje familjare, ku ata kanë diskutuar për mirënjohjen, shërbimin, shpresën dhe parime të tjera të ungjillit, të cilat duken po aq pjesë e shtëpisë së tyre, sa edhe betoni, tullat dhe çeliku.
Secila shtëpi e re është ngritur mbi një themel të përforcuar dhe përmban traversa, kolona dhe çati të forcuara me shumë rradhë shufrash. Projekti i ndërtimit të shtëpive filloi rreth dy vjet më parë, pasi misionarë në moshë me formim profesional në ndërtim dhe financë u thirrën në Peru për të ndihmuar mbikëqyrjen e aksionit ndërtues. Me ta u bashkuan inxhinierë vendas, të cilët ndihmuan për të siguruar që çdo shtëpi e re t’u përmbahej standardeve të sakta të projektit, për t’i bërë sa më antisizmike.
Përtej projekteve, materialeve të ndërtimit dhe përgjegjësisë profesionale, “kjo qe një vepër shpirtërore”, tha inxhinieri Ronaldo Ramirez de Kastilja, shenjtor i ditëve të mëvonshme.
“Nuk po ngrinim vetëm shtëpi – kjo gjë ishte për ngritjen e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme”, tha Alen Lejton, një nga misionarët në moshë të përfshirë në projekt, i cili tani kryeson Tempullin e Okuir-Mauntinit në Juta.
Foto nga Jason Swensen
Jeronim Gutierrezi, anëtar në Pisko, duke qëndruar para shtëpisë së tij të re me djemtë, Melvinin 10-vjeçar dhe Leninin 13-vjeçar. Vëllai Gutierrez tha se projekti i ndërtimit në Peru ka ndihmuar që familja e tij të rrisë mirënjohjen e të mësojë të shërbejë.
Me të vërtetë, projekti i ndërtimit të shtëpive në Peru ishte, para së gjithash, një aksion i priftërisë, i zbatuar nën drejtimin e Plakut Markus B. Nash, një I Shtatëdhjetë dhe president i Zonës së Perëndimit të Amerikës Jugore. Ky projekt u zhvillua për të rindërtuar shtëpitë dhe shpirtra të dëmtuar nga tërmeti. Katër parime udhërrëfyese i dhanë pikëmbështetje projektit: integriteti, mirënjohja, puna e palodhur dhe shërbimi.
Peshkopët, presidentët e degëve dhe udhëheqës të tjerë vendorë përcaktuan familjet që do të merrnin pjesë në projekt. Për t’u përfshirë nga projekti, familja anëtare duhet të kishte pronësi mbi parcelën e tokës ku kishte humbur shtëpinë. Gjithashtu ata nuk do të mund të jetonin në “zona të kuqe” – rajone gjeografike të kategorizuara me paqëndrueshmëri të lartë sizmike.
Përfituesit e shtëpive i quajnë shtëpitë e tyre të reja “bekim të përditshëm”.
“Ndihem aq shumë mirënjohës që kam mundësi të jetoj në një shtëpi të tillë si kjo – unë kam mësuar të kem siguri tek Zoti”, tha Uenceslao Konde, anëtar në Çinça.
Projekti, shtonte Presidenti Lejton, u bë i mundur nga bujaria dhe dhurimet e anëtarëve anembanë botës. Falë kontributeve të tilla, “350 familje kanë tani një vend të sigurt për të jetuar”.
Shpirti i Vëllait Konde qe vënë rreptë në provë më 15 gusht 2007. Orët përpara tërmetit ai i kaloi duke vajtuar vdekjen e nënës së tij. Ai dhe familja e vet po ktheheshin nga varrimi kur toka filloi të lëkundej ashpër. “Kur arritëm tek shtëpia jonë, pamë se të gjitha muret ishin rrënuar. Patëm shumë frikë”, tha ai.
Tërmeti u kushtoi vdekje mëhallës së tij. Një grua dhe bijën e saj, që jetonin ngjitur me familjen Konde, i vrau të dyja shembja. Mes panikut dhe hidhërimit të ditës, mendimet e Vëllait Konde u drejtuan tek anëtarët, të cilëve u shërbente si president i Degës së Balkoncitos në Çinça. Për një muaj e gjysmë, ai do të kujdesohej për bashkëanëtarët e tij të lodhur nga tërmeti, ndërsa jetonte me familjen e vet në një çadër të ngritur jashtë qendrës së kunjit vendor.
Vëllai Konde do të gjente forcë tek besimi i bashkëshortes së tij, Pamelës, dhe tek dy fëmijët e tij të vegjël, Melania dhe Parli. Në fjalën e tij të konferencës së përgjithshme në prill të 2009-ës, Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, foli për qëndresën e familjes Konde në ungjill:
“Katër ditë mbas tërmetit, [Plaku Nash] ishte në Çinça duke ndihmuar atje për bashkërendimin e aksionit të ndihmës së Kishës dhe u takua me Presidentin Konde. Ndërsa ata bisedonin për shkatërrimin që kishte ngjarë dhe se çfarë po bëhej për të ndihmuar të prekurit, Motra Konde u afrua duke mbajtur në krahë një nga të vegjëlit e saj. Plaku Nash e pyeti Motrën Konde si ishin fëmijët e saj. Me buzëqeshje, ajo iu përgjigj se, me mirësinë e Perëndisë, ata qenë të sigurt dhe mirë. Ai pyeti për shtëpinë e familjes Konde.
‘Ka mbaruar’, tha ajo thjesht.
‘Po gjërat tuaja?’ pyeti ai.
‘Gjithçka u varros nën rrënojat e shtëpisë’, iu përgjigj Motra Konde.
‘E megjithatë’, vërejti Plaku Nash, ‘ju po buzëqeshni ndërsa bisedojmë.’
‘Po’, tha ajo, ‘unë jam lutur dhe jam e qetë. Ne kemi gjithçka që na duhet. Kemi njëri-tjetrin, kemi fëmijët tanë, jemi vulosur në tempull, kemi këtë Kishë të mrekullueshme dhe kemi Zotin. Mund të ndërtojmë sërish me ndihmën e Zotit.’”
Besimi i Motrës Konde do të shpërblehej. Ata kanë rindërtuar. Familja jeton në një shtëpi të thjeshtë dykatëshe, të ngritur si pjesë e programit të Kishës për të rindërtuar shtëpi në Peru.
Rindërtimi i Perusë perëndimore ka shkuar përtej anëtarëve që humbën shtëpitë. Pranë hyrjes së shkollës “San Miguel”, në Pisko, mund të shihet një pankartë e vogël. Pankarta përcjell respektin për Kishën dhe përpjekjet e saj për rindërtimin e shkollës, mbasi ishte rrëzuar pothuaj e tëra gjatë tërmetit. Sot fëmijët e zonës po arsimohen në një shkollë të fortë të ndërtuar nga Kisha, në formën e dy zgjatimeve dhe me mure tullash të kuqe.
“Nxënësit janë krenarë që e quajnë të tyren shkollën ‘San Miguel’”, tha drejtuesi Juan Francisko Murguia, para se të shprehte mirënjohjen e tij për Kishën dhe anëtarët e saj.
Muret e shtëpisë së re të Roza Maurtuas, në Pisko, i kanë lyer me ngjyra të çelura e festive. Një vendim i bërë me vend nga projekti. Çdo ditë Motra Maurtua sheh me vëmendje muret dhe çatinë e shtëpisë së saj të fortë dhe shijon mirësinë që ajo ka dëshmuar që prej tërmetit historik që i mori shtëpinë.
“Është gjë e mrekullueshme”, tha ajo. “E di se Zoti na do dhe nuk na braktis. Nuk e mendoja kurrë se mund të bekohesha kaq shumë.”
jswensen@desnews.com