Lajme nga Bota - 20. qershor 2009 |
Tre breza shenjtorësh në Itali
Familja Mancela ende e fortë pas katër dekadash nga kthimi në besim
Nga Lori Uiljams Sabi
Kontribuese e Church News (Lajmet e Kishës)
Botuar të shtunën, 20 qershor 2009
NAPOLI, ITALI
Mario Mancella ishte një bashkëshort dhe baba i ri që po kërkonte përgjigje.
Por, thotë ai, vetëm pasi filloi t’i lutej Perëndisë, duke pyetur përse nuk ndiente asgjë kur merrte pjesë në kishën ku ai ishte rritur, filloi t’i vinte re etiketat e emrit që mbanin djemtë që ndaleshin shpesh në dyqanin e tij të bukës.
“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, lexoi ai.
I ftoi elderat në shtëpi dhe e shoqja, Ana, e pranoi ftesën e tyre që të merrte pjesë në diskutim. “Sapo ata filluan të përdornin shkrimet e shenjta, unë e dallova se ajo që ata mësonin ishte e vërtetë”, kujton Motër Mancela 39 vite më pas.
Ajo u pagëzua më 4 prill 1970 në Napoli, qyteti ku ajo ka jetuar gjithë jetën. I shoqi e pasoi së shpejti dhe më 1976 ata udhëtuan drejt Tempullit të Bernës së Zvicrës që të vuloseshin me të katër fëmijët e tyre.
Foto nga Lori Uiljams Sabi
Ana dhe Mario Mancela (në të djathtë) u anëtarësuan në Kishë më 1970. Gjithashtu në foto janë vajza Anxhela, dhëndri Aldo Ariante dhe tre fëmijët e tyre nga 9-13 vjeç. Që të shtatë pjesëtarët frekuentojnë Degën e Napolit në Itali.
Përveçse janë anëtarë të Kishës në Itali prej shumë kohe, Mancelat gjithashtu janë ndoshta të martuarit më kohëgjatë. Dega e Napolit para pak kohe u bëri atyre një festë në përvejtorin e 50-të të martesës.
Vëllain dhe Motrën Mancela i gjen çdo të diel në mbledhjet që mbahen në katin përdhes të një ndërtese të ngritur mes rrugëve të ngushta e gjarpëruese të Napolit. Ballkoni i prapmë i “godinës kishtare” të një përdorimi shumëqëllimor, ofron një pamje mahnitëse së largu të malit Vezuv me dëborë në majë.
Mancelat janë ndër më shumë se 22.000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme të shpërhapur në Itali. Ana dhe Mario u anëtarësuan vetëm katër vjet mbas vendosjes së misionit të parë italian në Firence, në veri të Napolit. Kisha u njoh zyrtarisht nga qeveria italiane më 1993. Tani ka tre misione në Itali.
Foto nga Lori Uiljams Sabi
Anxhela Ariante u vulos tek prindërit e saj, Mario dhe Ana Mancela, në Tempullin e Bernës së Zvicrës më 1976. Ajo lexon shkrimet e shenjta me Aleksën, të bijën 13-vjeçare, pjesëtare e Kosheres, shkrimi i shenjtë i parapëlqyer i së cilës është Doktrina e Besëlidhje.
Motër Mancela thotë: “Qëllimi i jetës gjendet tek familja” dhe shton se ungjilli i ka dhënë “gëzim të madh”. Familja e tyre tani përfshin disa nipër e mbesa - një brez i tretë që po rritet me ungjillin.
Dy nga të bijat frekuentojnë degën e Napolit bashkë me Mancelat. E bija Anxhela, e cila e ka takuar bashkëshortin, Aldo Arianten, katër vjet pas pagëzimit të tij, frekuenton kishën së bashku me të dhe tre fëmijët e tyre, të moshave 9-13 vjeç. Ariantet u martuan në Tempullin e Bernës së Zvicrës më 1995.
E gjithë familja është e lumtur për të ardhmen me një tempull që do ta kenë relativisht pranë. Tempulli i Romës së Italisë, i shpallur në tetor 2008, do të kërkojë një udhëtim shumë më të shkurtër e më pak të kushtueshëm, duke lejuar që anëtarët ta frekuentojnë më shpesh.
Për Motrën Ariante ungjilli në jetën e tyre do të thotë “mundësi që të vulosesh familjarisht dhe siguri ngaqë e di se po i rrit fëmijët e tu me gjërat e drejta”.
E bija, Aleksa, një pjesëtare 13-vjeçare e Kosheres, thotë se ndihet e ndryshme nga shoqet e saj që nuk janë SHDM, por e bën të lumtur fakti që është e ndryshme. “Ndihem e bekuar që kam mundësi të flas lirshëm me prindërit dhe gjyshërit e mi”, thotë ajo.
Ndër shkrimet e shenjta që ajo ka shënuar dukshëm, ku një foto e Tempullit të Solt Lejkut rri ngjitur në kopertinë, është shkrimi i parapëlqyeri prej saj, Doktrina e Besëlidhje 68:6:
“Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju...” Aleksa gjen ngushëllim në këtë premtim.
“Kur ndihemi të vetmuar”, thotë ajo, “Zoti është me ne. Çdo herë që nuk jam pranë prindërve ose njerëzve të mi të dashur, e di se nuk jam vetëm dhe ndihem e sigurt.”
Gjyshi i saj Mancela është besimtar i patundur për fuqinë e lutjes dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë. Lutjet e tij para 39 vitesh kanë rezultuar në 20 anëtarë më shumë për Kishën në Itali, që të gjithë pasardhës të tij.