Kirche Jesu Christi der Heiligen der Letzten Tage
Lajme nga Bota - 14. gusht 2009

 

Plaku M. Rasëll Ballard: Tërheqës Pa Qenë Justifikues


SOLT LEJK SITI 14 gusht 2009 Sa vijon është një tejshkrim i fjalimit të Plakut M. Rasëll Ballard, mbajtur në ceremoninë e diplomimit në Universitetin “Brigam Jang”, më 13 gusht 2009.

Kur ju vështroj ju të diplomuar, më burojnë ndjenja të ëmbla brenda meje. Ndërkohë që për mua është e pamundur të shtrëngoj duart me secilin prej jush dhe t’ju shoh në sy personalisht, dëshiroj që ta dini se ju jeni të çmuar në vështrimin e Atit tuaj Qiellor. Ai ju do. Udhëheqësit e Kishës ju duan.

Dëshiroj që ta dini gjithashtu se keni para jush një shërbim ngazëllues dhe kuptimplotë për Zotin. E njoh se vite sakrifice si prej prindërve tuaj, ashtu dhe nga secili prej jush, kanë ndihmuar të bëheni ajo ç’ka jeni. Sot, ju shoh juve dhe njoh vetë vitet tuaja të angazhimit në Kishë dhe për ushqimin e vetë dëshmive tuaja përmes studimit dhe zbatimit të parimeve të ungjillit. Ju shoh juve dhe shoh të ardhmen e Kishës - jo thjesht peshkopët, presidentët e kunjeve, presidentët e misioneve dhe udhëheqësit e ardhshëm të organizatave ndihmëse, por radhët e mëdha të nënave dhe etërve të ardhshëm, mësuesve të Fillores dhe të Shkollës të së Dielës, udhëheqësit e rinisë, mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore, udhëheqësit e skautistëve, drejtuesit e koreve dhe të tjerë të panumërt që do t’i shërbejnë Zotit në shekullin e 21-të.

Do të jetë një shekull i ndryshëm nga ky që sapo kaloi. Në disa drejtime do të jetë më mirë; në disa drejtime, do të jetë shumë më e vështirë për ju dhe për fëmijët tuaj. Por një gjë do të jetë e paevitueshme: do të jetë shekulli juaj, një shekull në të cilin ju keni mundësinë të lini shenjën tuaj për mirë ose ndryshe. Ju do të përpiqeni të ndikoni të tjerët dhe të tjerët do të përpiqen t’ju ndikojnë juve. Ose ju do të ndani e nxitni vlerat tuaja thelbësore, të rrënjosura në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, ose ju do t’i lejoni të tjerët të përcaktojnë vlerat tuaja, për ju dhe pasardhësit tuaj.

Komunikimi në të ardhmen do të vazhdojë të ndryshojë, përmes internetit dhe teknologjive të reja mediatike. Bota juaj e hapësirës virtuale - telefonat celularë që kryejnë shkarkime materialesh filmike dhe iTunes, dhe rrjetet shoqërore si Facebook, dërgimi i mesazheve të shkruara, ditaret e internetit, Twitter-i, kompjuterat e dorës dhe materialet MP3 nga interneti - janë vetëm fillimi i asaj që ende keni përpara në zgjerimin e mrekullueshëm të teknologjisë. Kjo më bën që të dëshiroj të kisha lindur 20 vite më vonë, që kështu të mund të kuptoja si të vija në punë telefonin tim iPhone kur nuk funksionon, gjë që ndodh mjaft shpesh.

Ne jemi në një betejë titanike, vëllezërit e motrat e mia të reja. Që nga agimi i historisë së njerëzimit, gjithnjë ka qenë kështu. E mira dhe e liga kanë qenë gjithmonë me ne dhe po kështu dhe e drejta për të zgjedhur midis tyre. Për kohën që do të kaloj me ju sot, dëshiroj të ndaj disa mendime mbi qëndrimin të paepur për të vërtetën.

Kohët e fundit kam parë një hulumtim mbi çështjen se si njerëz të tjerë i konsiderojnë anëtarët e Kishës. Kam qenë i interesuar prej kohësh për këtë temë, sepse kam pasur të bëj diçka me punën misionare në detyrat e mia në Kishë. Të dimë se si na konsiderojnë neve njerëzit, është pjesë e rëndësishme e të kuptuarit se si të shpjegohemi sa më mirë. Kjo pjesë e veçantë e hulumtimit bënte një vrojtim interesant. Sugjeronte se anëtarët e Kishës sonë nganjëherë mund t’u duken shumë justifikues atyre që nuk janë anëtarë të Kishës. Një i anketuar shkonte aq larg sa thoshte se, kur mormonët shpjegojnë besimet e tyre, fjalori i tyre është me fjalë të cilat të sugjerojnë se ata presin të kritikohen.

Kjo nuk qe hera e parë që unë kam dëgjuar atë lloj vrojtimi. Por, sa më shumë kam menduar për të, aq më shumë e kuptoj. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne mund të përçojmë një përshtypje justifikimi në komunikimet tona me të tjerë.

Mendoj se kuptoj diçka prej arsyeve. Që nga koha kur Jozef Smithi doli nga Korija e Shenjtë në 1820-ën, ka pasur nga ata që kanë reaguar negativisht, madje me armiqësi ndaj mesazhit tonë. Jozefi na tregon me vetë fjalët e tij se hera e parë kur ai u përpoq të ndante atë ç’ka kishte parë me dikë jo të familjes, nuk qe një përvojë e këndshme. Shërbestari protestant me të cilin ai ndau mesazhin e tij, i tha se ishte “nga djalli” dhe se nuk kishte më gjëra të tilla si vegime ose zbulesa. Nëse Jozefi mendoi se kjo qe e keqe, kjo ndodhi sepse ai nuk e kishte kuptuar ende fuqinë ngulmuese të kundërshtarit. Sa më shumë rritej Kisha, aq më shumë dukej se tërhiqte armiqësi. Grupin e vogël të shenjtorëve besnikë e përzunë nga një vend tek tjetri. Jozefit duhet t’i jetë dukur se nuk mund të bëhej më keq se vuajtja e tmerrshme në burgun e Libertisë, bashkë me lëshimin e urdhërit të shfarosjes kundër anëtarëve të Kishës, nga guvernatori i Misurit. Sigurisht, u bë më keq, dhe Jozefi e Hajrëmi paguan për veprën, dëshmitë dhe besimin e tyre me jetën e tyre. Ky qe veprimi i fundit që shkaktoi nisjen e udhëtimit të madh drejt perëndimit, të udhëhequr nga Brigam Jangu, që na solli në këtë shkretëtirë amerikane, një vend strehimi për anëtarët e Kishës këtu në Vargmalet Shkëmbore.

Kjo tani është një pjesë e pashlyeshme e historisë. Ju i keni dëgjuar tregimet e vështirësive dhe të sakrificës që kur keni qenë fëmijë të vegjël. Edhe të kthyerit në besim në Kishë, që nuk kanë paraardhës të cilët mbijetuan në ato kohë, i përqafojnë njerëzit dhe ngjarjet e historisë sonë të hershme si pjesë të vetë trashëgimisë së tyre. Tregimet na frymëzojnë dhe na motivojnë, siç duhet ta bëjnë, dhe shpresoj e lutem që, në rehatinë tonë relative, ne nuk do t’i harrojmë kurrë ata shenjtorë të fuqishëm e besnikë të ditëve të mëvonshme dhe mësimet që mund të mësojmë prej tyre.

Dhe, sidoqoftë, tani nuk është viti 1830 dhe ne nuk jemi më vetëm gjashtë veta. A mundet që një pjesë e justifikimit që shohin nganjëherë tek ne të tjerët, të sugjerojë se ne ende presim të trajtohemi si një pakicë e papëlqyer, që e detyrojnë të arratiset drejt perëndimit? Në ndërveprimet tona me të tjerë, a presim ne gjithmonë se na duhet ta mbrojmë veten? Nëse është kështu, mendoj se duhet të bëjmë një korrigjim të kursit. Pritja e vazhdueshme e kritikës apo kundërshtimit mund të çojë në një vetëndërgjegjësim të sëmurë dhe në një qëndrim justifikues që nuk gjen jehonë të mirë tek të tjerët. Është e papajtueshme me faktin ku jemi sot si Kishë dhe si masë e madhe pasuesish të Jezu Krishtit.

Si për të gjitha gjërat, mund ta shohim Shpëtimtarin si Modelin tonë. Ai u përball me armiqësi të pamasë që nga fillimi i shërbesës së Tij. Kur Ai predikoi së pari në sinagoga në Nazaret, disa donin ta hidhnin teposhtë nga shkëmbi. Por Ai nuk ia lejoi Vetes që të frikësohej. Ai e dinte se, në pjesën më të madhe, nuk do ta kuptonin. Përsëri Ai qe i patrembur në shpalljen e ungjillit të Tij duke përdorur shprehje si: “Disa ju thonë … por unë po ju them…” Ai e dinte se çfarë donte të thoshte dhe e tha pa shfajësim. Siç thonë shkrimet e shenjta: “Ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët” (Mateu 7:29).

Nëse duam të na respektojnë sot për atë se kush jemi, atëherë duhet të veprojmë me besim në vetvete - të sigurt në dijeninë e asaj që jemi e të asaj që përfaqësojmë dhe jo sikur të na duhet të shfajësohemi për besimet tona. Kjo nuk do të thotë që duhet të jemi mendjemëdhenj apo imponues. Respekti për pikëpamjet e të tjerëve duhet të jetë gjithmonë një parim bazë për ne - është bazuar tamam tek Nenet e Besimit. Por nëse veprojmë sikur të jemi një pakicë e përndjekur apo sikur presim të na keqkuptojnë ose kritikojnë, njerëzit do ta ndiejnë dhe do të veprojnë sipas kësaj.

I ftoj ata ndër ju që janë misionarë të kthyer, të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj kësaj. Ju shpenzoni dy vite duke trokitur nëpër dyer dhe duke u marrë me çfarëdo pyetjeje dhe kundërshtimi të përfytyrueshëm. Është e lehtë në bisedat tuaja të mendoni se ende po trokitni nëpër dyer. Ju nuk po trokitni. Nëse ndodheni në pozicionin ku duhet të shprehni atë që besoni, nuk është nevoja të lëvizni me aq kujdes, sa të dukeni sikur jeni bishtnues apo sikur pritni kritikë. Apostulli Pal tha: “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit” (Romakëve 1:16). Asnjë prej nesh nuk duhet të ketë. Unë mezi pres dhe e vlerësoj shumë çdo mundësi që kam për të ndarë dëshminë time për mesazhin e mrekullueshëm të Rivendosjes. Dhe nuk kujtoj dot asnjëherë që të kem fyer ndokënd gjatë kësaj.

Një nga arsyet pse kjo temë është me vend për ju sot, është sepse Kisha po bëhet më e fuqishme. Në Shtetet e Bashkuara, tani ne jemi kisha e katërt nga madhësia. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë kudo, në komunitete nga bregu në breg dhe nga veriu në jug. Ndërkohë që mund të jemi më të përqendruar në Perëndim, po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që njerëzit në këtë vend të njohin personalisht një shenjtor të ditëve të mëvonshme. Përveç kësaj, shumë anëtarë të Kishës kanë arritur vende të rëndësishme në shoqëri. Një artikull i kohëve të fundit i revistës Time mbi Kishën e vinte re këtë fakt dhe paraqiste disa fotografi të shenjtorëve të shquar të ditëve të mëvonshme.

Vetëm kjo famë siguron që të flitet gjithnjë e më shumë për Kishën dhe që shenjtorët e ditëve të mëvonshme do ta gjejnë veten gjithnjë e më shumë në diskutime rreth ungjillit. Kjo është arsyeja pse e kam zgjedhur këtë temë. Ju duhet të jeni të ndershëm, të hapur, të çiltër, tërheqës, respektues të pikëpamjeve të të tjerëve dhe plotësisht jojustifikues për tuajat.

Do t’ju jap dy sugjerime se si të përfshiheni në diskutime pa justifikime.

Sugjerimi i parë: Mos lejoni që çështje të pavend të mbysin temat më të rëndësishme.

Anëtarët e Kishës sonë tepër shpesh kanë lejuar që të tjerët të krijojnë rendin e bisedës. Një shembull është poligamia. Kjo mori fund në Kishë si një praktikë zyrtare në vitin 1890. Tani është viti 2009. Përse ende flasim për këtë? Ishte një praktikë. Mori fund. Ne shkuam më tej. Nëse njerëzit ju pyesin për poligaminë, thjesht pranoni se dikur ishte një praktikë por s’është tani, dhe se njerëzit nuk duhet të ngatërrojnë asnjë poligam me Kishën tonë. Në biseda të zakonshme, mos humbni kohë duke u përpjekur të justifikoni praktikën e poligamisë gjatë kohëve të Dhiatës së Vjetër apo duke interpretuar se përse u praktikua për njëfarë kohe në shekullin e 19-të. Këto mund të jenë tema të përligjura për historianët dhe studiuesit, por unë mendoj se ne thjesht përforcojmë stereotipet kur e bëjmë këtë një temë kryesore të bisedave mbi Kishën.

E kuptoj se nganjëherë këto biseda marrin shkas nga tregime që shfaqen në mjetet e informimit. Kjo nuk ndryshon gjë. Nga fillimi i këtij viti një seri e një rrjeti kabllor televiziv mbi poligamët përshkroi ceremoninë e shenjtë në tempull. Ai portretizim shkaktoi shqetësim të madh mes anëtarëve të Kishës, gjë që është e kuptueshme. Ne të gjithë u fyem prej tij.

Por po ju referoj tek një artikull-përgjigje që u vendos në atë kohë nga Departamenti i Çështjeve me Publikun i Kishës në Seksionin e Lajmeve tek këndi i tij në internet. Ndërkohë që po citoj prej tij, ju lutem dëgjojeni tonin. Nuk ka asgjë justifikuese në të, por ende po i jepet përgjigje një portretizimi të pavend të një prej ceremonive tona fetare më të shenjta:

 “Ashtu si grupe të tjera të mëdha fetare, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nganjëherë e gjen veten në pozicionin ku i kushtohet vëmendje prej Hollivudit apo Brodueit, serive televizive apo librave dhe gazetarisë së lajmeve. Nganjëherë përshkrimet që i bëhen Kishës dhe njerëzve të saj janë mjaft të sakta. Nganjëherë pamjet janë të rreme ose iu përgjigjen stereotipeve. Herë-herë, ato janë sipas një shijeje të keqe tronditëse.

Siç e kanë ditur prej shekujsh katolikët, çifutët dhe muslimanët, një vëmendje e tillë është e pashmangshme sapo një institucion apo grup fetar arrin një masë apo rëndësi të mjaftueshme sa të tërheqë vëmendje.” Artikulli vazhdon duke shkurajuar idenë e një bojkotimi të organizuar të rrjetit apo aktiviteteve filiale, që po nxitej aktivisht në internet mes disa prej anëtarëve tanë.

Duke vijuar citimin e Seksionit të Lajmeve:

 “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si institucion nuk bën thirrje për bojkotime. Një hap i tillë thjesht do të krijonte atë lloj polemike që i pëlqen shumë gazetarisë dhe në fund do ta shtonte publikun për serialin.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të sillen me dinjitet dhe maturi. Jo vetëm që ky është shembulli që na mësoi dhe na paraqiti Jezu Krishti në vetë jetën e Tij, por ai pasqyron gjithashtu realitetin e forcës dhe të pjekurisë së anëtarëve të Kishës sot. Nëse Kisha do të lejonte kritikët dhe kundërshtarët të zgjidhnin terrenin ku të zhvilloheshin betejat e saj, do të rrezikonte të mos përqendrohej tek qendra e vëmendjes dhe misioni që ka ndjekur me sukses prej gati 180 vitesh. Në vend të kësaj, vetë Kisha do të përcaktojë drejtimin e saj ndërsa vazhdon të predikojë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit në të gjithë botën.”

Më lejoni t’ju jap një shembull tjetër që kujtohet së fundi.. Një a dy vite më parë një grup i pavarur kinematografik prodhoi një film mbi Masakrën e Mauntin Midous. Ta përshkruash atë si një film vërtet tepër të keq do të ishte bujare. Sinqerisht, qe thjesht i tmerrshëm - edhe kritikët e Hollivudit e kritikuan atë. Reklamuesit bënë gjithçka mundën që ta provokonin Kishën për ta bërë një temë kryesore diskutimi. Në fakt, ne e shpërfillëm atë plotësisht. Ne nuk pranuam t’i lejonim ata që të vendosnin rendin e diskutimeve. Rezultati: një dështim i plotë tek biletaritë dhe ndoshta një humbje e madhe në llogaritë bankare të reklamuesve. Ndërkohë, ne vazhdojmë t’u përgjigjemi e t’u afrohemi në mënyra dobiprurëse dhe të mençura pasardhësve të atyre që qenë përfshirë në ato ngjarje të tmerrshme në Mauntin Midous.

Dhe kohët e fundit Kisha ka botuar një libër të mirëhulumtuar me titull Masakër në Mauntin Midous, që dokumenton faktet që rrethojnë këtë tragjedi.

Tani sugjerimi im i dytë për ju është të theksoni se shenjtorët e ditëve të mëvonshme ndjekin Jezu Krishtin dhe atë që mëson Jezu Krishti. Ne përpiqemi të ndjekim Atë në gjithçka që bëjmë.

Pasi gjithçka është thënë e bërë, gjëja më e rëndësishme për ju dhe dëshminë tuaj është që ju t’i bazoni besimet tuaja në atë që na mësoi Jezu Krishti dhe që ju të përpiqeni ta ndiqni atë duke e jetuar jetën në një mënyrë të pranueshme për Atin tonë Qiellor dhe Zotin.

            Ky është themeli juaj. Ai ishte themeli i Jozef Smithit. Ai tha: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”.

Kurdoherë që të keni një bisedë mbi Kishën, ju duhet të përpiqeni ta përfshini këtë pikë. Ne ndjekim Jezu Krishtin. Ne përpiqemi të jetojmë ashtu siç na mësoi Ai. Kjo është baza e besimit tonë dhe e jetës sonë. Ky është pozicioni më i fuqishëm mosjustifikues që mund të merrni. Nuk do t’ju duhet të mbroni apo justifikoni ndonjë gjë kur e bazoni qëndrimin tuaj tek mësimet e Birit të Perëndisë dhe tek fakti se ju po bëni gjithçka që mundeni për të mbajtur urdhërimet e Tij.

Është një bekim i madh të kemi doktrinat e Jezu Krishtit, që janë të qarta për ata që studiojnë shkrimet e shenjta dhe përqafojnë mësimet e Tij. Kur e ndjekim doktrinën e Zotit Jezu Krisht, arrijmë të mësojmë se të gjithë ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe se Ai na do. Duke e ndjekur Krishtin ne e dimë se nga erdhëm që përpara se të lindnim, ne e dimë qëllimin pse jemi këtu në tokë dhe ne e dimë se ku do të shkojmë kur ta lëmë këtë jetë tokësore. Plani i shpëtimit është i qartë; ai është plani i Perëndisë për lumturinë e përjetshme të fëmijëve të Tij.

Ka urdhërime të cilat Perëndia i ka dhënë që burrat e gratë të jetojnë sipas tyre. Ato janë urdhërimet e Tij dhe askush nuk është i autorizuar t’i ndryshojë, përveçse me anë të zbulesës së drejtpërdrejtë drejtuar profetit të zgjedhur të Perëndisë.

Në mbarë botën njerëzit po largohen gjithnjë e më tej nga mësimet e Zotit drejt një shoqërie laike që e përshkroi apostulli Pal:

             “Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta” (2 Timoteut 4:3--5).

Sot është dita dhe koha që pa Pali. Ka një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që besojnë se nuk ka Perëndi, nuk ka Krisht, nuk ka plan shëlbimi, nuk ka Shlyerje, nuk ka pendim, nuk ka falje, nuk ka jetë pas vdekjes, nuk ka ringjallje, nuk ka jetë të përjetshme, nuk ka familje të përjetshme të vulosura së bashku përgjithmonë.

Sa bosh duhet të jetë jeta pa bekimet e plotësisë së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit! Atëherë, vëllezër e motra të mia, ne ndjekim Jezu Krishtin. Ne e njohim planin e lumturisë, planin e mrekullueshëm të shëlbimit përmes Zotit Jezu Krisht. Ju të diplomuar i njihni doktrinat e Jezu Krishtit. Ju duhet të përpiqeni fort, tani dhe gjithmonë, të jetoni sipas tyre. Mbi brezin tuaj do të bjerë përgjegjësia për të dhënë mësim doktrinat e Zotit dhe për të ditur si të ndërtohet Kisha e Tij. Ju lutem kujtoni se nuk duhet të ndiheni sikur duhet të justifikoni besimet tuaja; ju thjesht duhet t’i shpjegoni ato me një shpirt dashurie e mirësie. E vërteta triumfon gjithmonë kur jepet mësim doktrina e vërtetë.

Tani këtu janë vetëm disa shembuj:

1.   Ne ndjekim doktrinën e Jezu Krishtit të shërbimit ndaj njeriut. Ne u shërbejmë si anëtarëve tanë, ashtu dhe atyre që nuk janë anëtarë. Puna e madhe që bëjmë në shërbim humanitar në mbarë botën, lehtëson vuajtje dhe mundime. Ne bëjmë gjithçka që mundemi, duke ndarë burimet tona të kohës e të parave, për të plotësuar nevojat si të anëtarëve tanë ashtu dhe të atyre të besimeve të tjera, duke pranuar që, “sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40).

2.   Ne ndjekim doktrinën e Jezu Krishtit të përpjekjes së madhe për të jetuar Fjalën e Urtësisë, që është një mënyrë e shëndetshme për të gëzuar një trup fizik të shëndetshëm. Ne e shmangim abuzimin me drogat e çfarëdo lloji, sepse trupat tanë janë shtëpia e shpirtrave tanë të përjetshëm dhe lumturia në këtë jetë fitohet duke qenë të fuqishëm shpirtërisht dhe të shëndetshëm fizikisht.

3.   Ne ndjekim Jezu Krishtin duke jetuar ligjin e dëlirësisë. Perëndia e dha këtë urdhërim dhe Ai asnjëherë nuk e anuloi as e ndryshoi atë. Ligji është i qartë e i thjeshtë. Askush nuk duhet të përfshihet në marrëdhënie seksuale jashtë kufijve që ka vendosur Zoti. Kjo zbatohet për sjellje homoseksuale të çfarëdo lloji dhe marrëdhënie heteroseksuale jashtë martesës. Është mëkat të dhunosh ligjin e dëlirësisë.

4.   Ne e ndjekim Jezu Krishtin duke përkrahur ligjin e Perëndisë për martesën, që është martesa midis një burri e një gruaje. Ky urdhërim ka pasur vend që nga fillimi fare. Perëndia tha: “Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2: 24). Perëndia i udhëzoi Adamin dhe Evën që të ishin “të frytshëm dhe [të shumëzoheshin, të mbushnin] tokën e [ta nënshtronin]” (Zanafilla 1:28).

Profetët dhe apostujt e ditëve moderne e ripohuan këtë urdhër në “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, e lëshuar në vitin 1995:

 “Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte. … Familja shugurohet nga Perëndia. Martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm.”

5.   Ne e ndjekim Jezu Krishtin dhe japim mësim parimet e para të ungjillit dhe të gjitha doktrinat e tjera të mrekullueshme të rivendosjes, që, kur i përqafojmë e i jetojmë, sjellin paqe, gëzim dhe lumturi për bijtë dhe bijat e Perëndisë.

Vëllezër e motra, ju të diplomuar të mrekullueshëm, është kaq e thjeshtë. Perëndia ju bekoftë, ndërkohë që tani largoheni nga ky universitet dhe shkoni jashtë në botë, dhe përmbushni kërkimet tuaja duke gjetur lumturi dhe duke e ditur se, duke ndjekur mësimet e Jezu Krishtit, ju do të keni paqe, gëzim e lumturi në jetën tuaj. Dëshiroj t’ju lë dëshminë time. Unë ju jap dëshmi se Jezusi është Krishti. Ai është Biri i Perëndisë. Ai jeton. Kjo është Kisha e Tij. Ne jemi në detyrën e Tij. Ai na ka dhënë mësime dhe urdhërime. Ne duhet t’i kuptojmë ato dhe t’ua mësojmë të tjerëve me dashuri, fuqi dhe forcë shpirtërore. Unë kërkoj një bekim për ju që Ati ynë Qiellor t’ju qartësojë e bekojë ju në çdo mënyrë kur ju të keni mundësinë për t’i shpjeguar Kishës mesazhin e mrekullueshëm të Rivendosjes dhe për t’ua shpjeguar atyre që nuk janë anëtarë të Kishës, që ju të mund të bekoheni dhe ju të mund të keni drejtim nga qielli, dhe që ju të mund të mbeteni pozitivë në vetë ndjenjat tuaja, dhe që kurrë të mos ndieni se ju duhet të jeni justifikues se jeni anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Perëndia ju dhuroftë çdo bekim dhe dëshirë të drejtë të zemrave tuaja ndërsa e lini këtë universitet, është lutja ime e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.