Shërbimet Humanitare - 22. gusht 2009 |
Ndihma për të përmbyturit siguruar nga anëtarë të Kishës
Nga Plaku Xhejms Filips dhe Motra Xhjudith Filips
Misionarë për punët publike në Tajvan
Botuar: E shtunë, 22 gusht 2009
TAJPEJ, TAJVAN
Tajfuni Morakot u përplas në ishullin e Paqësorit, me 23 milion banorë, të shtunën, më 8 gusht, Dita e Babait të Tajvanit. Stuhia gjigande pruri me vete reshjen më të madhe të shiut në 50 vjet.
Presidenti i Misionit të Taiçungut në Tajvan, Majkëll Hoër e përshkroi shiun me masë më se dy metra, që ra gjatë stuhisë, si “shumën e reshjeve që do të kishte Juta në katër vjet”.
Foto nga Plaku Xhejms Filips
Anëtarë të Kishës në Tajpej, Tajvan, ndihmojnë ngarkimin e një kamioni me furnizimet e dhuruara për viktimat e tajfunit.
Rezultati ishte përmbytje shkatërrimtare dhe rrëshqitje dheu që varrosën fshatra, zhvendosën mijëra dhe shkaktuan një listë me të vdekur që mund të arrijë në 500. Më 19 gusht ishin 136 të vdekur të vërtetuar dhe 386 të humbur. Shumë nga fshatrat e thella malore akoma nuk janë llogaritur lidhur me dëmet.
Deri në dërgimin për shtyp të këtij shkrimi, nuk dihet të kenë humbur jetën anëtarë të Kishës, megjithëse shtëpitë e shumë prej tyre janë dëmtuar shumë. Nuk pati asnjë dëm serioz në asnjë nga ndërtesat e Kishës dhe të gjithë misionarët janë të siguruar.
Dhjetra misionarë nga misioni i Taiçungut, bashkë me qindra anëtarë nga mbarë Tajvani, veshën bluzat “Duar të Ndihmës Mormone” dhe kryen disa ditë shërbim për pastrimin e baltës nga shtëpitë dhe bizneset. Puna për pastrimin do të vazhdojë për disa javë.
Foto nga Plaku Denis Sparrou
Misionarët e misionit të Taiçungut në Tajvan ndihmuan në fazat e para të pastrimit në Kishan, Tajvan.
Balta e mbetur ishte në disa vende afro 1 metër deri në mbi 1.5 metra, njoftoi Plaku Denis Sparrou, misionari i ndihmës humanitare .
Presidenti Hoër tha: “Misionarët dhe misionaret tona i kanë ndihmuar banorët, gjatë javës së parë pas stuhisëtë, të pastrojnë mbi 40 shtëpi dhe biznese në qytetin e Kishanit .”
Foto nga Plaku Xhejms Filips
Anëtarë të Kishës në Tajpej, Tajvan, ndihmojnë ngarkimin e një kamioni me furnizimet e dhuruara për viktimat e tajfunit.
Plaku Xhozef Çung, I Shtatëdhjetë i Zonës për Tajvanin qendror dhe jugor, udhëtoi në rajon dhe u takua me udhëheqës të pushtetit dhe të priftërisë vendore për të diskutuar plane për ndihmë të mëtejshme nga Kisha. Plaku Çung ishte caktuar nga presidencia e Zonës së Azisë për të drejtuar veprimet për ndihmë nga Kisha në Tajvan.
Plaku Stenli Van, I Shtatëdhjetë i Zonës dhe menaxher i shërbimeve të ndihmës sociale të Kishës për të gjithë Azinë, fluturoi në Tajvan nga baza e Hong Kongut për të ndihmuar në hartimin e një plani strategjik për rivendosjen e gjendjes.
Foto nga Plaku Denis Sparrou
Misionarë heqin me lopata në një ndërtesë baltën e depozituar nga përmbytja prej Tajfunit Morakot.
Ndërkohë, ngarkesa kamionësh me furnizime të dhuruara ishin dërguar nga qendra e Kishës për Tajvanin në Tajpej, ku efektet e stuhisë ishin shumë të vogla. Kisha vendore po përdoren si hapësira strehimi për furnizime dhe për veprimet e rivendosjes së gjendjes nga Duar të Ndihmës Mormone.