Një nga tiparet më të shquara të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është fakti se drejtimi i trembëdhjetë milion anëtarëve të saj kryet pothuajse tërësisht nëpërmjet shërbesës vullnetare.
Përgjegjësia e drejtimit të përbotshëm, e mbikëqyrjes dhe e vendosjes së politikave është e Presidentit të Kishës, dy këshilltarëve të tij dhe e Këshillit të Dymbëdhjetë Apostujve. Këto Autoritete të Përgjithshme ndodhen në Solt-Lejk-Siti të Jutës, ShBA, ku ndodhet selia qendrore e Kishës. Presidencia e Parë dhe Të Dymbëdhjetët udhëtojnë shpesh kudo në botë për t’u takuar me udhëheqësit dhe anëtarët vendas.
Për qëllime administrimi Kisha e ka ndarë botën në 30 zona. Udhëheqës me përvojë të Kishës caktohen për mbikëqyrjen e veprimtarisë së saj në këto zona.
Austria, Belgjika, Bosnja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Irlanda, Islanda, Italia, Kepi i Gjelbër, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Malta, Maqedonia, Mbretëria e Bashkuar Britanike, Moldavia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Qipro, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Shqipëria dhe Zvicra bëjnë pjesë në Zonën e Evropës.
Një president i kunjit drejton secilin kunj, i cili zakonisht përbëhet nga disa qindra anëtarë të Kishës. Për ta ndihmuar atë në drejtim, presidenti i kunjit cakton një numër funksionarësh, të cilët ndihmojnë në trajnimin dhe mbikëqyrjen e udhëheqjes në nivel vendor. Presidenti i kunjit dhe të gjithë funksionarët e kunjeve e të degëve janë vullnetarë. Shumica e anëtarëve – burra, gra dhe të rinj – mbajnë një lloj të caktuar detyre apo përgjegjësie. Pjesëmarrja e mbarë anëtarësisë në administrimin e bashkësive kishtare vendore është një tipar dallues i dukshëm i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përgjegjësitë e të shërbyerit mund të përfshijnë drejtim, këshillim, mësimdhënie (për të rritur, adoleshentë ose fëmijë), vizitë shtëpie, punë misionare ose organizim të aktiviteteve ose të projekteve të shërbimit.
Në krye të bashkësisë kishtare vendore qëndron presidenti i degës. Zakonisht ai është një burrë familjar dhe, ashtu si gjithë funksionarët e tjerë, nuk paguhet. Ndërsa vazhdon ta fitojë jetesën me profesionin e vet, shumë nga koha e tij e lirë gjatë pasditeve dhe fundjavës i përkushtohet shërbimit ndaj anëtarësisë vendore të Kishës.
Njësia bazë e kësaj anëtarësie është familja. Kisha mëson se familja është vendi ku mund të mësohen, të ndahen bashkërisht e të demonstrohen më së miri vlerat dhe standardet. Një theks i fuqishëm vihet mbi përgjegjësitë prindërore, duke e konsideruar Kishën si burimin më të madh për të ndihmuar çdo anëtar të familjes të zhvillohet nga ana shoqërore, emocionale, intelektuale dhe shpirtërore.